MENU
klinika

Gent Sejko: 69% zotërojnë një llogari bankare

“Shqiptarët, nivel të kënaqshëm të përfshirjes financiare”

09.11.2022 - 13:56

69% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë tashmë një llogari bankare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot në hapjen e mbledhjes së nëntë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave se përfshirja financiare e shqiptarëve po përmirësohet ndjeshëm dhe rritja e numrit të individëve që zotërojnë një llogari bankare është një prej treguesve më domethënës.

“Falë të dhënave nga Regjistri Kombëtar i Llogarive, Banka e Shqipërisë disponon një pamje më të saktë dhe lehtësisht të përditësueshme mbi përfshirjen financiare të popullsisë. Këto të dhëna diktojnë se shqiptarët kanë një nivel relativisht të kënaqshëm të përfshirjes financiare, ku pothuajse 69% e popullsisë zotëron një llogari. Objektivi ynë fillimisht ishte arritja e një niveli të përfshirjes financiare të popullsisë në masën 70%, por vlerësojmë se në periudhën afatshkurtër ky nivel do të tejkalohet, duke shënuar përafrim të ndjeshëm me vendet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Evropian,” tha Sejko.

Sipas tij, ky optimizëm bazohet në faktin se shumë prej objektivave të strategjisë kombëtare të pagesave me vlerë të vogël janë ende duke u materializuar në treg dhe efektet e tyre të pritura do të reflektohen në tregues të matshëm në vitin 2023 dhe në vijim.

Guvernatori tha se arritjet e deritanishme në terma të përfshirjes financiare dhe të përdorimit të pagesave elektronike janë deri diku reagim ndaj mesazheve të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që efektet reale dhe domethënëse të strategjisë do të paraqiten të plota në periudhën afatshkurtër e afatmesme. Më konkretisht, ai nënvizoi se ligji “Për shërbimet e pagesave” vërtet përbën shtyllën kryesore të nxitjes së inovacionit dhe të konkurrencës.

“Kjo gjë mund të vihet re edhe në interesin e shtuar të subjekteve që kërkojnë të hynë në këtë segment të tregut, por materializimi i plotë i tij do të ndodhë me operacionalizimin e open-banking. Në këtë drejtim, e vlerësoj të nevojshme të theksoj se angazhimi i bankave dhe jobankave duhet të jetë maksimal, në mënyrë që këto infrastruktura dhe shërbimet përkatëse të realizohen brenda afateve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, gjithmonë duke ofruar siguri maksimale.

Siguria në komunikim dhe në ndërveprim është jo vetëm e nevojshme, por edhe e domosdoshme, në kushtet e komunikimit të hapur që imponon open-banking, si dhe në kuadër të rreziqeve të shtuara në sferën e sigurisë kibernetike, me të cilat po përballemi së fundmi. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për të cilën Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme si në vendosjen e standardeve të rregullimit të mirëpërcaktuara dhe gjerësisht të provuara nga vendet e Bashkimit Evropian, ashtu edhe në krijimin e hapësirave të nevojshme kohore që do të mundësonin një zbatim sa më efikas dhe të sigurt për të gjithë aktorët e tregut,” tha Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se deri tani objektivat e strategjisë kombëtare të pagesave me vlerë të vogël 2018-2023 janë arritur dhe në disa raste janë tejkaluar. Konkretisht, në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të Strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që, në vitin 2022, vlerësohet se kjo shifër do të arrij nivelin 16 pagesa për frymë.

Sipas Guvernatorit, pagesat me kartë dhe ato homebanking gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve, ndërkohë që dhe nga pikëpamja e përfshirjes financiare zhvillimet duken mjaft inkurajuese. Volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit; si dhe është shënuar një rritjen e konsiderueshme me 78% e numrit të terminaleve POS gjatë së njëjtës periudhe. Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë. Gjithashtu, nga të dhënat e disponuara sa i takon volumit të transaksioneve homebanking për këtë 9-mujor, rezulton se është shënuar një rritje prej 22%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke vijuar trendin rritës të shfaqur ndër vite./MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sejko: Inflacioni në vend do të mbetet i lartë

Kriza e çmimeve/ BSH nuk ndryshon politikën monetare

'Të shihen politikat fiskale"

Sejko: Çmimet, të larta, gjatë 2022-it!