Enti Rregullator i Energjisë po zhvillon ditën e sotme mbledhjen e radhës që ka nisur në orën 08:30. Për të mësuar se çfarë po diskutohet në këtë mbledhje, gazetarja Ermelina Hoxhaj në një lidhje direkte për Klan News ka bërë të ditur se Enti Rregullator i Energjisë fillimisht ka miratuar shtyrjen e fashës 800 kWh për muajin Nëntor. Pra abonentët familjarët nuk do të paguajnë ekstra për çmimin e energjisë elektrike.
Ermelinda Hoxhaj: Mbledhja e bordit ka nisur që në orën 8:30 të mëngjesit të sotëm. Pika e parë është miratuar, ajo që ka të bëjë dhe prek familjet shqiptare për pagesën, rritja e çmimit të energjisë për abonentët që konsumojnë më shumë se 800 kWh është shtyrë. Edhe për këtë muaj, familjet shqiptare do të vijojnë të paguajnë çmimin e energjisë 9,5 lekë kWh. Nuk është miratuar vendimi që parashikonte se të gjitha familjet do të fillonin të paguanin sasinë e energjisë mbi 800 kWh do ta paguanin 42 lekë pa TVSH që i binte 50,4 lekë me TVSH, është shtyrë për muajin Dhjetor. Pra, për muajin Nëntor familjet shqiptare nuk do të paguajnë më shumë para për konsumimin e energjisë.
Sjellim në vëmendje se para 2 ditësh, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije gjatë një deklarate për mediat se qeveria shqiptare ka vendosur që të mos aplikojë fashën 800 kWh për muajin Nëntor.
Balluku bëri me dije që gjatë Tetorit, në Shqipëri konsumi i energjisë është 7% më pak se vitin e kaluar. Po ashtu ajo u shpreh se gjatë kësaj fundjave nuk pati reshje, megjithatë tha se pritet që pas datës 13 Nëntor të ketë evente meteorologjike në zonën e interesit, pra kaskadën e Drinit.