MENU
klinika

Sulmi në Poloni

Biden: Raketat mund të mos jenë hedhur nga Rusia

16.11.2022 - 10:27

Raketat që vranë dy persona në Poloni, mund të mos jenë hedhur nga Rusia. Kështu deklaroi sot presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Shpërthimi i së martës në një fshat polak, pranë kufirit me Ukrainën, ndodhi pasi Rusia nisi një valë sulmesh raketore kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Ministria e Jashtme e Polonisë tha se raketat ranë në Përzevodov – rreth 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Rusia mohoi se është përgjegjëse për shpërthimin, ndonëse zyrtarët polakë thanë se raketat ishin prodhim rus. Polonia është vend anëtar i NATO-s dhe sulmi rus në territorin e saj do të rrezikonte zgjerimin e konfliktit përtej Ukrainës, pasi NATO-ja është e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive.

Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se sulmi ndaj një vendi anëtar të aleancës ushtarake, është sulm ndaj të gjithëve. Biden thirri një takim të liderëve të mbledhur në Bali të Indonezisë për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20.

I pyetur nëse është herët të thuhet se raketat që ranë në Poloni, u hodhën nga Rusia, Biden tha: “Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”. Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë hetime të plota përpara se të veprojnë.

Shpërthimi në Poloni ndodhi pasi Rusia sulmoi me raketa disa qytete të Ukrainës. Kievi tha se sulmet e së martës ishin vala më e rëndë e tyre në gati nëntë muaj luftë. Disa raketa goditën edhe Lvivin, i cili ndodhet më pak se 80 kilometra larg kufirit me Poloninë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se raketat ruse goditën Poloninë, duke përshkallëzuar në mënyrë të konsiderueshme konfliktin. Megjithatë, ai nuk paraqiti ndonjë provë për përfshirjen e Rusisë. “E gjithë Evropa dhe bota duhet të mbrohen plotësisht nga Rusia terroriste”, shkroi Zelensky në Twitter, pas një telefonate me presidentin polak, Andrzej Duda. Dy diplomatë evropianë thanë se Polonia kërkoi një takim të NATO-s, që pritet të mbahet gjatë ditës së sotme, në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s për konsultime midis aleatëve.

Polonia rriti gjithashtu gatishmërinë e disa njësive ushtarake, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

Morawiecki u bëri thirrje polakëve të qëndrojnë të qetë, ndërsa presidenti Duda tha se nuk ka prova konkrete që tregojnë se kush i hodhi raketat. Gjatë një bisede telefonike, Biden i tha Dudës se Uashingtoni ka një “përkushtim të fortë ndaj NATO-s” dhe se do t’i mbështesë hetimet e Polonisë, tha Shtëpia e Bardhë. Agjencia e lajmeve Associated Press, më herët, citoi një zyrtar të lartë të inteligjencës amerikane të ketë thënë se shpërthimi në Poloni ndodhi si pasojë e raketave ruse që kaluan në këtë vend.

Por në Uashington, Pentagoni, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Shtetit thanë se nuk mund t’i vërtetojnë këto raporte dhe se janë duke punuar me Qeverinë polake për të mbledhur më shumë informacione. Gjermania dhe Kanadaja thanë se po e monitorojnë situatën dhe Bashkimi Evropian, Holanda dhe Norvegjia thanë se po kërkojnë më shumë detaje. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi se raketat ruse goditën territorin polak, duke thënë se raportet e tilla janë “një provokim i qëllimshëm, që synon përshkallëzimin e situatës”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“The Economist” flet për skenarin apokaliptik

Lufta bërthamore, gjithnjë e më pranë