MENU
klinika

Pasojat

Antidiabetikët për humbje peshe janë të rrezikshëm

02.12.2022 - 12:42

Për muaj të tërë, “Instagram” dhe “TikTok” nuk kanë folur për asgjë tjetër: liraglutid dhe semaglutid, janë ilaçet e reja për humbje peshe, përmes të cilave si VIP-at po ashtu edhe njerëzit e zakonshëm humbasin dhjetëra kilogramë brenda pak muajsh.

Këto ilaçe janë në thelb antidiabetikë, pra të zhvilluara enkas për të luftuar hipergliceminë, nivelin e lartë të sheqerit në gjak. Por së fundmi është zbuluar edhe një përfitim i mirëpritur: ato ju bëjnë të humbni peshë pa mundim dhe shumë shpejt. Tek fundit, ne jemi gjithmonë në kërkim të pilulës mrekullibërëse.

Dhe pavarësisht se zhgënjimet janë thuajse të vazhdueshme, ne nuk ndalemi së shpresuari për to. Por jo gjithçka që shkëlqen është ar. Sepse ndryshe nga sa duket, pra nga ajo që propagandojnë videot plot entuziazëm dhe sfidat në “TikTok”, po flasim për barna në të gjitha aspektet, me listën e tyre të gjatë të efekteve anësore, të cilat nuk duhen marrë lehtë.

Ndaj ato mund të zhgënjejnë lehtësisht ata që vendosin t’i përdorin pa pasur një nevojë të vërtetë mjekësore. Në fakt, duket se ato kanë edhe një anë të errët: midis atyre që i kanë provuar, ka nga ata që pretendojnë se efekti i tyre është, as më shumë e as më pak, ai i të përzierave dhe ndjenjës së neverisë për ushqimin.

Ilaçet në fjalë bartin emra të ndryshëm tregtarë, të lidhur edhe me indikacione të ndryshme terapeutike (antidiabetikë ose kundër obezitetit). Por pavarësisht nga marka, ato janë analoge të hormonit Glp-1, një substancë që prodhohet normalisht nga trupi ynë, e cila ka efekte të ndryshme, ku më kryesorja është nxitja e prodhimit të insulinës pas ushqimit si dhe frenimi i glutadionit, një nga “kundërshtarët” që sjell efektin e tij të kundërt.

Prandaj, tek një pacient me diabet, ato janë shumë efektive për të luftuar hipergliceminë e shkaktuar nga rezistenca ndaj veprimit të insulinës, sepse e rrisin nivelin e saj brenda trupit. Por nga ana tjetër shkaktojnë edhe efekte të tjera, po aq të dobishme për një person që vuan nga diabeti i tipit 2.

Në fakt janë në gjendje të ngadalësojnë zbrazjen e stomakut, duke rritur kështu ndjenjën e ngopjes kur hani ushqim. Dhe e zvogëlojnë oreksin duke vepruar drejtpërdrejt mbi trurin tonë. Për personat e prekur nga diabeti, që zakonisht me kalimin e viteve kanë një peshë

të tepërt trupore, ky është një përfitim shtesë, meqë rënia në peshë është një nga armët e para me të cilën mund të ngadalësohet përparimi i sëmundjes, dhe për t’u shmangur nevoja e injeksioneve të përditshme të insulinës.

Megjithatë, efektiviteti i dobësimit u konsiderua aq i madh, saqë tani vëmendja është zhvendosur edhe në përdorimin e mundshëm si një ilaç kundër obezitetit. Për të parën nga dy medikamentet që do të hyjë në treg, liraglutidin, flitet për një rënie mesatare prej 5 deri në 7 kilogramë, në rast se përdoret nga pacientët obezë shoqëruar me aktivitet fizik dhe një dietë të shëndetshme.

Për semaglutidin, vlerësimet më optimiste flasin për një rënie mesatare prej 15 për qind të peshës trupore gjatë rreth 1 viti përdorimi. Tirzepatidi, një ilaç i miratuar kohët e fundit për trajtimin e diabetit në Amerikë dhe ende në pritje të miratimit në Evropë, u testua tek pacientët obezë (jo diabetikë) dhe tregoi një humbje mesatare të peshës prej më shumëse 20 për qind në dozën më të lartë të testuar, dhe me një efikasitet në humbjen e të paktën 5 për qind të masës trupore tek 95 për qind të njerëzve që eksperimentuan me ilaçin.

Është e qartë se këto janë ilaçe, të cilat mund të kenë përdorimet e tyre në luftën kundër obezitetit, një nga epidemitë më të mëdha dhe të heshtura të epokës sonë. Por nuk janë pilula mrekullibërëse. Ato ndihmojnë për të humbur 10, 15 kilogramë, tek njerëz që peshojnë mbi 100 kg por vetëm nëse i kushtoni vëmendje ndryshimit të jetesës sedentare (ulur) dhe përmirësimit të të ushqyerit.

Por tek njerëzit shumë obezë, dhe me faktorë të tjerë të rëndësishëm rreziku, dhe ndoshta më të moshuar, profili kosto-përfitim është ndoshta i favorshëm. Në fakt, miratimi i tyre si barna kundër obezitetit kërkon një BMI më të madhe se 30 (pra obeziteti klinik) ose mbipeshë (një BMI më e madhe se 27), dhe e lidhur me faktorë rreziku si hipertensioni dhe kolesteroli i lartë, të cilët e bëjnë humbjen e peshës shumë rëndësishme për të parandaluar patologjitë serioze.

Problemi është se kjo fushatë po jep mesazhin e pasaktë, sipas të cilit këto janë ilaçe të padëmshme, me të cilat humbja e peshës është më në fund një lojë fëmijësh. Merita (ose faji) për këtë është i personazheve të famshëm si motrat Kardashian dhe Elon Musk, të cilat me sa duket i përdorën injeksionet me semaglutid për t`u kthyer shpejt në formë, duke e kthyer kështu ilaçin në një modë të vërtetë.

Trendi është bërë vial në TikTok, ku hashtag-u #Ozempic (emri tregtar i ilaçit antidiabetik semaglutide) i ka tejkaluar 273 milionë pëlqime. Por gjërat shpejt dolën jashtë kontrollit. Ekspertët kanë paralajmëruar prej muajsh se këto janë molekula që nuk janë testuar kurrë tek njerëz të shëndetshëm me peshë normale.

Ndaj është e pamundur të dihet se çfarë rreziqesh ka, kur përdoret nga një masë e gjerë njerëzish. Por tundimi për të humbur edhe disa kilograme të tepërt pa u munduar shumë, duket se shpeshherë ka dalë për mirë. Marrja e liraglutidit (që është i disponueshëm edhe në Itali) apo i semaglutidit (i miratuar në SHBA, por jo në Itali, për rënie në peshe) pa recetë është relativisht i thjeshtë.

Kështu brenda një kohe të shkurtër, konsumi ka rritur në nivele rekord (të paktën në SHBA), madje edhe përtej pritshmërive më të larta të prodhuesit të tyre. Rrjedhimisht këto barnat janë bërë të pakta në dispozicion për ata që kanë më shumë nevojë për to: pacientët me diabetin e Tipit 2.

Efektet më të zakonshmet janë të përzierat (prekin 15-20 për qind të pacientëve), të vjellat, diarreja, dhimbjet e barkut dhe kapsllëk. Por ka efekte edhe më serioze, edhe nëse janë qartësisht shumë të rralla:hipoglicemia (prevalenca e së cilës tek njerëzit jo diabetikë dhe jo obezë nuk dihet dhe mund të jetë shumë më e lartë sesa ajo që doli nga provat klinike), lodhja, turbullim mendor, rritje e rrahjeve të zemrës, rënie e flokëve etj.

Në të kaluarën është folur edhe për mundësinë që Glp-1 mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të tiroides, edhe pse këto janë kryesisht shqetësime të bazuara në testet e kryera në kafshë laboratorike. Një aspekt tjetër që duket se po shfaqet muajt e fundit është ai që ka të bëjë me ndryshimet që këto barna shkaktojnë jo vetëm në oreks, por në përgjithësi në marrëdhënien me ushqimin.

Po ashtu përdorimi i këtyre barnave redukton dëshirën për ushqim, sidomos për ushqime të yndyrshme dhe me sheqer. Por shumë njerëz e përshkruajnë ndryshimin në perceptimin e ushqimit aq drastik sa të duket traumatik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN