MENU
klinika

Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë

Si do ndikojnë ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat

20.11.2022 - 13:42

Në një intervistë për “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet kundër propozimeve të Qeverisë Shqiptare në projektligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, në dispozitat që lidhen me njohjen e kredive të fshira të bankave si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky ndryshim bie në kundërshtim me frymën e planit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme, që kontribuoi në mënyrë të qenësishme në uljen e kredive me probleme.

Banka e Shqipërisë argumenton se ndryshimet e propozuara nga qeveria do të shkaktojnë grumbullimin e kredive me probleme në portofolat e bankave, reflektimin e një performance joreale, si dhe tkurrjen e interesit ndaj vendit tonë nga palët e interesuara.

Sipas Bankës Qendrore, ndryshimet në ligj do të frenojnë institucionet financiare për të kredituar në mënyrë të mjaftueshme ekonominë, mund të sjellin edhe shtrenjtim të kostos së kreditimit duke shkaktuar një barrë më të rëndë për huamarrësit, duke gjeneruar si rezultat final uljen e kreditimit të ekonomisë.

Cili është qëndrimi i Bankës së Shqipërisë rreth ndryshimeve të propozuara në projektligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, në dispozitat që lidhen me njohjen si shpenzime të zbritshme të kredive të këqija të sektorit bankar?

Banka e Shqipërisë është njohur me projektin e ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat” në kuadrin e konsultimit institucional kur është dërguar për opinion.

Në shqyrtimin e projektligjit është konstatuar se trajtimi i fshirjes së kredive ndryshon nga ai i ligjit ekzistues në fuqi, ku për njohjen si shpenzime të zbritshme të kredive të fshira, institucionet financiare do të duhet të presin deri në përfundimin e procesit gjyqësor përkundrejt afatit 365-ditor nga fillimi i veprimeve ligjore që zbatohet aktualisht.

Ndryshimi bie në kundërshtim me frymën e planit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme, zbatimi i të cilit kontribuoi në mënyrë të qenësishme në uljen e kredive me probleme në vend dhe përftimin e efekteve të saj në çlirimin e ekonomisë.

Për këtë ndryshim, Banka e Shqipërisë ka shprehur opinionin e saj, duke kërkuar që të mbeten përcaktimet e bëra në ligjin aktual në fuqi.

Çfarë efektesh mund të kenë ndryshimet e propozuara ligjore në procesin e nxjerrjes së kredive jashtë bilancit dhe në ecurinë e raportit të kredive me probleme?

Me këto ndryshime ligjore, bankat do të jenë të varura nga ecuria e procesit ligjor për fshirjen e kredive nga bilanci i tyre, periudha mund të zgjasë për më tepër se një vit deri në një afat të pacaktuar, në varësi të specifikave ligjore të rastit dhe të trajtimit nga institucionet përkatëse.

Këto periudha të zgjatura do të shkaktojnë grumbullimin e kredive me probleme në portofolat e bankave, fryrjen e treguesve, reflektimin e një performance joreale, si dhe tkurrjen e interesit ndaj vendit nga palët e interesuara.

Edhe në rast të fshirjes së kredive, pranimi i tyre si shpenzime të zbritshme do të jetë subjekt interpretimi, duke shkaktuar herë pas here mosnjohjen e tyre dhe rritjen e kostove financiare për subjektet.

Ky kuadër ligjor redukton nxitjen e subjekteve për të kredituar në mënyrë të mjaftueshme ekonominë dhe mund të sjellë edhe shtrenjtim të kostos së kreditimit, duke shkaktuar një barrë më të rëndë për huamarrësit, duke gjeneruar si produkt uljen e kreditimit të ekonomisë.

Inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit priten të sjellin ngadalësim të kërkesës dhe të rritjes ekonomike. Sa i rëndësishëm besoni se do të jetë ndikimi i zhvillimeve makroekonomike në ecurinë e raportit të kredive me probleme në të ardhmen e afërt?

Zhvillimet makroekonomike janë duke pësuar pasojat e luftës në Ukrainë, si dhe ndërlidhjes me ekonomitë e vendeve të Bashkimit Europian dhe të rajonit. Nevoja e administrimit të inflacionit të rritur, nëpërmjet rritjes së normave bazë të interesit nga shumica e vendeve, ka shkaktuar rritje të kostos së kredive, atyre ekzistuese dhe të reja.

Veçanërisht ato me norma interesi të ndryshueshme kanë filluar të kenë rritje të kësteve të kredisë, përveç kostove të lidhura me inflacionin. Këto vështirësi pritet të kenë ndikim në ecurinë e kredive me probleme, duke sjellë potencialisht teorikisht rritje të tyre.

Megjithatë, ecuria do të varet edhe nga tërësia e parametrave makroekonomikë, si dhe nga administrimi institucional i tyre, ndërmjet të cilave nuk përjashtohet edhe trajtimi i sipërpërmendur fiskal i fshirjes së kredive./Monitor