MENU
klinika

Çfarë pritet të ndodhë pas miratimit në Kuvend

Analiza e REL për Portin e Durrësit

25.11.2022 - 13:19

Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, që sipas Qeverisë, do të jetë porti më i madh turistik i Mesdheut.

Në seancën e së enjtes, e cila zgjati rreth 14 orë, pas mesnate u miratua marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar.

Në favor të kësaj marrëveshjeje votuan 76 deputetë, ndërsa 35 deputetë votuan kundër këtij projekti.

Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, ndërsa në momentin e votimit të pranishëm në sallë ishin 111 deputetë.

Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në momentin e votimit.

Seanca u shoqërua me debate të ashpra dhe u ndërpre dy herë, për shkak të tensioneve të krijuara gjatë fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, e mbrojti projektin, duke e cilësuar atë si historik.

“Investimi kap vlerën e 1.2 miliard eurove. Do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha Rama duke iu përgjigjur kritikave dhe akuzave të opozitës për marrëveshjen.

Opozita e konsideron projektin e Portit të Durrësit si një nga aferat më të mëdha të Qeverisë Rama.

“Marrëveshja shkel me të dy këmbët Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Marrëveshja është një mashtrim fund e krye ligjor”, tha Berisha.

Shefi i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se në Portin e Durrësit do të pastrohen paratë e krimit.

Marrëveshja për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina” u nënshkrua më 11 gusht të këtij viti ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe investitorit arab, Muhammed El Alabbar.

Disa ditë pas nënshkrimit, pati një reagim nga zyra e delegacionit të Bashkimit Evropain në Tiranë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe qartësi.

Më 23 nëntor, Zyra e BE-së në Tiranë njoftoi se është anuluar granti i Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për portin e Durrësi, për shkak të modifikimit të projektit.

Vlera e këtij granti ishte 28 milionë euro.

Por, të enjten gjatë fjalës së saj para deputetëve, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tha se anulimi i grantit ishte kërkuar prej saj në vitin 2019.

“E kam kërkuar personalisht, sepse nuk kishte pse Shqipëria të merrte një grant 28 milionë euro për të përmirësuar kalatat 1 dhe 2 në portin e Durrësit, për të futur më shumë çimento, grurë apo qymyr, se nuk bënte më asnjë sens ekonomik dhe teknik. U ulëm, diskutuam me BE-në, pasi ishte një aplikim i bërë 12 vjet më parë, dhe në kaq kohë Shqipëria ka ndërruar prioritete dhe strategji”, tha ajo.

Zyra e BE-së në Tiranë ka deklaruar se “sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare”.

Pas miratimit në Kuvend, marrëveshja shkon në Presidencë për dekretim.

PD-ja ka depozituar padi në Gjykatë Kushtetuese dhe ka informuar partnerët ndërkombëtarë, pasi pretendon se projekti shkel Marrëveshjen e Asociim- Stabilizimit.

Me nisjen e zbatimit të marrëveshjes me investitorin arab në Durrës, porti tregtar do të duhet të zhvendoset në Porto Romano.

Sipas Ballukut, ky port i ri nuk do t’u përgjigjet vetëm nevojave të Shqipërisë, por edhe të Kosovës.

Ajo tha se ky port do të lidhet përmes linjës hekurudhore me Portin e Thatë të Prishtinës, por edhe me Portin e Thatë në Strugë të Maqedonisë së Veriut, duke u vënë kështu në shërbim të të gjithë Ballkanit Perëndimor./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pak para miratimit në Kuvend

BE anulon grantin për Portin e Durrësit