MENU
klinika

Fituese oferta më e lartë

Rruga e Arbrit vijon ‘të gllabërojë’ paratë publike

16.11.2022 - 18:24

Afati për ndërtimin e Rrugës së Arbrit ka përfunduar, por jo punimet që vijojnë të “zhvatin” para nga buxheti i shtetit.

Vetëm ditët e fundit Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar tre procedura tenderimi me një vlerë rreth 20 milionë dollarë për skarpatet në Shkallën e Tujanit, skarpatet në Plan i Bardhë dhe një tjetër për revizionimin e punimeve. Në të trija rastet, fituese është shpallur oferta më e lartë. Ndërsa paradoksalisht pjesë e garës, për një nga tenderët e shpallur nga ARRSH-së, është bërë edhe kompania Gjoka, së cilës i është besuar ndërtimi i Rrugës së Arbrit, kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore, të shndërruar vitet e fundit “në gropë” për gllabërimin e parave publike.

SKARPATET E TUJANIT
Referuar dokumenteve zyrtare, në 22 shtator të këtij viti ARRSH, e drejtuar nga Evis Berberi ka hapur procedurën e tenderimit për “Sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve në ‘Shkallën e Tujanit’” me një fond limit në vlerën e rreth 11.1 miliardë lekëve lekë ose rreth 10 milionë dollarë. Në garë kanë marrë pjesë dy kompani, “Boe BE –IS” sh.p.k.; “Curri&Ergi”; “Boe AnteGroup”; “Ferro Beton & Construction CO”; “Bilgin Taahhut Insaat Madencilitk Sanayi ve Ticaret LTD”.

Njëjtë si në praktikat e mëparshme edhe këtë rast është favorizuar oferta më e lartë. Bashkimi i operatorëve “Ante-Group & Ferro Beton & Construction co”; “Bilgin Taahhut Insaat Madencilik Sanayi ve Ticaret ltd” është oferta e shpallur fituese me një diferencë gati gjysmë milioni dollarë më shumë nga kompania tjetër pjesëmarrëse në garë. “Punimet e gërmimit dhe mbushjes për këtë segment rrugor kanë përfunduar dhe masat mbrojtëse ekzistuese për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e skarpateve në disa zona të këtij segmenti rrugor, mungojnë apo edhe janë të pamjaftueshme. Skarpatet në segmentin nr. 2, ‘Shkalla e Tujanit’, fillojnë në km 1+210 dhe përfundojnë në km 6+380″, thuhet ndër të tjera në dokumentin zyrtar.

SKARPATET, “PLANI I BARDHË”
Në po të njëjtën ditë, pra po në datën 22 shtator, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur gjithashtu procedurën e tenderimit për “Sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve në ‘Planin e Bardhë’”, pjesë po ashtu e Rrugës së Arbrit, me fond limit 11.7 miliardë lekë të vjetra ose rreth 10 milionë dollarë. Konkretisht, bëhet fjalë për aksin rrugor Ura e Vashës-Qafë Buall. Pjesë e garës janë bërë 6 kompani, ndërsa fitues i tenderit është shpallur bashkimi i operatorëve “Selami”; “Company Riviera 2008”; “Garden Line”. Edhe në këtë rast, oferta e paraqitur prej 1,146,500,000 lekësh nuk ishte oferta më e ulët, por kjo nuk e pengoi institucionin e ARRSH-së ta shpallë atë fituese.

Paradoksalisht në tender ka marrë pjesë edhe kompania “Gjoka”, e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e rrugës së Arbrit me një vlerë rreth 40 miliardë lekë ose rreth 400 milionë dollarë. Në argumentin e bërë thuhet se “Gjoka” është përjashtuar nga gara për arsye se nuk ka arritur që të paraqesë asnjë dokumentacion të saktë dhe të plotë për të dëshmuar plotësimin e të gjitha kritereve. Por, nuk përfundon me kaq. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur edhe një tender të tretë në vlerën e më shumë se 8 milionë lekëve kësaj herë për “Supervizion punimesh, sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në ‘Planin e Bardhë’”. Fituese është shpallur kompania “GR Albania” sh.p.k., e cila ka dhënë edhe ofertën e dytë më të lartë, në mesin e 5 kompanive pjesëmarrëse në tender.

Sakaq, kompania “TOWEER”, e cila ka dhënë dhe ofertën më të ulët është skualifikuar pikërisht nën argumentin se kishte ofruar pak. RRUGA E ARBRIT Punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të duheshin të përfundonin në prill të këtij viti, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Përveç tunelit të Murrizit që lidh Tiranën me Klosin, punimet duket se janë në vendnumëro edhe në zonën e Tujanit dhe në segmentin “Plani i Bardhë”. Qeveria nënshkroi marrëveshje koncensionare me kompaninë “Gjoka” për të vijuar projektin e nisur nga qeveria Berisha në mars të 2018-s. Rruga ka një gjatise 54 kilometra, ndërsa vlera totale e investimit është rreth 40 miliardë lekë ose rreth 400 milionë dollarë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fatura 2 mld euro e koncesioneve

A rrezikojmë rritje taksash?

"Kush mban përgjegjësi për abuzimin me fonde publike"

Buxheti 2023, Tabaku: Borxhi i fshehur është 1 mld euro