MENU
klinika

Kostot shtohen në buxhetin e shtetit

Qeveria shton 16 milionë euro për Kardhiq-Delvinë

08.11.2022 - 10:32

Qeveria ka parashikuar të investojë mbi 17 miliardë lekë të vjetra vetëm në lotin 8 të rrugës Kardhiq-Delvinë, duke rritur kostot financiare përfundimtare edhe pse ajo është marrë nën dorëzim.

Në projektbuxhetin e vitit 2023, Ministria e Financave në parashikimin e investimeve publike me financim të Brendshëm për vitet 2023- 2025, ka detajuar shpenzimet për 3 nga 8 lotet e këtij aksi. Kështu për lotin e tetë, për vitet e ardhshme janë parashikuar 17 miliardë e 236 milionë lekë për lotin 8, ose rreth 16 milionë euro, e shpërndarë në më shumë se 3 vite vetëm për sistemimin dhe rivitalizimi i skarpateve.

Sipas planifikimit, janë 200 milionë lekë në vitin 2023, 3.17 miliardë lekë në 2024 dhe 3 miliardë në 2025. Ajo që tërheq vëmendje është se më shumë se gjysma e të gjitha shpenzimeve janë parashikuar pas vitit 2025. Janë plot mbi 9.26 miliardë lekë që janë përcaktuar të paguhen pas vitit 2025 për sistemimin dhe rivitalizimi i skarpateve të rrugës Kardhiq-Delvinë. Gjatë vitit 2022, për këtë aks janë planifikuar të shpenzohen plot 1.6 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.

Sagës së financimit shtesë nuk i shpëtoi as loti 8, pasi edhe për të ka një shtim me rreth 4 milionë euro. Kjo pasi kur në fillim të vitit Agjencia e Prokurimit Publik (APP) hapi tenderin për ndërtimin e rrugës KardhiqDelvinë loti 8, fondi limit i parashikuar për këtë tender është 1.44 miliardë lekë, ose rreth 12 milionë euro, ndërsa sot është mbi 17 miliardë e 236 milionë lekë.

Ndryshe nga sa ishte parashikuar në buxhetin afatmesëm, qeveria ka ndryshuar kohën e përfundimit dhe afatin në të cilin synon të paguajë këtë koncesion të ndarë në 8 lote me një projekt të zbatuar nga disa kompani. Kjo, pasi me herët qeveria kishte si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të vitit 2022 dhe buxhetin afatmesëm ky aks do të financohej deri në vitin 2024.

Por, pagesat për lotin 4 përfundojnë në 2025 dhe për lotin 8 nuk ka afat të përcaktuar pas 2025. Të gjitha këto pagesa do të bëhen edhe pse rruga është marrë në dorëzim nga qeveria, e cila e inauguroi me shumë bujë në 2 korrik ku vetë Kryeministri Edi Rama dhe ministrat që e shoqëronin u pritën me këngë dhe valle nga banorët e zonës. Rruga është e kategorisë B me dy korsi më gjerësi që varion nga 10 në 17 metër. Ky aks synon të shkurtojë distancën ndërmjet Tiranës dhe Sarandës, me 40 minuta duke shmangur Qafën e Muzinës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Balluku flet nga tuneli i Skërficës

Kur hapet aksi Kardhiq-Delvinë?