MENU
klinika

Sektorët 'më kritikë'

Raporti/ Besimi i bizneseve në ekonomi pëson rënie!

08.11.2022 - 10:44

Bizneset vijojnë të kenë gjithnjë e më pak besim në ekonomi, ndërsa sektorët “më kritikë” janë industria, ndërtimi, shërbimet dhe tregtia.

Të dhënat janë bërë publike një ditë më parë nga Banka e Shqipërisë, e cila vë në dukje se edhe në krahasim me muajin tetor vlerësimi ka ardhur në rënie. “Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi vlerën 99.9, duke rënë me rreth 2 pikë në muajin tetor. Ai ndodhet shumë pranë mesatares historike afatgjatë. Rënia e TNEsë u drejtua nga përkeqësimi i besimit në sektorët e ndërtimit, industrisë, shërbimeve dhe tregtisë. Në përgjithësi, të gjithë sektorët e ekonomisë u perceptuan me aktivitet ekonomik në rënie. Në të kundërt, treguesi i besimit të konsumatorëve regjistroi një vlerë lehtësisht të përmirësuar në këtë muaj”, thuhet në raport.

TË DHËNAT
Konkretisht, treguesi i besimit të industrisë u pakësua me 4.8 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga rënia e të gjithë treguesve për situatën aktuale, ku veçohen rënia e balancës për prodhimin aktual dhe ajo e kontratave porositëse. Ndërkohë, treguesi i besimit në ndërtim ra me 7.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke regjistruar pakësim të treguesit për të dytin muaj radhazi. Ky zhvillim u ndikua nga përkeqësimi i balancave për aktivitetin ndërtues dhe për kontratat porositëse. Rënie regjistruan edhe pritjet për punësimin, ndërkohë ato për çmimet në të ardhmen shënuan rritje. Treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie të lehtë me 1.1 pikë përqindje në muajin tetor, ndikuar nga performanca më e dobët e treguesit të ecurisë së biznesit. Bizneset në aktivitetin e shërbimeve vlerësojnë se ka rritje të punësimit aktual, ndërkohë që pritjet për të ardhmen janë në rënie. Pritjet për ecurinë e çmimeve të shërbimeve shënuan rritje. Ndërsa treguesi i besimit në tregti, ndoqi prirjen rënëse të evidentuar gjatë pjesës më të madhe të muajve paraardhës, duke rënë me 2.6 pikë përqindje në muajin tetor. Treguesi u ndikua kryesisht nga vlerësimet më të dobëta për ecurinë aktuale të biznesit.

KONSUMATORËT
Banka e Shqipërisë vëren po ashtu se treguesi i besimit konsumator rezultoi lehtësisht i përmirësuar me 0.6 pikë përqindje në muajin tetor, por mbetet ende larg mesatares afatgjatë. “Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale ashtu edhe në të ardhmen. Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, situatë e cila pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet më tej në raport.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nuk kursejnë as bizneset dhe as individët

Bankat “shtrëngojnë” kushtet e kredisë