MENU
klinika

Postimi i Ministrisë së Jashtme

Serbia uron Pavarësinë e Shqipërisë… në Twitter

28.11.2022 - 13:27

Ministria e Punëve të Jashtme Serbisë ka uruar Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë përmes një cicërime në llogarinë e saj në Twitter.

“I shtrojmë urimet tona Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe popullit të Shqipërisë në rastin e Ditës së tyre të Pavarësisë, duke u uruar shëndet, prosperitet dhe paqe”, ka shkruar ministria e jashtme serbe.

Kujtojmë se kjo pavarësi shqiptare ishte pavarësim edhe nga forcat serbo-malaziase të cilat synonin pjesën veriore të Shqipërisë për të siguruar dalje në detin Adriatik, sipërmarrje kjo e cila ishte kthyer mbrapsht.

Megjithatë, kjo pavarësi, e cila ishte shpallur për katër vilajetet shqiptare, ishte gjymtuar nga pushtimet serbe, maleze, bullgare dhe greke, përkatësisht Kosova, zonat shqiptare në Maqedoni, Janina dhe Sanxhaku.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, ndonëse inekzistente përgjatë pothuajse tërë historisë 110 vjeçare, kanë pësuar ngritje të theksueshme viteve të fundit, sidomos me platformën e bashkëpunimit rajonal të Ballkanit të Hapur.