Kështu e ka nisur shkrimin gazeta gjermane “Bild”, pas sulmit në Poloni, që shkaktoi vdekjen e dy personave.
Aksidental apo jo, ky është një sulm i armatosur në territorin e NATO-s. Perëndimi është i shqetësuar nga sulmi me raketa në Poloni, ndërkohë që SHBA, NATO dhe BE janë të përfshira në “ethet” diplomatike për të hetuar rrethanat e incidentit.
Rusia nga ana tjetër mohoi të gjitha akuzat duke thënë se ishte një provokim. Megjithatë, ditën e djeshme zyrtarët amerikanë thanë se raketa ishte lëshuar nga Ukraina.
Presidenti amerikan, Joe Biden theksoi se raketa ishte pjesë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Zhvillimet janë të stuhishme me Perëndimin të shqetësuar për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë.
Polonia nuk ka kërkuar aktivizimin e “nenit 4” të traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultimet për një çështje shqetësuese për sigurinë e një shteti anëtar, thanë burimet e NATO-s.
Këshilli i Atlantikut të Veriut i NATO-s po takohet në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm pas sulmit me raketa në Poloninë lindore, pranë kufirit me Ukrainën.
Megjithatë, skenarët e mundshëm në lidhje me sulmin me raketa të djeshme në Poloni sipas gazetës gjermane janë:
Skenari i parë
Ushtarët e Putinit sulmuan Poloninë gabimisht. Përveç kësaj, shumë prej tyre nuk janë të trajnuar sa duhet dhe luftojnë në front nën ndikimin e alkoolit. Në të njëjtën kohë, presidenti i Polonisë duket të jetë shumë i kujdesshëm ndaj deklaratave të tij për atribuimin e përgjegjësisë në lidhje me sulmin me raketa që rezultoi në vdekjen e dy personave.
Sulmi ndodhi në vendin e tij, i cili është anëtar i NATO-s. Kjo nuk është diçka e zakonshme.
Skenari i dytë
Putin sulmoi qëllimisht Aleancën e Atlantikut të Veriut. Nëse është kështu, atëherë përgjigja e NATO-s do të duhet të jetë e ashpër. Aleanca nuk mund të bombardojë territoret e saj, kështu që qytetarët e saj do të duhet të lihen të pambrojtur dhe të jenë pre e sulmeve ruse.
Sidoqoftë, nëse skenari i tretë është i vërtetë, domethënë, sulmi me raketa ishte rezultat i mbrojtjes ajrore ukrainase në përpjekjen e saj për të shkatërruar një raketë ruse, atëherë rusët janë gjithashtu përgjegjës.
Thjesht sepse Moska po luan me zjarrin në kufijtë e NATO-s.
“Putini po na afron gjithnjë e më shumë me një luftë të tretë botërore”, thekson kryeredaktori gjerman i gazetës “Bild”.
Sulmi i djeshëm me raketa në Poloni po shkakton shqetësim në Perëndim ndërsa samiti i G20 po zhvillohej në Bali të Indonezisë, me Putin që mungoi në një ngjarje kaq të rëndësishme.
Në vend të tij, ai dërgoi ministrin e tij të besuar, kreun e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili e gjeti veten të izoluar me shumicën e liderëve që e nënçmonin, ndërsa disa thjesht mbanin distancë.