MENU
klinika

Botërori 2022

Anglia avancon me lehtësi, në çerekfinale gjen Francën

04.12.2022 - 22:59

Anglia është skuadra e radhës që kualifikohet në çerekfinale të Botërorit të Katarit, teksa mposhti bindshëm dhe pastër 3-0 Senegalin. Britanikët në fazën tjetër gjejnë Francën, një duel që premton spektakël nisur nga ambiciet e të dyja kombëtareve.

Pas një nisje disi me vrull të Anglisë, janë senegalezët ata që krijojnë dy mundësi shumë të mira shënimi, njëherë në minutën e 23-të dhe pastaj në të 32-ën, ku në rastin e dytë është portieri Pickford që mban të paprekur portën.

Senegali shtyn përpara, por në kundërsulmin e parë “Tre Luanët” shënojnë. Kane merr mirë topin dhe hap në krah për Bellingham, ky i futi ia pason menjëherë Henderson, që nuk fal për 1-0. Afrikanët hidhen para, por është sërish Anglia që kap në befasi në limitet e pjesës së parë.

Foden pason në qendër për Kane dhe kapiteni mposht portierin. Goli i parë e sulmuesit anglez në këtë Botëror, por ka dhënë 3 asiste në fazën e grupeve, një lider i vërtetë. Fraksioni i parë mbyllet me dy gola në avantazh në favor të britanikëve.

E dyta nis me 3 zëvendësime në radhët e Senegalit, por kjo nuk sjell ndryshim në lojë, madje ishullorët shënojnë edhe të tretin. Është sërish Foden që shfaqet protagonist në krahun e majtë, fut një top në zonë dhe Saka nuk fal.

Më pas ndeshja nuk ka shumë histori, edhe pse ishin shumë minuta në lojë. Senegali u përpoq të shënonte një gol nderi, por nga ana tjetër edhe anglezët tentuan një gol të katërt. Gjithsesi, mbyllet 3-0 në favor të Anglisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN