Zbulimi i tri provave në banesën e dy vëllezërve Miri në Fushë-Krujë, ka mjaftuar për të ngritur dyshime të forta se ata mund të jenë autorë të vrasjes me kaçavidë të Indrit Ndojit, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në zonë.
Sipas burimeve nga grupi hetimor një çorape dhe një palë tuta me njolla gjaku të gjetura në shtëpinë e vëllezërve, kanë shërbyer si indice për të krijuar dyshime të forta se njëri nga vëllezërit, Saimir Miri, mund të jetë autori i krimit.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pranuar se rrobat përdoreshin prej tij, por ka shtuar se njollat e gjakut i përkisnin një kafshe të shtëpisë, të cilën ai e kishte therur disa kohë më parë. Pavarësisht këtij pretendimi, Policia dhe Prokuroria, kanë kërkuar arrestimin e Saimir Mirit, deri në një afat 60 ditor.
Gjatë kësaj kohe, pritet të bëhet analizimi i njollave të gjakut, nëse i përkasin viktimës Indrit Ndoj. Nga ana tjetër, Prokuroria ka sekuestruar dhe një këpucë, të gjetur 5 metra larg vendit ku ishte hedhur trupi të viktimës, Indrit Ndoj. Kjo këpucë është bërë shkak për të akuzuar dhe dyshuar si autor të vrasjes, vëllain tjetër, Landi Miri.
ALIBIA PËR KËPUCËN
Njëra nga këpucët, është gjendur në banesën e tij, ndërsa tjetra vetëm 5 metra larg trupit të viktimës. Gjatë marrjes në pyetje, Landi Miri, ka pretenduar se nuk ishte në gjendje ta shpjegonte faktin se pse një nga këpucët e tij, ndodhej pikërisht në vendin, ku u gjend i pajetë Indrit Ndoj.
Ai ka ngritur një alibi, duke u shpjeguar se ndonjë nga qentë e fshatit, mund t’ia ketë marrë shapkën nga shtëpia dhe e ka çuar pikërisht në vendin, ku është gjendur më pas nga Policia.
Sipas burimeve, banesa e vëllezërve Miri dhe vendi ku është gjendur i pajetë Indrit Ndoj, ndodhen në një distancë rreth 300 metra. Aktualisht, hetimet për vrasjen e Indrit Ndojit, janë përqendruar ndaj dy vëllezërve, të cilët pas një vendimi të Gjykatës së Krujës, janë lënë në masën e sigurisë arrest në “Burg me afat” 60-ditor.
“SITUATA DOLI JASHTË KONTROLLI”
Trupi i të riut u gjet i pajetë mëngjesin e 21 tetorit nga familjarët, në një kanal. Pas këqyrjes u konstatua fakti se plagët ishin shkaktuar nga goditje me kaçavidë. Dy vëllezërit Saimir dhe Landi Miri, të cilët u arrestuan nga Policia si autorë të dyshuar të vrasjes së 34-vjeçarit në Fushë-Krujë, Indrit Ndoj, kanë shprehur pendesë për ngjarjen.
Në dëshminë e tyre para Policisë ata kanë thënë se nuk kanë dashur të vrisnin, por situata doli jashtë kontrollit. Po ashtu, vëllezërit kanë treguar se në momentin që janë larguar, Ndoj ka qenë gjallë.
“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai (Ndoj) ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi. Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për t’u mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam”, mësohet të kenë deklaruar vëllezërit Miri.
Ndryshe nga se raportoi Policia më herët, vdekja e 34- vjeçarit, Indrit Ndoji nuk kishte ardhur si pasojë e armës së zjarrit, por nga goditja me një kaçavidë.
Viktima Indrit Ndoj, rezultonte i arrestuar në shtator të vitit 2021, për trafik të emigrantëve të paligjshëm dhe ishte në hetim nga Prokuroria e Kurbinit.