Rritja e çmimeve të energjisë e të lëndëve bazë, të rritjes së pasigurisë, si dhe të shtrëngimit të kushteve financiare kanë shkaktuar rritje të inflacionit dhe ngadalësim të aktivitetit ekonomik, efekte këto që kanë nisur të ndihen edhe në vendin tonë.
INFLACIONI I LARTË
Sipas INSTAT, inflacioni në muajin tetor kulmoi në 8.3 për qind, niveli më i lartë ky që nga koha e piramidave. “Rritja e inflacionit është nxitur nga rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar, por ajo ka filluar të transmetohet edhe në rritje të kostove të prodhimit dhe të pritjeve për inflacionin në vend”, thuhet në raportin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë. Në përgjigje të situatës së krijuar BSH vendosi të rrisë për të 5 herë brenda një viti normën bazë të interesit.
“Ne kemi filluar një proces gradual normalizimi të qëndrimit të politikës tonë monetare, nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit. Ky proces vijoi edhe në mbledhjen e datës 2 nëntor, kur pas shqyrtimit të këtij Raporti Tremujor të Politikës Monetare, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.75%. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare është një hap i domosdoshëm për frenimin e rritjes së shpejtë të çmimeve, për kontrollin e inflacionit dhe për kthimin e tij në objektiv. Ky normalizim i shërben respektimit të mandatit tonë ligjor të stabilitetit të çmimeve. Në çdo rast, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për respektimin e objektivit të saj të stabilitetit të çmimeve”, theksohet më tej në raport.
Inflacioni do të mbetet i lartë deri në fillim të vitit 2023, por ai parashikohet të ulet gradualisht më pas, drejt objektivit prej 3%. Në të njëjtën kohë, normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
ECURIA EKONOMIKE
Aktiviteti ekonomik sipas Bankës së Shqipërisë pritet të zgjerohet në pjesën e mbetur të vitit dhe gjatë vitit në vazhdim, por ritmet e rritjes do të vijnë në ngadalësim. “Kërkesa agregate pritet të vuajë pasojat e inflacionit të lartë, dobësinë e ekonomive partnere evropiane dhe reduktimin e stimulit fiskal. Megjithatë, rritja ekonomike do të vazhdojë të mbështetet nga disa faktorë. Bilancet e shëndetshme financiare dhe rritja e kredisë pritet të mbështesin zgjerimin e konsumit dhe investimeve.
Gjithashtu, tregu dinamik i punës pritet të mbështesë buxhetet e familjeve në përballimin e rritjes së kostove të jetesës. Turizmi, i pakufizuar nga masat kundër pandemisë, pritet të ruajë trendin e tij pozitiv, duke mbështetur sektorët e ndërlidhur me të dhe rritjen ekonomike”, veçohet më tej në raportin e Politikës Monetare për 3-mujorin e fundit të këtij viti. Rritja e shpejtë e kostove dhe e pasigurisë me fillimin e luftës në Ukrainë sollën ngadalësimin e eksporteve dhe investimeve private, tkurrjen e investimeve publike dhe shtrenjtimin e faturës së importeve. Si rezultat, rritja ekonomike u reduktua në 2.2% në tremujorin e dytë, nga 6.5% në tremujorin e parë të viti.