MENU
klinika

Pistat e hetimit dhe dëshmitë e banorëve

Misteri i vdekjes së shqiptarit në Greqi

08.11.2022 - 11:08

Rrethanat e vdekjes së 51-vjeçarit shqiptar i cili u plagos me sharrë elektrike në malet Kerdylia mbeten ende mister.

Trupi i tij u gjet pasditen e së dielës, në një zonë malore të largët pranë Arethousa në Selanik, nga efektivë të policisë që ishin vendosur në kërkim të 51-vjeçarit pas denoncimit për zhdukjen e tij në një emision grek.

Ai kishte shkuar në mal së bashku me një 59-vjeçar që banonte në të njëjtin fshat, për të vazhduar me prerjet e paligjshme të pyjeve,

Dyshohet se ata kishin shkuar disa herë në këtë zonë malore për të prerë pemë. Dy bashkëfshatarët ditën e zhdukjes së shqiptarit kishin shkuar së bashku në mal, por 59-vjeçari është kthyer i vetëm në shtëpi dhe pak ditë më pas 51-vjeçari u gjet i vdekur në pyll.

Policia ka ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me ngjarjen dhe po hetohet për zbardhjen e rrethanave që çuan në vdekjen e shqiptarit.

Një nga skenarët që po hetohet, është se 59-vjeçari është vetëplagosur me sharrë elektrike dhe më pas e ka hedhur atë në drejtim të viktimës, duke e plagosur në kofshë.

Një element i rëndësishëm që doli nga hetimi policor për çështjen, e cila është në dorën e organeve të drejtësisë, është se 59-vjeçari jo vetëm u largua me djalin e tij për t’u shkuar në spital, duke e lënë punëtorin shqiptar vetëm në pyll, por i ka marrë edhe celularin viktimës dhe e ka hedhur rrugës.

Gjithashtu, për gjashtë ditë të tëra i pandehuri nuk ka njoftuar askënd për plagosjen e 51-vjeçarit, madje edhe kur është shpallur zyrtarisht i zhdukur.

Sipas banorëve të fshatit të vogël Limni, ku viktima jetonte prej dekadash, 51-vjeçari kishte shumë pak të afërm në Greqi dhe kishin marrëdhënie shumë të mira me 59-vjeçarin.

Në kontrollet e kryera nga policia në shtëpinë e 59-vjeçarit dhe në automjetin e djalit të tij 28-vjeçar, u gjetën gjithsej pesë thika gjuetie, ndaj të dy personat u arrestuan edhe për akuzën e armëmbajtjeve pa leje.

Çfarë tha vëllai i viktimës

“Ai u gjet i vdekur në mal. Kishte shkuar atje me një grek, ndoshta për të prerë dru. Ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, por dëgjuam se i është prerë këmba me sharrë elektrike me zinxhir”, tha i vëllai, i cili kishte denoncuar zhdukjen e tij në polici më 4 nëntor, pasi nuk kishte pasur kontakte me viktimën për 3 ditë radhazi.

“Në Greqi jam vetëm unë, më vjen shumë keq për këtë ngjarje tragjike që ka ndodhur në familjen tonë. Presim të mësojmë më shumë nga policia e cila po vijon hetimet”, theksoi ai.

Ata dilnin shpesh bashkë në mal

Gjithë fshati ku jetonte 51-vjeçari është tronditur nga ngjarja tragjike.

“Nuk kishte njeri më të mirë. Ai kishte vite që jetonte këtu. Dëgjuam se Kosta (siç e thërrisnin në Greqi) kishte shkuar në mal dhe kishte vdekur. Kishte shkuar disa herë për punë, për të prerë dru. Dy burrat kishin shkuar shumë herë bashkë“, ka raportuar për protothema.gr, Giorgos Tsakalides, një banor i fshatit.

“Policia e gjeti në mal. Kanë shkuar shpesh bashkë, thuajse çdo ditë e ka çuar në punë”, ka theksuar ai.

Forcat zjarrfikëse në luftë me flakët (Video)

Greqia e izoluar nga zjarret prej tre ditësh

“Shqiptarët i duan dokumentet tona, për të ikur në Angli”

Grekët të shqetësuar: Po krijohen mungesa të mëdha fuqie punëtore