MENU
klinika

Romani autobiografik

NOBEL në letërsi shkrimtares franceze

06.10.2022 - 13:50

          “Të shkruash, pa menduar se ç’do të thonë të tjerët: kjo është çfarë kërkoj. Në qetësinë brenda katër mureve, vetëm, për të luftuar kundër jetës së gjatë, të të vdekurve”

Në gjuhën shqipe, Ernaux ka ardhur me tre tituj: “Kujtime vajze”, “Pasion i thjeshtë” dhe “Vendi i babait”.  Ndër autoret më të rëndësishme të letërsisë bashkohore në Francë, Annie Ernaux është shkrimtare dhe lektore letërsie. Vepra e saj letrare, kryesisht autobiografike, paraqet lidhje të ngushta me sociologjinë.

Viti 1974, shënon edhe startin në botën e letrave, me “Les Armoires vides” (“Cleaned Out”); roman ky, autobiografik.

Në vitin 1984, fiton çmimin “Renaudot”, për një tjetër nga veprat autobiografike “La Place” (“Vendi i babait”), një rrëfim autobiografik që fokusohet në marrëdhënien me të atin dhe përvojat e saj, duke u rritur në një qytet të vogël në Francë, si dhe procesin e mëvonshëm të lëvizjes, në moshë madhore dhe larg vendit të origjinës.

Shkrimtarja ishte në listën e ngushtë, por të preferuarit ishin Houellebecq dhe Rushdie. Akademia Suedeze i akordoi shkrimtares 82-vjeçare, çmimin “Nobel”, për: “guximin dhe mprehtësinë klinike, me të cilën ajo zbuloi rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.

Nobelistja e parë franceze, prej vitit 2014 (kur fitues, ishte Patrick Modiano) dhe e 16-ta në historikun e çmimeve, një nga favoritët e vendit të saj.

Ajo lindi në vitin 1940 dhe u rrit në një qytet të vogël në Normandi, Yvetot. Pas studimeve në Universitetin e Rouen-it, dha mësim në shkollën e mesme, ndërsa nga viti 1977 deri më 2000, si profesore pranë Qendrës Kombëtare d’Enseignement par Correspondance. Debutimi letrar do të niste në vitin 1974, por ishte libri i katërt i shkrimtares, “The Place”, që e bëri atë të njohur. “The Years” i solli çmimin ‘French Prix Renaudot” dhe një vend në listën e ngushtë, për “Man Booker International 2019”.

“Puna e saj është pa kompromis dhe e shkruar me gjuhë të thjeshtë dhe të qartë” – shtoi Olsson.  “Sa herë që ajo, me guxim të madh dhe saktësi klinike, zbulon ankthin nga përvoja e saj, duke përshkruar turpin, poshtërimin, xhelozinë ose paaftësinë për të parë se kush jeni, arrin të jetë e admirueshme dhe e përjetshme në përshkrim.”

Në vitin 1963, kur atëherë 23-vjeçare, Annie Ernaux mëson se është shtatzënë, turpi e pushton si një murtajë. Është beqare dhe e di se, një shtatzëni e padëshiruar do ta stigmatizojë, atë dhe familjen e saj. Në kushte të paligjshme, ajo kryen abort, duke rrezikuar jetën. Disa vite më vonë, ajo do t’i hedhë në letër kujtimet, duke u përpjekur të kuptojë se pse kjo përvojë e shënoi aq shumë, aq thellë. Ngjarja është historia e asaj traume, një traumë që nuk kaloi kurrë.

Filmi i “Luanit të Artë” në Festivalin e Filmit Venecie 2021, u bazua në të njëjtin libër.

“Historia e një gruaje”, “Vendi i babait” dhe “Pasion i thjeshtë”, u njohën si librat e saj më të mirë, nga “New York Times”. Ajo u nominua për çmimin ndërkombëtar “Booker” më 2019, për “The Years”. Shumë prej veprave të saj, janë përkthyer në anglisht dhe botuar nga “Seven Stories Press”.