MENU
klinika

Sekuestrohen rreth 2 milionë euro pasuri

Skema e mashtrimit me TVSH, mbi 20 vite burg për të arrestuarit

09.11.2022 - 10:59

Një vit pas zbulimit të një skeme mashtrimi me TVSH-në prej rreth 6 milionë euro, Gjykata e Durrësit ka dënuar shtatë persona, ndërsa ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive përfshirë edhe një hidrocentral.

Nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit të nisura dy vite më parë, ka rezultuar se dëmi i shkaktuar është 571 milionë lekë, ndërsa të akuzuarit kishin krijuar pesë kompani fiktive.

“Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se të pandehurit kishin ngritur një skemë mashtrimi me pesë kompani, me qëllim shmangien e pagesës së TVSH-së dhe të Tatim Fitimit, nga e cila ka rezultuar se është shmangur një detyrim tatimor në vlerën totale 571,175,889 lekë.

Ndërkohë, autorët e veprës penale, kanë mundur që të tërheqin parat cash nga bankat e nivelit të dytë, në vlerën totale prej 619,048,206 lekë, ku qëllimi i tërheqjeve ka qenë shmangia dhe mospagimi i detyrimeve të lindura nga aktiviteti fiktiv tregtar i subjekteve objekt hetimit”, sqaron Prokuroria e Durrësit.

DËNIMET
Gjykata e Durrësit ka dënuar me mbi 20 vite burg shtatë persona të akuzuar për ngritjen e skemës gjigante të mashtrimit. Kështu, Gjykata ka dënuar me 6 vite burg shtetasi Ardi Xhaferri, me akuzën e “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Gjithashtu, i hiqet e drejta për të ushtruar detyrat e drejtorit, të administratorit, sipërmarrësit, likuidatorit, si edhe çdo detyrë tjetër që ka të bëjë me cilësinë e përfaqësuesit të personit juridik, për një periudhë 10-vjeçare pas vuajtjes së dënimit me burgim.

Regan Merdani, 4 vite e 6 muaj, ndërsa i hiqet e drejta e ushtrimit të detyrave të mësipërme për një periudhë 7- vjeçare. I akuzuari tjetër, Ali Agolli është dënuar me 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa u hiqet e drejta e ushtrimit të detyrës për një periudhë 7-vjeçare.

Gjykata e Durrësit ka dënuar me 3 vite e 6 muaj burg shtetasit, Tahir Afmataj, ndërsa i hiqet e drejta e ushtrimit të detyrave të mësipërme për pesë vite. Enis Xhaferri është dënuar me 1 vit burg për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, ndërsa për tri vite nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë.

Një tjetër i akuzuar është, Ben Caka, i cili është dënuar me 9 muaj burg për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, e tri vite nuk mund të ushtrojë asnjë pozicion të shkruar më sipër. Roland Avdo është dënuar 1 vit burg për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, e tri vite nuk mund të ushtrojë disa detyra.

Ndërkohë, shtetasi S.L është dënuar me mbushjen e biznesit, duke urdhëruar procedurat e likuidimit të tij nga organet kompetente, sipas ligjit. Pjesa e të ardhurave dhe e pasurive që, në përfundim të procedurës së likuidimit të detyruar të personit juridik, rezultojnë të jenë mjete apo produkte të veprës penale duhet të konfiskohen. Të gjithë të akuzuarit përfitojnë uljen me një të tretën e masës së dënimit pasi kanë përfituar gjykim të shkurtuar.

Të lartpërmendurit në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë krijuar shoqëri fiktive me qëllim mos pagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohe që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera, të pa deklaruara në organet tatimore, produkte të cilat janë blerë pa dokumente tatimore, si dhe punimet janë kryer nga punonjës të pa regjistruar dhe pa deklaruar në organin tatimor.