MENU
klinika

Europa League

Roma përmbyset në shtëpi, Arsenal bën detyrën

06.10.2022 - 22:58

Roma është përmbysur në fund në ndeshjen e luajtur në shtëpi kundër Betis, duke humbur 1-2 dhe natyrisht duke komplikuar shumë kualifikimin për në fazën tjetër. Ndërsa Arsenal fitoi pa probleme 3-0 kundër Bodo/Glimt.

Sfida në “Olimpico” ishte në baraspeshë deri në minutën e 32-të. Spanjollët prekin me dorë një top dhe arbitri akordon penallti për vendasit pas një rishikimi me VAR. Ai që do merrte përsipër ekzekutimin e 11-metërshit do ishte Paulo Dybala, që do tregohej i saktë.

Betis nuk pajtohet assesi me rezultatin dhe kthen gjithçka nga fillimi me anë të Rodriguez (40’). Në pjesën e dytë u vu re dëshira për të mos humbur. Shumë faulle, lojë e ashpër dhe pak futboll i luajtur, e tregojnë më së miri këtë. Gjithsesi nuk është i këtij mendimi Luis Henrique që lë me gisht në gojë Dybalan me shokë në fund.

Ndërsa Arsenal vijon të tregojë se është në formë të mirë. Për golin e parë duhej të prisnim minutën e 23-të. Nketiah do zhbllokonte shifrat, me trajnerin Arteta në stol që mund të merrte frymë lirisht. Dyfishimi i shifrave do vinte nga Holding, pak më vonë. Mysafirët nuk gjetën forcën të reagonin, me mundësitë për ta që ishin pothuajse zero.

Në pjesën e dytë, ekipi pritës do administronte në mënyrën më të mirë të mundshme rezultatin, madje do shënonte edhe me Vieria (85’), duke ia dalë të dërgojë në shtëpi 3 pikë mjaft të vlefshme. Fokusi për Arsenalin tashmë është kampionat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN