MENU
klinika

Pas Elona Gogos, motrës së Dallëndyshe Bicit

Tenderi Kardhiq-Delvinë/ SPAK akuzon edhe 8 zyrtarë të tjerë

08.11.2022 - 10:46

SPAK zgjeroi hetimet dhe ka marrë si të pandehur për shkelje të barazisë në tendera për lotin 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë tetë persona të tjerë duke përfshirë edhe zyrtarë, pjesë të grupit vendimmarrës.

Pas Sonila Qatos, ish-drejtoreshë e Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe Elona Gogos, ish-kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që është edhe motra e Drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Territorit, Dallëndyshe Bici, SPAK thirri për të dëshmuar edhe tetë persona, ndërsa po heton dy kompanitë fituese, administratorët dhe ortakët e tyre. Referuar dosjes hetimore, Erdit Salillari inxhinier gjeodet do të përgjigjet përpara drejtësisë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

E njëjta akuzë është ngritur edhe ndaj të pandehurve të tjerë, Armir Pahumi, Miranda Shkurtit dhe Nikollaq Mihalit. Simon Prendi me profesion inxhinier hidroteknik dhe Arbër Troka, inxhinier gjeodet, akuzohen për “falsifikim dokumentesh”, shkelje të barazisë në tendera”.

Ndërsa Almir Hoxhaj, Arjana Hasani, akuzohen për “falsifikim dokumentesh”. Hetimet për rastin në fjalë nisën mbi bazën e kallëzimit të firmës Gjoka e Rrok Gjokës, e cila pretendonte se ishte skualifikuar padrejtësisht nga tenderi i rrugës Kardhiq-Delvinë. Por, atëkohë argumenti ishte se kompania “Gjoka” kishte paraqitur një dokument me të dhëna të rreme, sipas të cilit pretendonte se kishte kryer 70 për qind të punimeve të njërit prej tuneleve të rrugës së Arbrit. Sonila Qato me autoritetin e Drejtoreshës së Rrugëve ngriti një grup pune të inspektonte punimet dhe ata dolën në përfundimin se dokumenti ishte i falsifikuar. Por grupi i ekspertëve që përpiloi raportin tashmë akuzohen për falsifikim të dokumenteve.

Në dosjen e SPAK thuhet gjithashtu se nën hetim janë vënë dy kompanitë “Vëllezërit Hysa” shpk dhe “Sulova ndërtim prodhim” shpk si dhe ortakët e aksionerët e këtyre shoqërive, Agron Hysa dhe Elton Musta. Ndaj tyre rëndojnë dyshimet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Kostot e rrugës Kardhiq-Delvinë kanë kapur shifra të frikshme.

Kujtojmë që pak ditë më parë në SPAK ishte edhe Elona Gogo, motra e drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, e cila u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Në fund të një hetimi 3-vjeçar, SPAK zbuloi shkelje të kryera në tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë ku sipas tij Elona Gogo, ish-kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, në ARRSH, në kundërshtim me ligjin skualifikoi nga gara kompaninë “Gjoka”, duke favorizuar atë fituese. Hetimi për abuzime me tenderin e rrugës, KardhiqDelvinë nisi pas kallëzimit të kompanisë “Gjoka”, e cila merrte pjesë në tender për ndërtimit e njërit prej lotëve. 33 kilometrat e këtij aksi interurban të kategorisë C2, kanë kushtuar gati 13 miliardë lekë, afro 108 milionë euro, ndërkohë që në fillim i gjithë projekti ishte parashikuar me një kosto totale mes 50-60 milionë euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arritjet, sfidat dhe dështimet e një viti

Ngjarjet ekonomike më me ‘zë’ në 2019