MENU
klinika

Botërori 2022, Grupi C

Argjentina i falet edhe njëherë tjetër Messit

26.11.2022 - 22:58

Argjentina largon fantazmat e një eliminimi që në ndeshjen e dytë në grup, duke fituar 2-0 ndaj Meksikës dhe shpresuar që në sfidën e fundit me Poloninë të kualifikohet në fazën tjetër. Lionel Messi bëhet shpëtimtari i kombëtares së tij, duke shënuar golin e parë dhe dhënë asistin e të dytit.

Pjesa e parë dhuroi shumë pak nga ajo që të gjithë prisnin nga dy skuadra teknike. Shumë faulle, disa të ashpra, kartonë të verdhë dhe dëmtimet jo vetëm ulën ritmin, por bënë që rastet në portat respektektive të ishin të pakta, vetëm 2 gjuajtje në portë, nga një për secilën skuadër. Ishin portierët që u treguan në lartësinë e duhur.

Pjesa e dytë ishte dominim total i Argjentinës, duke provuar në të gjitha mënyrat për të çarë mbrojtjen meksikane, por ishte e pamundur.

U desh një gjuajtje nga jashtë zonës e Lionel Messit në minutën e 64-t që ta zhbllokohej ndeshja. Ylli i botës merr një pasim para zonës dhe me të majtën e tij gjen cepin e portës, me portierin Ochoa të dorëzuar kësaj here.

Meksika shtyn përpara, por nuk krijon dot raste, ndërsa në krahun tjetër, të çliruar nga goli, argjentinasit mund të kishin kapur dy herë në befasi kundërshtarin.

Gjithsesi, goli që do të vriste ndeshjen do të vinte në minutën e 87-të, me Fernandez që realizon një perlë të vërtetë. Ishte Messi që pasoi në zonë për të. Meksika është e pafuqishme të reagojë, ndërsa Argjentina merr fitoren dhe tani shpreson në ndeshjen e fundit për të avancuar më tej.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN