MENU
klinika

Përgjigjia e gabuar mund të falimentojë qeveritë

‘The Economist’: Si duhet të përballet Europa me krizën e energjisë?

09.10.2022 - 16:34

Rusia po ndërpret furnizimin me gaz. Mund të ketë ndërprerje të energjisë. Çfarë duhet të bëjnë qeveritë?

Për një vit, Europa ka jetuar me frikën e një bllokade energjetike, pasi Vladimir Putin kërcënoi se do të mbyllte “rubinetin e gazit” në kontinent, shkruan The Economist. Tani ky kërcënim është bërë realitet dhe perspektiva e një dimri të ftohtë dhe të errët, duket gjithnjë e më e mundur.

Më 5 shtator, Rusia tha se do të mbyllte gazsjellësin Nord Stream për aq kohë sa janë vendosur sanksionet perëndimore, duke bërë që çmimet standarde të gazit, të rriten me 30%; ato aktualisht kanë arritur ekuivalentin e rreth 400 dollarëve për një fuçi nafte.

Shpenzimet vjetore për energjinë elektrike dhe gazin nga konsumatorët dhe firmat në të gjithë Bashkimin Europian, mund të rriten deri në 1.4 trilionë euro, nga 200 miliardë euro në vitet e fundit, llogarit banka Morgan Stanley.

Goditja energjetike tani është bërë një krizë e plotë politike dhe ekonomike. Në Britani, 14% e familjeve kanë mbetur mbrapa me pagesën e faturave të shërbimeve.

ArcelorMittal, prodhues çeliku, do të mbyllë një fabrikë në Bremen. Ndërsa konsumatorët dhe bizneset frikësohen dhe recesioni po afron, prapa skenave, ka kaos në tregjet e energjisë. Për shkak se çmimet e energjisë në Europë përcaktohen nga kostot e prodhuesit margjinal, i cili shpesh furnizohet me gaz, rritja e çmimit të gazit është kthyer gjithashtu në një goditje të energjisë elektrike.

Me rritjen e çmimeve, disa prodhues po përballen me një krizë parash: ndërmarrje të shumta ngado, nga Dusseldorf në Vjenë, po kërkojnë ndihmë financiare. Ndërkohë, kompanitë që operojnë me energji të rinovueshme dhe bërthamore, me kosto të ulët margjinale, po arrijnë fitime me vlerë disa qindra miliarda euro.

Ashtu si kur goditi pandemia, edhe tani, qeveritë po reagojnë duke bërë ndërhyrje të shumta dhe duke ofruar para. Rregullat e ekonomisë po flaken tutje dhe shuma të mëdha parash po mundësohen në formë ndihme. Gjermania do të shpenzojë 65 miliardë euro shtesë (65 miliardë dollarë, ose 1.8% e PBB-së) për të vendosur një kufi çmimi për faturat e energjisë elektrike për familjet dhe firmat.

Liz Truss, kryeministrja e re e Britanisë, zbuloi një plan për të ngrirë çmimet për dy vjet, i cili mund të kushtojë më shumë se 100 miliardë paund (115 miliardë dollarë, ose 4.3% e PBB-së) dhe do të financohet nëpërmjet huamarrjes. BE-ja po shqyrton si mundësi kufizimin e të ardhurave të prodhuesve të energjisë.

Shkalla dhe intensiteti i krizës kërkon mbështetje të gjerë dhe bujare. Por ndërsa nxitojnë për t’u hedhur në veprim, qeveritë nuk duhet të flakin tutje logjikën dhe maturinë ekonomike.

Taktika më e njohur – ngrirja e çmimeve të energjisë me pakicë, siç ka bërë Franca dhe siç ka ndër mend të bëjë zonja Truss – është përciptazi joshëse si mundësi. Ajo është e lehtë për t’u kuptuar dhe ul inflacionin, gjë që mund të lehtësojë një pjesë të trysnisë mbi bankat qendrore për të rritur normat e interesit. Por kjo mundësi gjithashtu ka disavantazhe të mëdha.

Nëse çmimet kufizohen, kërkesa për energji do të mbetet shumë e lartë, duke vonuar sistemimin vendimtar që duhet të ndodhë në një botë ku gazi nuk është më aq i lirë sa ishte përpara se Putini të niste luftën.

Tashmë mund të vërejmë provat për këtë: për shkak të çmimeve më të larta, gjermanët konsumuan gati 10% më pak gaz natyror në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me një vit më parë.

Dhe mund të jetë politikisht e pamundur që t’i jepet fund ngrirjes së çmimeve, pasi ato janë vendosur. Tashmë zonja Truss dëshiron të kufizojë çmimet e energjisë jo vetëm për një dimër, por për dy dimra radhazi.

Në vend të ngrirjes së çmimeve, ka një qasje më të mirë. Qeveritë duhet t’u mundësojnë familjeve lehtësim, duke ofruar para të thata në formë skontosh për faturat, ndoshta duke i disbursuar ato nëpërmjet firmave të shërbimeve.

Kjo do të mbronte standardet e jetesës, ndërkohë që do t’i linte tregjet të përcaktonin vetë nevojën për të frenuar përdorimin e energjisë. Për më të varfrit, te të cilët faturat e energjisë zënë një të gjashtën e shpenzimeve totale, zbritjet do të duhet të plotësohen me ndihma të tjera shtesë.

Firmat gjithashtu do të kenë nevojë për ndihmë. Për të shmangur një efekt domino të kompanive energjetike që falimentojnë, disa mund të kenë nevojë për linja të përkohshme kredish shtetërore, siç bënë bankat gjatë krizës financiare: kostoja mund të rimbursohet më vonë nga taksat.

Ndërkohë, një sërë biznesesh të tjera, mund të jenë në rrezik për t’u mbyllur, madje edhe më tepër se kur u vendosën karantinat në vitin 2020.

Disa mund të mos jenë më në gjendje të vazhdojnë aktivitetin, si firmat kimike gjermane me modele biznesi të ndërtuara, duke u mbështetur në gazin e bollshëm rus. Kjo është arsyeja pse kreditë e mbështetura nga qeveria mund të ofrojnë veçse një shpëtim të përkohshëm. Një ndihmë e tillë duhet të jetë e kufizuar në kohë.

Pra, zbritjet dhe kreditë e përkohshme janë mënyra e duhur për të ndihmuar ekonominë. Por si duhet t’i paguajnë qeveritë ato? Kostoja do të jetë e madhe dhe ajo vjen pas shumave të mëdha që janë ofruar si ndihmë gjatë pandemisë.

Europa, përfshirë Britaninë, po shpenzon të paktën 450 miliardë euro për të luftuar goditjen energjetike, dhe kjo para se të vijë dimri. Italia dhe Gjermania kanë shpenzuar 2-3% të PBB-së; plani i zonjës Truss mund ta dyfishojë faturën totale të Britanisë.

Tundimi është të financohen shpenzimet përmes huamarrjes. Por deficitet më të gjera në një kohë inflacioni, do t’i detyrojnë bankat qendrore të rrisin normat e interesit edhe më tepër, duke e bërë më të shtrenjtë për qeveritë që të shlyejnë borxhet e tyre.

Kjo është arsyeja pse duhet të merren parasysh taksat e jashtëzakonshme për disa prodhues të energjisë. Në Europë, këta prodhues paguhen me çmime të tepruara sot, edhe nëse kostot e tyre janë shumë më të ulëta dhe nuk kanë lidhje me gazin.

Taksat retroaktive ndaj firmave të rrezikuara që konkurrojnë në tregjet e lira duhet të shmangen, sepse ato dëmtojnë vetë themelin e kapitalizmit. Por ky nuk është një nga ato raste: firmat operojnë në tregje shumë të rregulluara dhe mund të nxjerrin fitime të papritura që janë disa herë më të mëdha se kapitali që kanë shpërndarë.

Vlerësimet tona të bazuara në kërkimet nga London University, tregojnë se fitimet e tepërta të prodhuesve të energjisë, mund të shkojnë deri në rreth 30 miliardë paund (41 miliardë dollarë) në Britani. Pjesa më e madhe e shpenzimeve duhet të vijë nga rritjet më të gjera të taksave.

Do të ishte çmenduri të merreshin vendime afatgjata për rimodelimin e sistemeve të energjisë, në mes të këtij kaosi. Megjithatë, disa parime janë tashmë të qarta. Ruajtja e mekanizmit të tregut është thelbësore për të nxitur investimet në kapacitete të reja dhe inovacione në ruajtjen e energjisë, siç janë bateritë.

Por ka kuptim që sistemi energjetik të zhvendoset larg çmimeve të përkohshme, dhe drejt kontratave afatgjata, veçanërisht pasi energjia e lirë e erës është një pjesë në rritje e prodhimit. Gjetja e burimeve të reja të energjisë – nga gazi në Katar te burimet e rinovueshme – është gjithashtu e domosdoshme.

Me përgjigjen e duhur, qytetarët e Europës mund të mbrohen nga kriza dhe kalimi në një sistem energjie më të pastër, mund të mbahet në rrugën e duhur. Përgjigjia e gabuar mund të falimentojë qeveritë dhe të fusë në kurth industrinë energjetike të Europës. /Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eurostat/ Në vend janë rritur me 15% nga 2015

Cilat shtete kanë çmimet më të shtrenjta të energjisë elektrike?