MENU
klinika

Ritëm fantastik

Rekordet që mund të thyejë Haaland gjatë sezonit

03.10.2022 - 17:30

Erling Haland e ka nisur karrierën me Manchester City duke vendosur disa rekorde këtë sezon. Në Premier ka shënuar 14 gola në 8 ndeshjet e para, ndërsa në total ka shënuar 17 gola në 10 ndeshje. Por cilat janë 10 rekordet që ai mund të thyejë deri në fund të sezonit?

GOLAT NË PREMIER LEAGUE – Andy Cole në 1993-’94 dhe Alain Shirer një sezon më vonë vendosën rekordin e 34 golave gjatë një sezoni, por atëherë Premier Liga kishte 42 ndeshje dhe jo 38 sa sot. Haland duhet të shënojë 21 gola në 30 ndeshjet e mbetura për ta thyer këtë rekord.

GOLAT E SALAH – Rekordin e golave në një sezon të Premier Ligës me 38 ndeshje e mban Mohamed Salah. Sulmuesi i Liverpulit e tundi rrjetën 32 herë gjatë 2017-’18. Por Haaland, nëse vazhdon të shënojë me këtë mesatare, do ta ketë një formalitet këtë shifër.

5 LIGAT KRYESORE – Një nga rekordet më të vështira, por jo të pamundura për Haaland, është ai i rekordit të golave të 5 kampionateve kryesore. E mban Lionel Mesi, i cili shënoi 50 herë në La Liga gjatë 2011-’12.

GOL PËR NDESHJE – Asnjë lojtar nuk e ka fituar “Këpucën e Artë” të Premier League duke shënuar mesatarisht një gol çdo ndeshje. Harry Kane iu afrua kur realizoi 29 herë në 30 paraqitje në 2016-’17. Me ritmin aktual, Haaland mund të shënojë mbi 60 gola.

GOLAT E CITY-T – Tommy Jonson mban një rekord të vjetër te City. Ai shënoi 38 gola në të gjitha kompeticionet në fundin e viteve 1920. Haaland mund ta thyejë këtë rekord gati 1-shekullor.

GOLAT NË CHAMPIONS – Cristiano Ronaldo mban rekordin e numrit më të madh të golave gjatë një sezoni në Champions: 17 në 11 ndeshje në 2013- ’14. Haaland deri tani ka 3 në 2 ndeshje.

GOLAT KALENDARIKË – Numrin më të lartë të golave të shënuar gjatë një muaji kalendarik në Premier League e mban Luis Suarez në dhjetor 2013. Sulmuesi i Liverpulit shënoi 10 herë dhe Haaland iu afrua me vetëm një gol më pak në muajin gusht.

GOLA NË NDESHJE RADHAZI – Jamy Vardi vendosi një rekord të pabesueshëm kur shënoi në 11 ndeshje radhazi gjatë sezonit 2015-’16 me Leicestet që fitonte titullin. Haland është aktualisht në shifrën e 6 ndeshjeve.

TRIPLETAT – Alan Shirer mban rekordin e 5 tregolëshave në Premier League gjatë një sezoni, kur luante në 1995-’96. Haaland ka shënuar tri tripleta në vetëm 8 ndeshje.

30 GOLAT E PARË NË CHAMPIONS – Haaland i ka shënuar 25 golat e parë në Champions më shpejt se të gjithë në histori (20 ndeshje). Rud van Nistelroi i arriti 30 golat e parë në Champions në vetëm 34 ndeshje, ndërsa 35 golat në 42 ndeshje. Nëse Haaland shënon 9 gola të tjerë ai do ta thyente këtë rekord.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN