MENU
klinika

Artur Ajazi

Idiotësitë e tranzicionit shqiptar

27.11.2022 - 11:03

Edhe sot pas afro 32 vitesh, nuk e kuptoj pse ne themi sërish “jemi në tranzicion, na falet çdo gjë bëjmë”. Dhe kjo fatkeqësisht vlen më tepër për politikanët, se për hallexhinjtë. Realisht ne jemi në tranzicion. Jemi pasi akoma dhe sot, e konsiderojmë gjithçka të keqe që shohim, apo dhe na vjen, si “produkt i tranzicionit të zgjatur”. Një ditë një miku im, më përshëndeti, pasi nuk e njoha. Ishte veshur prift orthodoks. Ishte veshur me rrasën e zezë deri në fund të këmbëve, kishte varur një goxha kryq në qafë, kishte lënë mjekrën dhe mbante në duar ca libra të veckël. E njihja prej vitesh, dhe e di që nuk ka mbaruar as 8-vjeçaren, pale të mesmen dhe të lartën. Kishte emigruar në Greqi, kishte ndërruar emrin nga Tofik në Thanas, kishte marrë në shtetin helen një dokument sikur “kishte mbaruar një shkollë për prift”, pastaj kishte veshur veshur rrasën e zezë, dhe tani pretendon të zërë ndoshta “vend nderi në Kishën Orthodokse”. Ky person, mund të jetë i 10 që takoj përgjatë periudhës së këtij tranzicioni të gjatë postkomunist, që nga ish-punëtor krahu konvertohen në priftërinj apo hoxhallarë. Kultet fetare, këta tipa ndoshta i shohin si “strehën e ngrohtë dhe të sigurtë për të bërë ca para”.

Realisht nga sistemi i kaluar, ne trashëguam një eksperiencë goxha të madhe lidhur me numrin e atyre që u arsimuan. Kishte shkolla deri në fshatin më të largët, ashtu siç kishte edhe mjekë. U shkolluan qoftë edhe me 8 klasë apo të mesme, me hir apo pahir, edhe ata që nuk e donin librin. Por pas vitit 1992, sistemi arsimor mori një goditje fatale. U flakën nga shkollat “komunistët”, u flakën në rrugë profesorët si “shërbëtorë të diktaturës”, u mbyllën shkollat në shumicën e fshatrave, u mbushën qytetet dhe sot kemi këtë gjendje të pakuptimtë. Përgjatë viteve të para të “demokracisë berishiste”, çobani u bë shikas, shoferi drejtor, i dënuari për vjedhje badiguard ministri, dhe me rradhë duke u bërë hoxhallarë dhe priftërinj, kushdo që dinte greqisht apo turqisht.

Gjërat nisën sikur të sistemohen përgjatë viteve, por mjerisht sisutta edhe sot është e trishtueshme. Kjo për faktin sepse, ka akoma djem dhe vajza që kanë mbaruar shkollat në universitetet e Europës dhe SHBA, dhe sot e kësaj dite janë në kërkim të punës. Të jetë vallë tranzicion ky që po kalojmë ? Mendoj se jo, mendoj se negativiteti, vjen nga trashëgimia që la pas politika destruktive, politika që futi si koncept “diplomën e blerë”, shkollimin pa vajtur asnjë ditë në klasë, apo emërimin sepse “i kam dhënë shumë kësaj partie dhe demokracie”.

Një ish-drejtor i kohës së Berishës dikur, ishte bërë tmerri administratës. Kishte punuar dikur punëtor ngarkim-shkarkimi, dhe pas 1992 pasi kishte blerë diplomën, ishte emëruar në postin e lakmuar. Kishte bërë listën gati me emrat e atyre që duheshin laerguar sepse ishin “komunistë”, por duke mos marrë parasysh faktin sepse ata ishin me arsimin e lartë, me eksperiencë të gjatë pune, dhe kontribute të vyera. Me foton e Berishës në 4 cepat e zyrës, ai ç’nuk bëri, duke mbushur administratën me militantë mediokër, dhe u pasurua shumë.

Dhe ne sërish themi “jemi në tranzicion, na falet”. Por si mund të falen skandalet, abuzimet, vjedhjet, shkatërrimet e elitave? Sot fakti është se, zyrat e ministrive dhe institucioneve vartëse, nuk kanë shansin të kenë drejtues të pashkolluar, madje shumica e tyre me arsimim jashtë vendit. Detyrimi kryesor i tyre, mbetet spastrimi i gjithë sistemit administrativ nga diplomëblerësit e dikurshëm, pasi akoma ka të tillë, si në drejtësi dhe vende të tjera pune. Nuk mund të themi më, “na e ka fajin tranzicioni e gjatë që po kalojmë”. Ka ardhur koha të shembim idiotësitë që trashëguam nga ish-lideri, që sërish kërkon të rikthehet në pushtet me ata që dikur i bëri dikur “drejtorë”, pse kishin rrahur ndonjë socialist…