MENU
klinika

“Ngadalë! Ngadalë!”

Poema e jetës! Robert Frost…

03.10.2022 - 16:55

        Ky fillimtetor, na kujton një poezi simbolike vjeshtës, nga autori i madh amerikan, Robert Frost. “Tetori” janë vargjet për kohën. Poeti i madh modernist amerikan, katër herë fitues i çmimit “Pulitzer”, mbylli në atmosferën melankolike të këtij muaji, një reflektim të thellë mbi jetën dhe kalimin e saj. Përshkrimi i peizazhit të natyrës i kapur në mrruhjen e ngadaltë të saj, i hap rrugën një vizioni metaforik që përkthehet në një himn të fuqishëm për forcën e jetës. Prandaj, vjeshta e Frostit është simbolike, ajo bëhet një paraqitje e ekzistencës e përjetësuar në çastin e papërsëritshëm të rrjedhës së saj./Konica.al

Tetori

O butësi e heshtur e mëngjesit të tetorit,
gjethet e tua janë zverdhur drejt rënies;
era e së nesërmes, nëse do të jetë e fortë,
do t’i çojë dëm pa dallim të tëra.
Korbat sapo të dëgjojnë thirrjen e pyllit;
nesër do të bëhen bashkë dhe do të ikin.
O butësi e heshtur e mëngjesit të tetorit,
nisi ngadalë orët e kësaj dite.
Bëje ditën të na duket më pak e shkurtër,
zemrat jo kundër për t’u gënjyer,
na gënje në mënyrën që di veç ti,
lëshoje një gjethe kur dita të gdhihet.
Në mesditë lëshoje edhe një tjetër;
njërën nga pemët tona, tjetrën në largësi,
ndadalësoje diellin me atë të butë mjegull,
magjepse tokën me gurin ametist.
Ngadalë, ngadalë!
Për hir të rrushit nëse ende ka mbetur,
gjethet e të cilit tashmë janë djegur nga ngrica,
vilet e tij do të humbin diku tjetër-
për hir të rrushit në murin e shtëpisë.

Ashtu si shumë poezi të tjera të Robert Frostit, edhe “Tetori” bazohet në përsëritje, duke i rikthyer lexuesit hijeshinë hipnotike të këngës.

Poeti amerikan ia beson këngën e tij të shpresës përsëritjes së ëmbël të fjalëve të lidhura zinxhir nga rima e asonanca: i thotë muajit tetor të ecë ngadalë, të kalojë ngadalë.Eulogjia për mëngjeset e buta të arta dhe të heshtura të këtij muaji është një përpjekje për të vonuar ardhjen e afërt të dimrit, që do të sjellë vdekjen në fshat. Atmosfera e evokuar nga Frost me fjalët e tij të ëmbla “mëngjes i butë” të kujton një dimension të pezulluar, pothuajse mistik. Tetori është një ndërprerje e shkurtër mes ardhjes së vjeshtës dhe fillimit të dimrit, është pararojë e stinës më të vështirë që do t’i zhveshë pemët nga gjethja dhe do t’i bëjë fushat djerrë, duke i ngrirë me ngricat e tij. Poeti kërkon që dita të zgjasë më shumë dhe të mashtrojë njeriun për kohën e shkurtër të jetës, në mënyrë që ai të përfitojë vërtet nga ajo para se të vdesë.

“Tetori” mund të lexohet si një poezi ekzistenciale.

Vjeshta është stina e pritjes, ndërsa dimri bëhet metaforë për vdekjen, për fundin. Referenca për gjethet që tashmë “e nesërmja mund të largohet”, nënkupton natyrën kalimtare të jetës dhe ndryshimin e vazhdueshëm që kjo sjell. Gjithçka ndryshon në mënyrë të pashmangshme dhe madje ngjyrat e bukura të ngrohta të vjeshtës janë të destinuara të zbehen. Ftesa e Frostit është të shijojmë plotësisht çdo çast, mëngjesin e butë dhe të artë të tetorit dhe të mos e marrim si të mirëqenë as edhe një sekondë të ekzistencës sonë, sepse në atë moment të shkurtër, ka një gjethe tashmë të këputur nga era që do të bjerë. Në vargjet e fundit, reflektimi i Robert Frostit përqendrohet në sigurinë se në natyrë asgjë nuk është e përjetshme, përkundrazi është në ndryshim të përhershëm, duke kaluar nga një gjendje në tjetrën, nga një formë në tjetrën. Por vdekja e gjërave është e vështirë për t’u pranuar, për këtë arsye poeti kërkon që në tetor të ecë ngadalë, të jetë i ngadalshëm siç e dëshmon thirrja e përzemërt “Ngadalë! Ngadalë!”.

Përmes fjalëve, Robert Frost kryen të njëjtën magji hirëplotë, përpiqet të krijojë një rrjet të fortë iluzionesh, një lloj velloje të majave. Ndaj e fton mjegullën e vjeshtës të mbështjellë tokën si ngjyrë vjollce e ametistit dhe të vonojë zbehjen e dritës. Së fundmi, ai e percepton me shqetësim në rritje rrjedhën e jetës së vdekshme dhe për këtë arsye kërkon kohë për të ngadalësuar, për të qenë i mëshirshëm, për sa kohë që e lejon të jetojë plotësisht çdo moment të asaj drite të ëmbël e destinuar të venitet. Në mëngjeset e arta të tetorit, reflektimi i fundit i një vere të vonë, Frost sheh një ide të jetës, në kundërpeshë nga përparimi i paepur i dimrit, që në vend të kësaj përfaqëson, në gjuhën e stinëve, fundin e një cikli jetësor. Megjithatë, fjalët e poetit marrin një shije të hidhur, sepse Robert Frost e di se, gjethet dhe rrushi do të bëhen identike vitin e ardhshëm, ndërsa kjo nuk i lejohet fatit të vdekshëm./Konica.al

 

*Vargjet, përkthim i Kujtim Morinës

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Më lër të jetoj, të dua dhe t’i them siç duhet në fjali të mira"

Kanë thënë mbi të shkruarin…

Çështje "personale"

Përse shkruajmë dhe pse jo