Tetori rozë i gruas, sjell edhe tetorin e librit. Aktivitetet vijojnë, ndërsa për autorët dhe studiuesit, libri dhe bibliotekat hasin në një sërë problematikash.
Studiuesi Agim Janina thotë për mediet, se ende ka libra që shiten si plaçka të vjetra. Me kritika ndaj institucioneve në vend, që merren me librin, Janina shprehet se libri shpreh identitetin kulturor të një kombi.
“Libri është një lloj pasaporte, që shpreh identitetin kulturor të një kombi. Ka qenë një shpikje e jashtëzakonshme e Gutenbergut, që solli përhapjen e tij dhe të kulturës, që të shkojnë brez pas brezi. Por, librat në Shqipëri… ka ende që shiten si plaçka të vjetra. Këmbanat po ushtojnë vajtueshëm”.
Këtë tetor, studiuesi i artit Agim Janina, shprehet dhe për gjendjen e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Vonesa për të marrë librin që të duhet, apo dhe kushtet e leximit janë disa nga problemet që shpreh Janina.
“Në Shqipëri ne nuk kemi ende një Bibliotekë Kombëtare me kushtet optimale, me hapësirat dhe shërbimet e duhura. Tek ne po të shkosh në Bibliotekën Kombëtare për të marrë një libër ose një revistë, me ato labirinte atje sa të gjendet librin vonohet shumë. Në Bibliotekën Kombëtare nuk janë kushte leximi. Janë të rrallë ata studiues, që shkojnë të shfrytëzojnë fondin e jashtëzakonshëm” – vijon Janina.
Studiuesi thotë se problem është dhe rënia e interesit për të lexuar. Janina kërkon që propaganda për vlerën e librit, të bëhet çdo ditë. “Libri, nuk bëhet me fushatë. Ne e shikojmë që kemi një bjerrje të madhe të lexuesve, kanë humbur me mijëra lexues. Nëse libri, dikur botohej me 10 mijë kopje dhe nuk e gjeje në librari, sot 500 kopje dhe mben stok, nuk shitet. Propagandën që duhet bërë për librin, nuk e shikoj të bëhet. Dashuria për librin nuk bëhet me fushata, propagandë për librin duhet të jetë çdo ditë”, thotë studiuesi Agim Janina.
Studiuesi shprehet se librat që janë në fondin e bibliotekës, nuk duhet të jenë në dy godina të ndryshme. Sipas tij, të gjithë librat duhet të kenë një vend për lexuesit.
“Ndarja e Bibliotekës Kombëtare në dy pjesë, biblioteka e Pallatit të Kulturës dhe ajo tek Ura e Tabakëve, është sërish një handikap i madh, sepse biblioteka duhet të jetë një dhe librat të vendosura në një vend”, vlerëson Janina. Problem sipas tij, është dhe fotokopja që bëhet për librat, apo materialet e tjera në bibliotekë. Sipas tij, nëse nuk krijohen kushtet si duhet, për këtë ndodh që mund të ketë dëmtime të fondeve.
“Unë kam dashur që të marr materiale nga gazetat e kohës, që ishin në format të madh dhe printeri në bibliotekë ishte shumë i vogël. Kushtet në të cilat ruhet libri, janë problem. Kryesorja është që ne na duhet një Bibliotekë Kombëtare, Tirana e ka të domosdoshme. Një bibliotekë, ku mënyra sesi të serviret dhe të shërbehet libri, të jetë në kushtet më optimale për ta parë…” – përfundon ai.