Kur po bëhen tre vite nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë duke lënë pas 51 viktima e dhjetëra të plagosur, organet e drejtësisë kanë dhënë verdiktin e tyre për disa prej ishzyrtarëve dhe qytetarëve të akuzuar.
Hetimet nga Prokuroria e Durrësit dhe Tiranës nisën më 2 dhjetor 2019, pesë ditë pas tërmetit dhe mbyllen me dënime minimale për të akuzuarit. Nga shtatë të akuzuar, Gjykata e Durrësit shpalli të pafajshëm katër prej tyre, ndaj të cilëve organi i hetimit kishte ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.
Ndërkohë, tre ish-punonjës të ALUIZNI-t, ndaj të cilit ishte ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës”, janë dënuar me kusht. Përtej dënimeve minimaliste të Gjykatës, gjyqtari i çështjes Artur Prenga ia faturoi Prokurorisë vendimin, sipas të cilit kishte dështuar të provonte lidhjen mes të akuzuarve dhe shembjen e tri ndërtesave që shkaktuan edhe viktimat më të shumta në zonën e Durrësit. Bëhet fjalë për hotelin “Mira Mare”, shembjen e shtëpisë së familjes Lala, duke shkaktuar tetë viktima si dhe dëmtimin e një pallati gjashtëkatësh, i cili la pas 2 të vdekur.
Në këtë pallat ishin bërë ndërhyrje në strukturën e ndërtesës, duke sjellë më pas edhe shembjen e tij. Zyrtarët e ALUIZNI-t u vunë nën akuzë për legalizimin e këtyre objekteve. Në të njëjtën kohë, u shpall i pafajshëm Artur Terziu, pronari i lokali të pallatit ku ishte bërë ndërhyrja në strukturë. Gjithashtu, i pafajshëm u shpall edhe ish-kreun e IKMT-së Durrës, Artur Çela dhe arkitektja Neviana Isufi.
Ndërkohë, ish-zyrtarët e ALUIZNI-t Skerdi Bello, Albert Qetka dhe Aldo Dekovelli u gjetën fajtorë për “Shpërdorim detyre”. Dy prej tyre, përkatësisht Bello dhe Dekovelli u dënuan me nga 1 vit e 6 muaj burg, duke pësuar ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata pezulloi edhe këtë vendim, duke vendosur dy vite dënim me kusht ndaj tyre dhe 5 vite heqjen e të drejtës për të punuar në administratën publike.
Ndërkohë, Qetka u dënua me 1 vit burg, ndërsa gjykimi i shkurtuar ia uli atë në 8 muaj. Gjykata e konvertoi këtë dënim në 180 orë punë publike dhe ndalimin 5-vjeçar për të ushtruar funksione publike. Ndërsa prokurori i çështje ka paralajmëruar ankimim të vendimit, avokatët pretenduar pafajësi ndaj klientëve të tyre.
NDËRHYRJA TE PALLATI 6-KATËSH
Tërmeti tragjik që shkundi Shqipërinë e mesme në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, nxori në pah edhe problematikat e shumta me ndërtimet në Shqipëri, kryesisht në Durrës dhe në Thumanë. Ndërtesa të tëra u shembën pse pësuan dëmtime të konsiderueshme si pasojë e lëkundjeve të forta të tokës.
Abuzimet me lejet e ndërtimit e mbi të gjitha ndërhyrjet në strukturat e ndërtesave u bënë shkak për katastrofën që preku Shqipërinë atë ditë, duke regjistruar ndër tërmetet më vdekjeprurës në dekada. Ndërhyrjet në katet e para të pallave për të hapur lokale shkaktuan jo pak dëme dhe në një prej tyre, humbën jetën dy gra. Ishin banorët e pallatit që ndodhej në lagjen 6 të qytetit bregdetar ata që denoncuan ndërhyrjen në strukturën e ndërtesës që kishte bërë shtetasi Artur Terziu për të hapur një lokal në katin e parë.
Ndërhyrja rezultoi fatale për objektin e ndërtuar në vitin 1989, për shkak edhe të mungesës së kolonave prej hekuri. Tri vite pas ngjarjes, gjykata e shpall të pafajshëm të akuzuarin nga banorët. Ndërkohë, hoteli “Mira Mare” që la pas dy të vdekur, fajtor u shpall një punonjësit e ALUIZN-it që e kishte legalizuar atë, ndërsa objekti ishte ndërtuar pa leje. Pronari Ruzhdi Xheka po hetohet veçmas, duke u akuzuar për “Vrasje nga pakujdesia”.
AKUZAT E BUJSHME TË PROKURORISË
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi më 2 dhjetor të vitit 2019, se prokuroritë në Durrës dhe Tiranë kishin nisur hetimet për godinat që u shembën pas tërmetit prej 6.3 ballësh që goditi rajonin e Durrësit, duke shkaktuar pasoja dramatike edhe në Thumanë e në Tiranë e deri në Kurbin. Organi i akuzës kishte nisur hetime për disa vepra penale si “Ndërtime pa leje”, “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Prokuroria e Durrësit deklaronte në atë kohë se hetimet kishin filluar jo vetëm për godinat në të cilat kishte pasur viktima, por edhe ato që ishin dëmtuar nga lëkundjet e forta të tërmetit. Për këtë arsye, në terren ku po prisheshin objektet e shkatërruara shkuan edhe oficerë të policisë gjyqësore, të cilët do të merrnin mostra të betonit dhe prova të tjera në goditet e dëmtuara.
“Patjetër që po marrim mostra betoni dhe po bëhet këqyrja. Oficerët e Policisë Gjyqësore po mbajnë procesverbale në çdo pallat që po prishet”, deklaronte Anita Jella, drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit në atë kohë.
Tri vite pas nisjes së hetimeve, organi i akuzës nuk ka arritur të gjejë prova bindëse jo vetëm për të gjetur fajtor të tjerë, por edhe për të provuar akuzat ndaj atyre që ishin të lidhur direkt dhe indirekt me ndërtesat që shkaktuan 12 viktima.
Në njoftim për shtyp prokuroria bëri me dije se dyshohej që pasojat e tërmetit të kishin “ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve”. Hetimet nisën edhe në Tiranë, kryesisht ndaj zyrtarëve periferikë.
“Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës. Prokuroria tha se në vijim të veprimeve të kryera, do i kërkohej informacion “Bashkisë së Tiranës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim.
I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore”. Edhe Prokuroria e Krujës nisi hetimet ndërkohë që në Thumanë u shemb një pallat i tërë dhe institucionet kishin bërë një sy qorr ndaj objektit që kishte pësuar krisje nga tërmet i shtatorit të po atij viti. Plot 24 persona gjetën vdekjen në zonën e Thumanës në pallate që sipas banorëve kishin qenë të dëmtuara më parë. Në Krujë po hetohet edhe për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.
Në njoftim Prokuroria e Krujës bën me dije se i është kërkuar Policisë që t’i trajtojë tre pallatet e shembura si skena krimi.
“Po ashtu, është vijuar puna në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë të cilët janë urdhëruar që të kryejnë të gjitha veprimet e duhura në vendngjarje, duke i orientuar t’i trajtojnë si vendngjarje ku ka ndodhur një krim dhe të kryhen në çdo rast veprimet hetimore përkatëse”, thuhet në njoftim. Prokuroria e Krujës njoftoi po ashtu edhe shtrirje të hetimit në ndërtesa të tjera të dëmtuara.
Prokuroria bëri me dije se i është kërkuar Policisë Gjyqësore që të bëjë këqyrjen e vendngjarjeve, si dhe: “Të marrin me cilësinë e provës një kopje të raportit të grupeve të konstatimit të dëmeve. Të sekuestrojnë menjëherë me cilësinë e provës, çdo dokumentacion lidhur me këto ndërtime (Projekt, leje ndërtimi, akt kolaudimi etj.), në çdo institucion shtetëror ku ato ndodhen.
Të merren vendime për kryerje të aktit të ekspertimit vlerësues për dëmin ekonomik në çdo rast”. Edhe hetimet në këtë zonë nuk zbuluan fajësinë. Ndërkohë në Lezhë dhe Kavaja prokuroritë bënë të ditur se nuk kishin filluar procedime kryesisht. Në komunikatat sqaruese bëhej me dije se nga verifikimet e para rezultonte se: “Pallatet e dëmtuara janë të ndërtuara gjatë viteve 70”.
“Deri në këto momente nga Policia nuk rezulton se ka pasur ndonjë akt konstatimi që ndonjë nga pallatet të jetë shpallur i pabanueshëm pas tërmetit të datës 21.09.2019”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lezhës. Prokuroria thotë se 4 pallate të dëmtuara janë të vjetra, ndërsa po kryhet verifikimi në 20 objekte të tjera, verifikime që sot e asaj dite nuk sollën ndonjë rezultat.