MENU
klinika

"Përgjysmojmë oraret"

Mbaron subvencionimi, transporti urban në krizë

07.11.2022 - 10:49

Me përfundimin e paketës së dytë të ndihmës së qeverisë, sektori i transportit ka nisur të ngrejë zërin. Me këtë çmim nafte, ata nuk përballojnë dot vijimin e shërbimit minimal dhe as pagesën e punonjësve.

Këtë ia thanë qeverisë përmes një letre, ndërkohë që në intervista mediatike bëjnë me dije se nëse kjo e fundit nuk i përgjigjet do të përgjysmojnë oraret e autobusëve në qarkullim.

E në fakt nuk priti gjatë për ta bërë fakt të kryer. Në ditët e fundit të javës që shkoi u vunë re dhjetëra njerëz për minuta të tëra në stacione, në pritje të autobusëve që vinin gjithnjë e më rrallë. Edhe kjo e hënë/javë do të jetë e njëjtë, për aq kohë sa Këshilli i Ministrave të analizojë e të marrë një vendim për ta.

KERKESA
Me përfundimin e paketës së dytë mbështetëse për kapërcimin e krizës së çmimeve, operatorët e transportit kërkojnë miratimin e ndihmës së radhës.

Dy shoqata, ajo Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i kanë nisur një letër Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, në të cilën thonë se janë në situatë emergjente pasi nuk përballojnë dot çmimin e lartë të karburantit dhe pagesat e punonjësve.

“Çmimi i naftës është shumë i lartë dhe konsumi ynë bazuar në numrin e mjeteve në treg për kryerjen e veprimtarisë së transportit/frekuencën e kërkuar është shumë i lartë dhe automatikisht sjell dhe kosto shtesë, duke bërë që operatorët të operojnë në humbje ose në mungesë fitim.

Gjendja e operatorëve që pas krizës Covid-19 ka qenë në situatë të vështirë, ku operatorët kanë pasur vështirësi edhe në pagimin e detyrimeve të stafit të lindura nga kontrata e punës apo pagimin e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore të tyre”, citohet në letrën e shoqatave.

Në këto kushte, shtojnë ata, rritja e cilësisë së shërbimit dhe korrektesia në orare janë më të vështira për t’u arritur, duke mos përmendur shkurtimin e flotës urbane në qarkullim. Ndaj, kërkohet mbështetje financiare, e madje edhe më e madhe se dy të parat për të pasur rritje të cilësisë e jo vetëm ofrim shërbimi.

Në 31 tetor përfundoi paketa e dytë 3-mujore e rimbursimit me 100 lekë për litër nafte të shpenzuar për kompanitë e transportit publik, ndërkohë që paketa e parë mbuloi shpenzimet për muajt mars-prill-maj duke lënë kështu dy muaj pa subvencion.

Tanimë, kryesore mbetet vijimësia e subvencionit, me qëllim që operatorët të kryejnë shërbimin si më përpara. Ata e pranojnë vetë këtë duke e nënvizuar në letër, por sidoqoftë kërkojnë vijimin e subvencionit për kushtet optimale që ofrojnë për funksionimin e shërbimit.

“Ky kompensim nuk ka ndikuar në rritjen e cilësisë dhe as nuk ka ofruar një ndihmë të mjaftueshme për ta”, nënvizohet në letrën drejtuar qeverisë, firmosur nga dy kryetarët e shoqatave, Dashnor Memaj dhe Kostandin Foni.

Shenjat e para të krizës u dhanë që në ditët e parë të këtij muaji, me shkurtimin e flotës në qarkullim dhe rrallimin e frekuencës së autobusëve. Dhjetëra udhëtarë, sidomos në orët e pikut, mbeten në pritje të gjata të urbanëve, duke rrezikuar çdo ditë orarin e punës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë thotë Rama për rritjen e çmimit të biletave?

Koronavirusi, shoqatat e transportit kërkojnë mbështetje financiare