Evi Kokalari është zemëruar me Sali Berishën padrejtësisht. Akoma më e padrejte është që ajo është zemëruar pse Berisha i ka shkatërruar pritshmërit për konservatorizëm dhe demokraci brenda PD.
Një vit më parë Sali Berisha nuk kishte nevojë për ide për të bërë një parti të re. Ai kishte nevojë për ide se si të rikthehej në krye të PD, duke maskuar luftën kundër SHBA me luftën kundër Lulzim Bashës. Për këtë i nevojiteshin aktorë të tipit Kokalari, e cila vlente të forconte tezën se “non grata” e Berishës ishte vepër e demokratëve, pasi “republikanët janë me të”.
Nuk është se kjo tezë ngjiti tek njerëzit normal, por “Foltorja” në fakt ngjante m një shtojcë të “pavionit nr 5 dhe ata duheshin ushqyer me marrëzira të tilla. Berisha ishte i qart për këtë dhe Kokalari ishte njeriu i duhur, në paqartësinë e saj, për ta bërë këtë.
Në rrugë e sipër ajo besoi se mund të induktonte “Foltores” dhe teza konservatore, madje në fillim dhe teza konspiracioniste si ato kundër vaksinimit. Berisha nuk ja prishi qejfin dhe e la të besonte se po e dëgjonte. Thjesht Sali Berisha nuk ka nevojë për ndonjë program partie, as për ndonjë drejtim të ri ideologjik të saj. E vetmja gjë që shtoi në ideologjinë e tij ishte “sovranizmi” dhe ajo si një mënyrë për të justifikuar betejën me SHBA.
Por paradoksi i Kokalarit ishte beteja me rivalët e saj të rinj brenda “Foltores”. Të rinjtë që i janë bashkuar Berishës, janë shumë më të qartë se Kokalari për qëllimet e tyre. Ata nuk i janë bashkuar Berishës se besojnë Berishën. Nuk i janë bashkuar as se besojnë që Lulzim Basha nuk bënte zgjedhje demokratike dhe Berisha do bëj.
Belind Këlliçi është ndoshta udhëheqësi i vetëm politik i PD i zgjedhur me një proces tërësisht demokratik në Partinë Demokratike për tu pasur zili dhe nga partitë e tjera. Lulzim Basha ka pranuar fitoren e tij, edhe pse ishte haptazi mbështetës i Salianjit rivalit të tij. Gara ishte tërësisht demokratike, e ndershme dhe vitalizuese për PD. Ndoshta e vetmja në historinë e shëmtuar demokratike të asaj partie. Ajo natyrisht nuk ka asnjë lidhje me garën e fundit për forumin rinor, e cila nuk është e manipuluar përsa i përket votave të fituesit, por është një garë në shkretëtirë. Duke qenë garë në një parti pa anëtarë, ajo ngjan e stimuluar dhe e pashpresë.
Por nëse do ishte garë reale në një parti më të shëndetshme si në kohën që u zhvillua gara e Këlliçit me Salianjin, natyrisht që fituesi do ishte i njëjti, pasi duket më i aftë se të tjerët. Por kjo nuk ishte garë, pasi Berisha nuk ka bërë një parti për garë.
Të rinjtë që janë në “Foltore” ndryshe nga Kokalari nuk presin të bëhet partia konservatore, apo të ketë primare si ato amerikanet. Ata presin të ik Sali Berisha e të jenë aty për tu thënë demokratëve se ne nuk e “tradhtuam shokun Enver”. Janë pak a shumë si ramizistët e vitit 1990.
Vet Kokalari ka tentuar të përdor ndikimin e saj në Foltore për ti larguar nga strukturat e Këshillit Kombëtar apo Kryesisë me metoda jo shumë të ndershme dhe Berisha po ashtu ja ka pranuar. Atij nuk i interesojnë fare ambiciet e atyre që ka pas vetes. Atij i duhen për ilustrim të planit të tij për të mbijetuar përballë SHBA. Kokalari i duhej si “amerikane” konservatore, Këlliçi dhe të rinjtë për mbushje radhësh, duke menaxhuar pakënaqësitë e tyre ndaj Bashës dhe të tjerët për mbushje sheshi.
Ndaj nuk ka vend për zemërim me Sali Berishën. Atij i duhet vula e PD dhe mbajtja peng e saj, me shpresë se SHBA do trokas një ditë në derën e tij, sa të jetë gjallë. Të gjithë ata që e kanë besuar se kjo do të ndodh natyrisht janë budallenj.
Ata që nuk e besojnë por i bashkohen për objektivat e tyre, janë racionalë në ambiciet e tyre.
Të parët janë të keqpërdorur nga Berisha. Të dytët janë duke përdorur Berishën dhe ai ata. Por të gjithë janë në një anije kapiteni i së cilës është i dënuar me vdekje politike. Varet e beson tek pavdekësia e tij, apo shpreson tek vdekja e tij sa më e shpejt.
Në fakt kur je i ri të falet të besosh tek një ideal, e më pas të zhgënjehesh. Paradoksi aty është se të rinjtë e Berishës, nuk hyjnë tek kjo racë edhe pse kanë moshën, kurse Kokalari që ka moshën e konservatorëve, po sillet si një adoleshente e zhgënjyer nga dashuria për të.