MENU
klinika

Gjergj Leka: 51 vite muzikë!

“Në një kafene të Bathores, të kisha një bust të vogël…”

10.10.2022 - 14:21

        UVIL ZAJMI

GJERGJ LEKA, 60-VJETORI I NJË ARTISTI

Një jetë e gjitha intensive, tejet profesionale nga fëmijëria, adoleshenca, rinia, e mbushur me krijimtari, emocion, befasi, kujtime. E tillë është ajo e një artisti, kompozitori të talentuar dhe shumë popullor, Gjergj Leka. Nga krijimet e para, pastaj dirigjent në Estradën e Shtetit, në televizion, as 17 vjeç. Largimi për në Itali, koncertet me Rita Pavonen, i Pooh, Mara Venier, deri te rikthimi. Gjithçka në 60- vjetorin e lindjes, shoqëruar me 45 vite karrierë, si tingujt e tastierës së një pianoje, që sa herë ta prekësh, dëgjon një notë, një tingull, ku qëndrojnë sekretet, të pathënat e një muzikanti, vështirë të gjesh fillimin apo fundin, pasi e tillë aktive, energjike pa ndërprerje vazhdon të jetë edhe sot ajo e kantautorit të njohur. Në një rrëfim të gjatë për “Panorama”, Leka nuk harron të thotë: “Vaçe Zela më ka dashur shumë, i vogël isha kur pranë saj e dëgjoja të këndonte me kitarë”. Pastaj shton: “Në koncertet e mia nuk ftoj asnjë politikan”. Duke treguar edhe projektet e afërta që ka: “Erdhi Estrada”, “La Corrida”, bashkë me “Netët e familjes shqiptare”, janë disa.

Z. Leka, diçka për lexuesit, si lindi pasioni për muzikën?

Që në moshë 3-vjeçare, kur nëna filloi të më mësonte pianon, pasi ishim një familje me piano në shtëpi, falë origjinës së gjyshes, nënës së mamasë, Nathali Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare, mexosopranoja e operës, gjithashtu edhe pasionin e madh të babait, edhe pse ai i përkiste një tjetër fushe, fizikës dhe filmit audioviziv. Duke futur brenda edhe tezen, Zhuliana Jorganxhi, mbretëreshën e teksteve shqiptare. U bë normale për mua të zgjohesha në mëngjes duke dëgjuar Puçinin nga një magnetofon me shirita që kishim, i markës “Geloso”. Bashkë me mundësinë të shfletosh literaturën për të studiuar, kur vetëm Opera e kishte në atë kohë, se nuk përhapeshin kudo. Pra, ishte familja në atë fillim, edhe pse nëna, babai kanë ndërruar jetë, bashkëpunimi familjar vazhdon edhe sot, ai me Zhuliana Jorganxhi.

Kënga e parë që keni kënduar, ju kujtohet?

Jo vetëm kënduar, por edhe kompozuar. 9 vjeç kam qenë, në klasë të dytë, shkolla “20 vjetori”, kur mësuesja e muzikës, Meriopi Gjebrea, nëna e Ardit Gjebresë, më thotë: “Më bëj një këngë për festën e shkollës”. Me tekst të Zhulianës, krijova atë për dëshmoren Dylbere Bylykbashi. Ekziston edhe sot kjo këngë, me një incizim të vjetër të asaj kohe.

Fillimet e ke shumë aktive, ndonëse shumë i ri, një gjimnazit?

Kam qenë në gjimnazin “Sami Frashëri”, 16 vjeç, kur fillova në televizion, Estradën e Tiranës, aty kur edhe krijova formacion e parë. Mendoni dirigjenti i Estradës, me recitalet, këngëtarë, aktorë të njohur, ku unë isha më i vogli midis tyre. Flasim për vitet 1976-‘77. Ende pa shkuar në Liceun Artistik, pasi ma nxorën, më vonë, kur isha në vitin e parë te “Samiu”. U hap një klasë speciale kantoje, ku ishin Pirro Cako, Inva Mula, Ardit Gjebrea. Me këtë rast përfitova dhe unë, por më futën për oboe. Ai ka qenë një brez shumë i mirë në Liceun e atyre viteve, shokë me njëri-tjetrin, të tillë kemi mbetur edhe sot.

Familja nuk dëshironte të merreshit me muzikë të lehtë?

Nëna ime nuk donte të merresha me muzikë të lehtë. Por unë, duke qenë pak i prapë, qëndroja me shokë më të mëdhenj, artistë të asaj kohe, si Demokrat Shahini, bateristin e njohur Xhekun e shkretë, Edi Xhanin, etj. Fitonim edhe para se shkonin në mbrëmje, në dasmat e asaj kohe, kënaqeshim. Të nesërmen në shkollë, unë flija në klasë. Dhe kjo ishte një problem për familjen time, që po merrja një rrugë jo të mirë. Babai im i shkretë, më vonë më ka thënë që “me ty kemi gabuar”. Do të ishe bërë një artist i zakonshëm, po të mos kishe vazhduar muzikën e lehtë.

Nxënës në Lice, në Estradë, TVSH, kudo, si e organizonit gjithë këtë aktivitet?

Të gjitha i kam bërë njëkohësisht. Liceu ishte paradite, që e kisha problem, se nuk shkoja në shkollë, pasi shfaqjet ishin në mbrëmje, pastaj provat, më shumë më ka parë shkolla mua se unë atë. Sa herë i përjashtuar për mungesat, por mësuesit më kanë dashur, ndër to Diana Ziu, që nuk më ngacmonte. Në muzikë isha shumë mirë, në lëndët e tjera jo. Nuk u shkëputa nga Estrada, vazhdoja, madje e shtova aktivitetin, krijova një formacion të vogël muzikor me tunxhe. Për herë të parë u bë një tip Big Band-i. Njerëzit i zgjidhja në audicione, asnjë nga emrat e mëdhenj, se disa prej tyre i kishte radioja, opera. Ne bënim të gjitha recitalet, çfarë kishte Estrada. Pastaj incizimet për anketat, koncertet e pranverës etj. Në televizion kisha programe. Orkestra ime edhe nga ana ekonomike fitonte shumë. Në ato fillime, ndonëse të gjithë ishin më të mëdhenj se unë, marrëdhëniet ishin miqësore, pavarësisht se kishte prej tyre që edhe më snobonin, duke thënë “të shohim ky kalamani çfarë do të bëjë”. Pastaj dekadat e majit, isha në Lice, flija në klasë. Por kisha edhe shumë përkrahës. p.sh., mbaj mend në Estradë, Sulejman Dibrën, drejtorin, që doli edhe kundër Komitetit të Partisë që nuk donin të më linin”, jo i tha, ky na bën punën”. Po ka qenë edhe drejtori i TVSH-së, Cajup Rusmajli, ose më vonë Marash Hajati, Virgjil Kule, të cilëve u jam shumë mirënjohës Por, kjo periudhë mua më ndihmoi shumë.

Më folët për disa marrëdhënie, pak ndryshe ato midis artistëve?

Në marrëdhëniet artist me artist historikisht ka pasur probleme. Më shumë ne kemi bërë sikur ishim miq. Në art, aq vende pune ishin, dhe bërrylat ekzistonin. Sot, nuk ka më bërryla sepse ka mundësira të tjera artistike dhe sociale. Unë miqësitë më të mira nuk i kam pasur në art, por me anën intelektuale të Tiranës, ku edhe mblidheshim, rrinim.

Ke orkestruar, një fat i madh gjykoj…

Këtë nuk e kuptojnë artistët sot, që në atë kohë të kishe një orkestër ishte tamam si një laborator që ti mund të eksperimentoje. Jo si sot që e shkruan kompozicionin me kompjuter, e jo me laps. Sa herë jam kam kthyer orkestracionin orkestrës kur nuk tingëllonte mirë. Sepse shkolla të jep ca gjëra, por nuk të tregon sekretet. Ishte një eksperiencë që më shërbeu kur arrita të orkestroja më pas jo vetëm këngët e mia, por edhe ato të profesorëve të mi.

Thonë se je i vetmi që nuk ke bërë këngë për Partinë?

Jo, kam bërë dy. Madje, kompozimi im i parë është ai mbi anketën e radios, një këngë për 1 qershorin. “Në festën tonë Partinë urojmë”, me tekst të Zhulianës dhe unë kam qenë në klasë të tetë. Kjo mund të quhet si kënga e parë.

A mund të na thoni cilat janë këngët tuaja më të bukura?

E kam të vështirë, por pa më të voglin dyshim janë ato ku u kërkoj ndjesë prindërve: “Duart e nënës”, që fitoi Festivalin e Pranverës, me Bashkim Alibalin si dhe “Për ty baba”, që janë këngë direkte për njerëzit më të dashur. Por, ama, një këngë tjetër fituese, ajo me Parashqevi Simakun “Bashkëmoshatarët”, që u bë edhe himni i Kavajës kur filloi lëvizja për demokraci. Pastaj “Tropojani”, që kishte një mesazh të fortë ndaj racizmit.

Ku bazohen tekstet e kompozimeve tuaja?

Jam munduar të mos jenë tekste pa motiv, bosh dhe jo me porosi. Kam preferuar si tekst poezitë e mrekullueshme të Kadaresë dhe veçanërisht të Zhulianës me ngjarje të vërteta.

Flasim pak për koncertin e Mira Konçit ku kam qenë i pranishëm, çfarë ishte ai eveniment?

Ai u dha në fund të viteve ‘80-të, një periudhë e vështirë pas vdekjes së Hoxhës. Dhe bëri bujë edhe për faktin se si një vajzë gjimnaziste si Mira mund të jepte një koncert të tillë. Ishte befasi për të gjithë. Ka qenë Virgjil Kule që dha urdhër, bashkë me Kadarenë, që insistuan të dilnim, që u bë koncerti. Mbaj mend që drejtori i Operës na mbylli derën, si mundet të jepet kjo shfaqje kundërshtonte. Me këngë shqiptare e të huaja, Mira ka kënduar “Questo piccolo grande amore” të Baglionit, ndërsa unë “Let it be”, “Uomen in Love”, “Pardonne moi” të Mirel Matje etj. U bë nami, u kritikua nga gazeta “Drita” c’është ky koncert ku shkruhet me drita emri Mira? Nuk e di Komiteti i Partisë këtë gjë? Po të mos ishte Virgjil Kule, unë do të isha harruar. Ai koncert kërkohej më pas nga njerëzit ta shihnin, por e dogjën shiritin pa lënë asnjë gjurmë. Vetëm Edmond Cakalli ka ruajtur një incizim, që e ka bërë vetë atë mbrëmje.

Përmendët Virgjil Kulen, pse, çfarë lidhje ka ai në ato vite?

Duhet të ketë qenë vitet 1986-‘87, një kohë delikate, kur Virgjil Kule u emërua drejtor i televizionit. Ishte një kohë periudhë që nuk kishim as tela kitareje. Lëkurat e baterive ishin tejet të konsumuara, të grisura. Me lëkurë dhie kemi dalë në festival, Xheku i shkretë vetë baterist, gjente lëkura dhie dhe i vendoste te bateritë. Me ardhjen e Xhilit, TVSH-së i ndryshoi pamja, grafika televizive, e folura, jo më moral, kur ne na bënim moral tërë ditën. U blenë kamera, instrumente të reja, deri edhe ndriçimi ndryshoi në radio televizion. Xhili i dha një frymë tjetër, modernizoi, madje u kritikua deri sa e hoqën.

Vjen largimi për në Itali? Cili ishte motivi?

Jemi larguar menjëherë pas koncertit të Mira Konçit, falë ndihmës së ambasadës italiane që na kishte siguruar vizat. Rregulluam disa vërtetime, sikur do iknim për koncert. Ngelëm në Zvicër. Disa qëndruan, disa u kthyen, unë kalova në Itali. Ky ishte hapi i parë drejt botës tjetër, por unë me origjinat e mia italiane ishim në pritje të dokumentacionit që erdhi më vonë, pas të cilit ikëm përfundimisht në Itali.

Cilat janë fillimet e jetës italiane, njohjet, vështirësitë?

Menjëherë gjeta punë në të parin restorant. Që kur vura duart në piano, kur dikush pas shpine më tha: Kur mund të vish të fillosh? Përballja me artistët italianë më dha të kuptoja që ne për shumë gjëra, sidomos nga ana muzikore, ishim shumë lart. Nga Trieste shkova në Milano. Atje kam punuar ngushtë me Rita Pavonen dhe Tedi Renon, burrin amerikan të saj, një ndër talent scout-i më të njohur të Italisë. Në atë periudhë kujtoj se kemi bërë disa koncerte. Ata u bënë shkak që u njoha me grupin muzikor “I Pooh”, me të cilët kam bërë një koncert në Trieste. Bashkë me ish-gruan time, Edën, këngëtare, gjatë një viti në turnetë e tyre ne hapnim koncertin.

Kam një kuriozitet, cili ishte motivi që u kthyet në Shqipëri?

Shkak u bë Ardit Gjebrea. Bëhet fjalë për një Koncert në 2005, “Të Dua”, për Shën Valentinin. Ishte “Tv Klan” që e organizonte dhe unë kam ardhur me gruan e asaj kohe, vajzën, Dorina, konkurruese edhe në “X Factor”, që këndonte dhe unë me bendin tim. Shfaqja ka qenë në Pallatin e Kongreseve. Aty m’u bë propozimi për “Star Akademi”, ku fillonte në atë sezon. Mendova po mbaroj dhe të rikthehem në Itali, por mbeta. Duke mbajtur gjithmonë punën, deri në 2009, një javë në Itali, një javë këtu.

Je shumë kritik, lidhur veçanërisht me të drejtat e autorit, pse?

E drejta e autorit vërtet është një problem këtu në Shqipëri. Unë kam gjysmën e arkivit të TVSH-së dhe marr 500 mijë lekë të vjetër në vit, si e drejtë autorit. Kur vetëm për daljet që unë kam bërë në katër “Premio dell Tv italiana” me Mara Venier, kam edhe videot, që kam bërë në “Rai 3”, më vijnë 3 mijë euro në muaj.

Jeni një ndër organizatorët dikur të festivaleve të këngës në Radio Tv. Si ju duket sot kjo veprimtari artistike?

Gjykoj se problemi kryesor për një festival është nëse do të provoje të hiqje Eurovizionin dhe do ta shohësh që festivali do të kthehet si dikur, sepse të gjithë përpiqen të shkojnë atje. Kam qenë autor, kam organizuar festivale, në atë kohë kur përgatiteshin 7 muaj përpara jo si sot që mjaftojnë dy javë. Festivali kryesor ka pasur dëgjimet, bëheshin mbi 5, 6 të tilla, pastaj komisioni i parë, i dytë, i tretë, etj. Ne bënim orkestrimin e këngëve, pastaj i marrte ajo simfonike. Ka qenë shumë e organizuar. Deri tek anketat. Shikoj sot klasifikimet, kush i bën, me çfarë të drejte, kriteresh, kush je ti? Hit Parade e bën populli. Dhe aty vendos gjithë këngët shqiptare. Jepja publikut t’i zgjedhë jo të zgjedhësh ti, se ti nuk ke treg.

Një konsideratë për këngëtarët e brezit tuaj, sot thuajse të harruar?

Në Itali këtë e kanë zgjidhur. Shiko çfarë bëhet me këngëtarët me eksperiencë se unë nuk i quaj të vjetër. Shihe Sanremon, baza janë ata. Nuk ekziston një Sanremo pa këto figura. Dhe i luten për të shkuar dhe me pagesa dhjetë herë më të larta se të rinjtë. Kurse ne këtu i kemi lënë me 14 mijë lekë të vjetra pension. Aq e ka edhe Zulian Jorganxhi, që kur e kanë marrë vesh në Itali, i kanë siguruar ata një pension. Nuk e kam turp ta them, më është bërë si mision, por kanë lotuar këtë këngëtarë të vjetër, kur i kam nxjerrë në skenë, se në ekran nuk kanë dashur të dalin. Për kaq e ka problem ky shtet? Ata nuk kanë nevojë për para, se ato i gjejnë vete. Edhe biletat nga jashtë kur kanë ardhur, i kanë paguar vetë.

Çfarë mendoni në lidhje me median, atë të kulturës në këtë rast?

Gazetarja e parë që më ka ndjekur kur kam ardhur dhe që nuk ka gënjyer kurrë, ka qenë dhe mbetet Zefina Hasani. Një gazetare e shkëlqyer. Sot ndihet mungesa e gazetarëve të mirëfilltë të kulturës.

Dikur ishit protagonist me “Koha në pentagramin tim”, tejet i ndjekur në ekran?

Ka vite që në televizionin shqiptar nuk ekziston një program i tillë. Ti ke sot figurat më të mëdha të artit shqiptar që janë harruar artistikisht, kur të gjitha këngët e atyre, i kam orkestruar me orkestrën time. Agim Krajka, perlat me muzikë i ke aty, ndonëse nga 40 të tilla, kanë mbetur vetëm 8 o 9, të tjerat janë zhdukur.

Shumë flitet për heqjen e repertorit të këngëve, deri edhe filmat e Kinostudios të asaj kohe?

Atëherë kishte probleme të tjera, propaganda etj. Sot dëgjoj që bëhet ky diskutimi të mos jepen filmat e asaj periudhe. Po pse filmat italianë të periudhës së fashizmit, Duçes, duhet t’i heqin? Ajo tregon pikërisht mentalitetin e një kohe, si dokumente të rralla. Si mundet të heqësh këngët, se kanë fjalën “partizani”, kështu e luftove komunizmin ti?

“Na ishte njëherë muzika”, një program tejet e ndjekur…

Kur e nisa e mendova vetëm për 6 muaj, i nxitur edhe për t’u thënë disa shokëve të mi, se bëhet edhe kjo. Por është viti i pestë që po e bëj dhe sa vjen shtohet shikueshmëria. Të tjerët harxhojnë miliona për të bërë publicitet, unë nuk kam bërë një poster në jetën time. Vetëm me lajmërime më mbushen mjediset. E kam problem një koncert kur zgjatet me orë, se nuk më ikin njerëzit. Dhe kjo është një gjë e madhe shumë.

Një bashkëudhëtim i gjatë artistik edhe me kolosët e muzikës, ndër to Vaçe Zela?

Me Vaçen kam punuar që i vogël. Ajo ka qenë në konvikt me Zhulianën, Elena Kadarenë, dhe unë pranë tyre kur këndonte me kitarë. Shkruanin tekste që asokohe, këngë që unë po ia kërkoj Zhulianës që t’i nxjerrë. I mbaj mend, edhe pse isha fëmijë. Por Vaçja ishte gjë tjetër. E adhuronte tipin tim. Pastaj ishim miq, ka qenë një grup artistësh me shumë autoritet, jo vetëm skenik, por edhe në jetë. Po Ema, Luani, Tonini, të gjithë të asaj kohe, nuk ke kujt t’i vësh gishtin. Populli ta bënte ndarjen, figura e tyre respektohej. Ti nuk ke sot një artist të staturës së atyre viteve, nuk ekziston. Amerika, e gjithë bota, artistët e vjetër i kanë ikona. Artistët e njohur në botë kanë grupet e tyre, cover, që i imitojnë. Kemi në këtu cover të Luan Zhegut, Vaçe Zelës, Ema Qazimit. I kanë harruar. Nuk futen për kanton lirike femra, se duan të shkojnë në dasma. Sot nuk krenohesh dot me një këngëtare, se më të mirat që kishe i ke të gjitha dasmaxhie. Sot, një i ri i talentuar që del nga shkolla nuk do të bëjë muzikë.

Si mundet të rikthehemi tek ata artistë, me vlera të mëdha jo vetëm nostalgjike?

Në momentin që bën një artikull, jep një koncert, u jep shpresë të gjithë këtyre. E dini sa kam zgjuar nga gjumi deri tani? Brenda këtyre dy vjetëve me qindra nga këta artistë. Më kanë ardhur nga Korça, nga Italia, të ikur edhe nga mërzia. Tani dua të sjell edhe aktorët e humorit. Prandaj dua të bëj një Vit të Ri shembull, që po e zbuloj për “Panorama”. “Erdhi Estrada” do ta quaj. Janë akoma gjallë mjaft prej tyre. Do t’i vendos me dy epoka. Ka filmime origjinale të tyre. Zef Dedën që bën “shoku Xhemal, shoku Xhemal” dhe Zef Dedën sot që qan kur sheh veten e vet, që as nuk e transmetojnë. Pra, nxirri në skenë.

Përveç “Erdhi estrada”, diçka tjetër mundet t’i tregosh lexuesit, admiruesve, lidhur me projektet e tua surprizë?

Kam në projekt, “Netët e familjes shqiptare”. 6 muaj do të zgjasë. Do ta bëj vetëm për familjet, për ato që nuk kanë mundësi ku të shkojnë. Tek “Ullishtja”, pa biletë, të ftuar rreth 150 vetë. 5 herë në javë: 1 ditë opereta, një ditë të kthejmë vallëzimin, tangon, valsin, se nuk ke një vend ku të kërcejë një çift. Një natë tjetër do të kthej këngën e muzikës së lehtë shqiptare të viteve ‘60, ‘70. Një natë vetëm promovimin e “Talentit pa moshë”, t’i jap skenën të këndojë atje, një “La Corrida” siç bëhej dikur në Itali.

Vijmë te koncerti juaj i fundit, “Mirënjohje”

E quajta “Mirënjohje”, sepse më koincidonte me 60-vjetorin e lindjes dhe me 45 vjet karrierë, 45 vite në skenë. Gjykova se ishte momenti që t’i përshëndesësh ti ata, një minimum, që ti i kthen, i jap unë publikut që të ka ndjekur. Ftova 100 vetë. Në atë koncert ishin edhe disa mësues të liceut, të tjerët që janë jashtë nuk mundet të vinin.

Një formë recitali?

Jo se nuk ishte për veten time, por një mirënjohje për të ftuarit. Koncerte recitale unë jam kam bërë e vazhdoj t’ua bëj atyre që nuk kanë asgjë përveç asaj muzike, të cilën ua ofroj, që ato mundet të këndojnë e të ndiqen kudo. Si ato gjatë verës për Alida Hiskun, Kozma Dushin, Liljana Kondakçiun, etj. Dhe kam bërë gjënë më të mirë. Edhe si një stefetë për brezat, artistët e rinj. Kanë prerë bileta nga Amerika për të ardhur. Artisti ka nevojë për mirënjohje. Recitalin për veten time do ta bëj kur ta ndjej që është fundi i karrierës.

Një fakt Z. Leka: Nuk ka një angazhim nga brezat e artistëve, kompozitorë, këngëtarë, të njohur të atyre viteve? Pse?

Mendoj se në duhet të bëjmë gjithçka, aq sa kemi mbetur, se nuk jemi pak. Mos e gjyko intelektualin, nuk ka forcën të ngrihet të protestojë për artin, e ka neglizhuar atë, kaq mjafton dhe kjo është një lloj proteste. Si unë që vazhdoj shkruaj muzikë, ka shumë artistë, por që nuk ulen t’i rikthehen asaj. E kanë braktisur muzikën, vijnë largohen, vijnë, nuk merren me të. U them shokëve të mi, pse nuk shkruam muzikë? “E kanë katandisur më thonë”. Jeni ju të parët që e keni braktisur, prandaj ajo është katandisur i them.

Keni datëlindjen, si do ta festoni?

Ditëlindjen nuk do e festoj, pasi jam në Ulqin, Podgoricë, më kanë zgjedhur kryetar të një jurie, në një eveniment madhor që po bën Mali i Zi për brezin e vjetër të këngëtareve. Dhe kanë përcaktuar nga çdo shtet ata njerëz e artistë që merren me këtë punë.

Në mjaft koncerte tuajat kam vënë re se nuk keni të ftuar politikanë?

Nuk i ftoj, se bëj dëm, pasi jam i bindur që të gjithë e shfrytëzojnë ardhjen aty edhe si publicitete për fushatat e tyre. Madje, edhe mjaft artistë, nuk i ftoj, se këtu te ne edhe mjaft prej tyre janë të lidhur me politikën.

Gjergji Leka, Elvis Presli shqiptar, si do ta mbyllte intervistën e 60-vjetorit?

Bëj humor me veten time e di çfarë doja për moshën time? Në një kafene të Bathores të kisha një bustin të vogël timin, kaq, meqë i kam kënduar Tropojës. Pastaj dua të falënderoj admiruesit, miqtë e mi, brezat e paharruar, veçanërisht televizionin “News 24”, “Ballkanweb”, të vetmet me të cilat vazhdoj të punoj, bashkëpunoj, pikërisht atë ekran ku lindi “Na ishte njëherë muzika”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Të mirët e Krahinës tonë të bukur Himarë...

1566-1608/ Një për të gjithë… Të gjithë për një…