MENU
klinika

10 mln dollarë në dispozicion për emergjencat

Si ndahen fondet për përmbytjet dhe zjarret

23.11.2022 - 14:29

Pas zjarreve në verë, tashmë Shqipëria po përballet me fatkeqësinë e përmbytjeve. Për të përballuar këto fenomene, shteti ka vënë në dispozicion 10 mln dollarë, shumë kjo 40% më e lartë se vitin e kaluar.

Mijëra hektarë tokë bujqësore, kryesisht në Shkodër, Lezhë e Durrës janë përmbytur këtë fund nëntori. Po ashtu dhjetëra banesa janë pushtuar nga uji, ndërsa dëmtime ka edhe në akse rrugore apo rrjetin e ujësjellësve.

Grupet e punës së emergjencave civile, janë në terren por për të folur për bilancin financiar të dëmeve është ende herët, pasi moti edhe në ditët në vijim parashikohet me reshje, çka mund të sjellë probleme të tjera.

Buxheti i Shtetit ka akorduar për Emergjencat Civile këtë vit 1.1 mld lekë, ose 10 mln dollarë, një shumë kjo 40% më e lartë se ajo e vitit paradhës.

Kjo shumë ndahet sipas bashkive në formën e transfertës së pakushtëzuar, sipas një formule që favorizon bashkitë më të populluara, dhe jo detyrimisht ato që kanë risk më të lartë të goditen nga fatkeqësitë natyrore.

Kështu, për mbrojtjen civile më shumë para shkojnë për bashkinë e Tiranës prej 125 milionë lekë, më pas vjen Durrësi që ka të përcaktuar për mbrojtjen civile 54 milionë lekë, ndjekur Kamza e Shkodra me 50 dhe 44 milionë lekë.

Vitet e kaluara ka pasur ankesa për vlerësimin e dëmeve nga të dëmtuarit, dhe shpërndarjen e fondeve, ndërsa bilanci për përmbytjet e këtij viti do të vijë vetëm pasi ujërat të jenë tërhequr nga zonat e dëmtuara./Euronews

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN