Ditën e djeshme këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, mbajti koncertin në sheshin “Skënderbej” ku qindra të rinj u mblodhën për të dëgjuar këngët më të dëgjuara të yllit të popit.
Dua performoi me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë për spektaklin e fundit të turneut të saj “Future Nostalgia”.
Gazeta britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull këngëtares duke treguar detaje për veshjen dhe mënyrën si elektrizoi skenën mbrëmjen e djeshme.
“Ylli i popit magjepsi fansat e mbledhur në sheshin ‘Skënderbej’ të Tiranës, me aftësitë e saj vokale dhe lëvizjet energjike të kërcimit, teksa prodhoi hitet e saj në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, shkruan “Daily Mail”.
“Daily Mail” ka përshkruar në mënyrë të detajuar stilin dhe pamjen e jashtme të këngëtares duke thënë se “Dua tregoi fizikun e saj atletik me veshjen e prerë me iluzion vezullues ndërsa argëtonte turmën”.
Kujtojmë se Dua ka marrë pasaportën shqiptare ditën e djeshme për rolin e saj në përhapjen e famës së shqiptarëve ndërkombëtarisht përmes muzikës së saj.
Në një postim në “Instagram”, Dua ka falënderuar Presidentin Bajram Begaj dhe kryebashkiakun Erjon Veliaj për marrjen e shtetësisë shqiptare.
Gjithashtu në gusht të vitit 2022, Dua u emërua ambasadore nderi në një ceremoni në Zyrën e Presidentit në Prishtinë./CNA.al