MENU
klinika

Lulëzimi i biznesit të shëndetit

Shqiptarët shpenzuan 130 milionë euro më shumë në dy vite

01.10.2022 - 13:07

Ndryshe nga ekonomia, që u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, situata shëndetësore vijoi të ishte e rënduar, sidomos në pjesën e parë të vitit, teksa qeveria hoqi dorë nga masat shtrënguese, pas efekteve që ato dhanë në rënien ekonomike.

Në pjesën e parë të vitit 2021, vala e pandemisë arriti kulmin e saj, e reflektuar kjo dhe me numrin e lartë të vdekjeve. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2021, humbjet e jetës arritën në rekordin e 10.2 mijë personave, me rritje 61% në krahasim me mesataren e së njëjtës periudhë të 2016-2019.

Edhe në tremujorin e dytë, vdekjet u rritën me 21% në krahasim me mesataren 2016-2019.

Për gjithë vitin 2021, fatalitetet arritën një nivel rekord në historinë e Shqipërisë, me 30.6 mijë persona, me rritje 40% në raport me mesataren e 2016-2019.

Rritja e mundimshme e spitaleve private

Si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private, që shënuan një rritje të fortë të të ardhurave në vitin 2021.

“Spitali Amerikan” (American Hospital) është më i madhi në vend. Në vitin 2021 qarkulloi 7.5 miliardë lekë, me rritje 21% me bazë vjetore. Ndonëse të ardhurat u rritën ndjeshëm, spitali thelloi humbjet në 143 milionë lekë. “Viti 2021 ka vazhduar të jetë tepër i vështirë, ashtu sikurse 2020-a, për grupin e Spitaleve Amerikane, për shkak të pandemisë.

Vazhdimi i konsolidimit të zgjerimit të ndërmarrë, si dhe objektivi për rritjen e mëtejshme, u bë edhe më i vështirë, për shkak të rënies së mundësisë së pagesave të familjeve dhe fokusin e shpenzimeve të tyre për trajtimin e infektimit nga COVID-19.

Rritja e çmimeve dhe shpenzimet e rritura në medikamente ndikuan ndjeshëm në mirëqenien e tyre.

Nevoja për trajtimin e kurimin e pacientëve post-COVID-19, u kthye në një nga përparësitë tona dhe kjo devijoji një pjesë të investimeve të parashikuara për departamente të ndryshme, drejt investimit në aparaturat e nevojshme për kapërcimin e kësaj pandemie dhe përballjen e saj, në mënyrën më dinjitoze dhe brenda protokolleve të krijuara në situata emergjente”, thuhet në raportin vjetor.

Në vitin 2021, spitali realizoi 15 mijë ndërhyrje operacionale, 8 mijë trajtime mjekësore dhe 109 mijë seanca dialize (kjo e fundit rimbursohet nga shteti).

“International Hospital” (ish-Hygeia), po pjesë e grupit të Spitalit Amerikan, raportoi 3.2 miliardë lekë, me rritje vjetore 18%, ndërsa vijoi të ishte me humbje. “Një vit pas shpërthimit të pandemisë, biznesi i ‘International Hospital’ është rikuperuar dhe normalisht po gjeneron të ardhura dhe rezultate pozitive”, thuhet në raportin vjetor.

Spitalet e tjera nuk renditen në listën e 200 më të mëdhave. Të dhënat zyrtare të bilanceve të pesë spitaleve private, “American Hospital”, “International Hospital” (ish-Hygeia), “Salus”, “German Hospital International”, “Spitali Europian”, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 12.3 miliardë lekë (103 milionë euro), duke arritur nivelin më të lartë rekord që kur spitalet e para filluan të hyjnë në tregun shqiptar më shumë se një dekadë më parë.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, rritja e të ardhurave është 25.5%, më e larta e regjistruar vitet e fundit, ose rreth 20 milionë euro më shumë. Në 2020-n, kur pandemia u forcua në muajt e fundit të vitit, rritja vjetore e të ardhurave ishte 10.7%.

Spitali “Salus” raportoi 767 milionë lekë të ardhura, me rritje 7%. “German Hospital International” kishte xhiro prej 653 milionë lekësh, me rritje 41%, ndërsa “Spitali Europian” më se i dyfishoi të ardhurat, në 411 milionë lekë.

Sa shumë para për analiza

Në vitin 2020, zgjerimi i aktivitetit të laboratorëve mjekësorë ishte i fortë, pas shpenzimeve të larta për kryerjen e tamponëve, apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes.

Në vitin 2021, rritja ishte edhe më e lartë, e ndikuar jo vetëm nga kryerja e analizave për identifikimin e sëmundjes e më pas kurimin e saj, por dhe kushtit të pothuajse gjithë shteteve që nuk lejonin hyrjen në kufijtë e tyre të personave që nuk kishin kryer tampon, apo test të shpejtë.

Kjo i ndihmoi laboratorët që të ishin biznesi më i suksesshëm dhe me rritjen më të fortë në vitin 2021. Sipas INSTAT, në vitin 2021 u regjistruan 4.2 milionë dalje të shtetasve shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilëve në vendet e BE-së.

“Intermedica Center” dyfishoi të ardhurat në gati 2 miliardë lekë.

“Genius lab”, në vitin e plotë të tretë të aktivitetit, katërfishoi të ardhurat, në 2 miliardë lekë, duke hyrë për herë të parë në listën e “Monitor 200”, sipas të ardhurave. Norma e fitimit ishte gati 70%.

Laboratorë të tjerë si “Biocheck”, “Pegasus Med”, “Noval Diagnostic”, “Swiss Medical Center”, shumëfishuan aktivitetin, ndonëse nga një bazë e ulët. Më i madhi pas tyre ishte “Biocheck”, me 264 milionë lekë të faturuara, më se katër herë më shumë se viti i mëparshëm.

Në total, qarkullimi vjetor i laboratorëve kryesorë u pesëfishua në rreth 4.6 miliardë lekë, ose 3 miliardë lekë (gati 25 milionë euro) më shumë sesa vitin e mëparshëm.

Për të dytin vit radhazi, i fortë ishte zgjerimi i të ardhurave edhe nga shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, me aktivitet në prodhimin, shitjen dhe tregtimin e gazrave teknike, terapeutike, që rriti qarkullimin me 15%, në 2 miliardë lekë, duke vijuar për të dytin vit radhazi në renditjen e “Monitor 200”, e nxitur nga kërkesa për oksigjen në spitale COVID-19 dhe përdorimi i bombolave nga të sëmurët që u vetëkuruan në shtëpi.

Farmaceutika me rritje më të ngadaltë

Importet e medikamenteve arritën rekordin e 31.6 miliardë lekëve sipas INSTAT, me zgjerim 25% në raport me vitin e mëparshëm. Nga shtesa prej 6.4 miliardë lekësh në vlerë, gjysma erdhi si rrjedhojë e importit të vaksinave që u përdorën për të krijuar imunitet ndaj COVID-19.

Burimi: INSTAT

Kërkesa nga sektori publik është ngadalësuar në vitin 2021, pas kalimit të valës së madhe të pandemisë.

Ndërsa popullata ka rritur përdorimin e medikamenteve si për përballimin e pasojave direkte në muajt e parë të vitit, ashtu edhe pasojat indirekte afatgjata që ka lënë pandemia në shëndetin e atyre që e kanë kaluar.

Plakja e vazhdueshme e popullsisë është një tjetër faktor i vazhdueshëm që nxit përdorimin e barnave.

Pjesa më e madhe e operatorëve të tregtimit me shumicë të produkteve farmaceutike kanë raportuar rritje në vitin 2021.

“Rejsi Farma” raportoi të ardhura prej rreth 4.2 miliardë lekësh, me rritje rreth 6%.

Delta Pharma” u zgjerua me 14%, në 4.4 miliardë lekë.

“Pharma One” rriti të ardhurat me 10%, në 3.6 miliardë lekë.

“Intermed” raportoi një xhiro vjetore prej 3.9 miliardë lekësh, ose 15% më shumë se një vit më parë.

Me rënie prej 4.2%, në 2.4 miliardë lekë, rezultoi “Megapharma”. Sipas raportit vjetor, tendenca vjen si rezultat i rënies së shitjeve në sektorin publik. “2020-a ka qenë viti i pandemisë dhe kërkesa për medikamente është rritur në sektorin publik.

Ndërsa në vitin 2021 kemi një rënie të kërkesës nga ky sektor, në të kundërt, kompania ka parë rritje të të ardhurave nga shitja e produkteve kozmetike.

130 milionë euro më shumë për shëndetin në dy vite pandemi

Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, nga bilancet e spitaleve private, klinikat kryesore të analizave, importeve të medikamenteve (përjashtuar shpenzimet për vaksinat) dhe kompanisë më të madhe të sigurimit të oksigjenit tregojnë se të ardhurat e 19 shoqërive në fushën e shëndetit (spitale private, depo farmaceutike, laboratorë analizash dhe tregtim i oksigjenit), tregojnë se shpenzimet për shëndetësinë ishin 70 milionë euro më shumë, nga 50 milionë euro që ishte shtesa vjetore e llogaritur me të njëjtën metodologji në 2020-n.

Indirekt, kjo tregon një pjesë të shpenzimeve shtesë nga xhepi për të përballuar pandeminë, që për dy vjet është rreth 130 milionë euro.

Kostoja totale, sidomos ajo e shërbimeve private (nga mjekë e infermierë në shtëpi) dhe e kurimit jashtë vendit është e pamundur të llogaritet.

Sipas INSTAT, që llogarit indeksin e vlerës në tregtinë me pakicë të produkteve farmaceutike e mjekësore, nga tetori 2020 deri në mars 2021, shpenzimet mujore për produkte farmaceutike e mjekësore u rritën mesatarisht me 24-28%, në raport me muajt përkatës të vitit normal 2019./MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista e drejtorit të SIGAL Uniqa Group Austria

“Pandemia goditi bizneset por krijoi dhe mundësi të reja”

Koncesionet dhe ndërtimi më fitimprurës!

200 kompanitë me fitime më të mëdha në vend