Kombëtarja shqiptare ka nisur sot përgatitjet në fushë në kuadër të dy miqësoreve ndaj Italisë dhe Armenisë me kuqezinjtë që kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore në Durrës.
Në seancën e zhvilluar sot nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja dhe stafit të tij teknik kanë marrë pjesë më shumë se gjysma e lojtarëve të ftuar, ndërsa pjesa tjetër janë bashkuar me ekipin gjatë orëve të pasdites dhe deri në mbrëmje grupi kompletohet.
Seanca e sotme ka qenë me ngarkesa të lehtë pasi të gjithë lojtarët vijnë nga ndeshjet e fundjavës me klubet respektive. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se sulmuesit Armando Broja dhe Kristal Abazaj kanë mbërritur në mesditë në grumbullim dhe janë konsultuar menjëherë me stafin mjekësor për shkak të disa shqetësimeve muskulore.
Të dy lojtarët kanë bërë vetëm pak stërvitje të diferencuar dhe gjendja e tyre fizike mbetet për t’u vlerësuar në vazhdimësi. Duke parë situatën me dëmtimet, trajneri Reja ka vendosur të thërrasë dy lojtarët e Partizanit, Tedi Cara dhe Xhuliano Skuka me sulmuesit që mbërrijnë gjatë orëve të mbrëmjes në qendrën stërvitore të Kombëtares.
Sakaq, stafi teknik ka marrë përgjigje negative nga klubi i Atalantas për Berat Gjimshitin dhe nga Rayo Vallecano për Ivan Balliun me të dy lojtarët që do të mungojnë në këto miqësore.
Që të dy kanë pasur probleme fizike kohët e fundit dhe klubet shpresojnë të shfrytëzojnë këtë periudhë pauze që ata të rikuperohen plotësisht dhe të mos rrezikojnë dëmtime të mëtejshme.
Me ekipin do të bashkohen në mbrëmje edhe Marash Kumbulla, Elseid Hysaj, Odise Roshi, Keidi Bare, Qazim Laçi, Arbnor Muçolli dhe Myrto Uzuni, që të gjithë të gatshëm për t’u stërvitur me ekipin ditën e martë.
Kombëtarja do të zhvillojë të martën seancën zyrtare para miqësores me Italinë në ora 15:00 në Tropikal, ndërkohë që konferenca zyrtare e trajnerit Reja dhe kapitenit do të zhvillohet në ora 18:30 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.