Avokati i Shtetit, Irgen Kërçyku, është lënë në “arrest shtëpie” nga GJKKO.
Kërçyku dyshohet si i përfshirë në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Durrësit, së bashku me Aleksandër Lahon, i njohur edhe si “Rrumi i Shijakut”.
SPAK kërkoi masat e sigurimit “arrest me burg” për shtetasin Pëllumb Muharremi, dhe shtetasin Irgen Kërçuku, por mesa duket, Avokati i Shtetit është lënë në “arrest shtëpie”.
Ata akuzohen për për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës dhe sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.
Njoftimi i SPAK pak ditë më parë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.235 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. nr.76 datë 20.10.2022 ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.
Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.).
Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.
Vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.