MENU
klinika

Me 9 milionë lekë mori 400 mijë m2 në Lalz

“Rrumi i Shijakut” korruptoi zyrtarin e shtetit

23.11.2022 - 13:43

Pëllumb Muharremi, i njohur ndryshe si Aleksandër Laho dhe i thirrur mes shokësh dhe të njohurish me nofkën “Rrumi”, po kërkohet të arrestohet.

Urdhëri është lëshuar nga SPAK-u, që më në fund, pretendon që ka një provë në dorë kundër këtij personi, i cili ka mundur të rrëmbejë qindra mijëra metra tokë në Lalzin e shumëdëshiruar nga të gjithë të pushtetshmit në vend.

Prova e vetme me të cilën SPAK-u ka lëshuar një urdhër-arrest dhe i kërkon Policisë ta arrestojë të fortin e Shijakut, është vetë telefoni i tij, thotë Prokuroria e Posaçme, telefon që sipas hetimeve ka mbartur një video ku është regjistruar një takim i “Rrumit” me një përfaqësues të Avokatisë së Shtetit.

Prokurori, që po heton çështjen aktualisht, i cili është edhe kandidat për kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, ka futur në dosjen hetimore detaje të imtësishme që lidhen me atë moment takimi, ku “Rrumi” i ka dhënë 6 milionë lekë Irgen Kërçukut.

Madje sipas të dhënave, në atë video që është gjendur në telefonin e “Rrumit”, thuhet se ekziston edhe një sekuencë ku përfaqësuesi shtetëror i kërkon Muharremit edhe pjesën tjetër prej 3 milionë lekësh, shumë që do ta merrte pasi problemi i kalimit të pronës në emër të tij do të merrte formë të prerë.

Emri i Pëllumb Muharremit, në çështjen e tokave në Lalz ka dalë prej shumë vitesh, ndërkohë që kulmoi në kohën kur një investitor i huaj u dhunua barbarisht në aksin Kashar-Rinas.

Biznesmeni i masakruar nga katër personi, dëshmoi duke e nxjerrë emrin e djalit nga Shijaku, por prokuroria dhe as policia nuk e vunë nën akuza. Më pas historia e tokave të bregdetit të bukur të Lalzit vijoi me episode tronditëse, për vite me radhë, teksa një banor, i cili pretendonte se po i merrej prona vijonte i vetëm betejën gjyqësore për ta shpëtuar “gjënë” e tij.

KËRKESA PËR ARRESTIN E “RRUMIT”
Ditën e djeshme, u bë me dije zyrtarisht se me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar firmosi masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Aleksandër Lahon, me akuzën e korrupsionit për dosjen e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit.

Ndërkohë që mbi 400 mijë metrat katrorë tokë në bregdet janë sekuestruar me vendim të GJKKO-së, pasi dyshohet se “Rrumi” ka falsifikuar dokumente për t’u tjetërsuar pronësinë.

Gjykata saktëson se bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej rreth 200 mijë metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, si dhe një tjetër sipërfaqe prej 203 mijë metra katrorë me vendndodhje në Shetaj, edhe kjo pjesë e vijës bregdetare të Gjirit të Lalëzit.

Sipas të dhënave në dosjen hetimore, Prokuroria ka prova të forta, siç janë 2 video që u gjetën në telefonin e Aleksandër Lahos, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017.

“Rrumi” shfaqet duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.

Ish-avokati, i vënë nën hetim, ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendoi në dëshmi se “Rrumi” i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë.

SPAK njoftoi dje se është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie” për Irgen Kërçukun, përfaqësues Avokaturës se Shtetit, ndërsa SPAK-u bën me dije se gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dosja e pronave në Gjirin e Lalzit

SPAK kërkon arrestimin e “Rrumit të Shijakut”


Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin