MENU
klinika

Zgjedhjet lokale

Bashkitë ku opozita garon me dy kandidatë përballë PS-së

26.12.2022 - 16:37

Në zgjedhjet lokale të 14 majit, Partia Socialiste do të ketë përballë 2 kandidatë të opozitës.

Sali Berisha dhe Ilir Meta me koalicionin e tyre, tashmë i kanë mbyllur llogaritë për kandidatët që do të nxjerrin në garën e 14 majit.

Me përjashtim të 5 bashkive, që iu janë lënë aleatëve, në të gjitha bashkitë e tjera PD e Berishës i kanë nxjerrë kandidatët dhe ata tashmë kanë nisur organizimin për fushatën.

Alibeaj është pak më mbrapa me këtë proces, pasi kandidatët i ka shpallur vetëm për 9 bashki.

Kështu, deri më tani është e konfirmuar gara dyshe brenda opozitës në bashkitë Mallakastër mes Agron Kapllanajt dhe Resmi Shanajt, në Poliçan mes Florian Qamos – Behar Xhaferrajt. Në Kuçovë përballja do të jetë mes Ilirjan Koxhajt nga PD e Alibeajt, dhe Lefter Maliqi nga Partia e Lirisë.

Kamza rezervon përballjen mes Arjan Hoxhës dhe Bilbil Bajraktarit dy figura që kanë drejtuar partinë në këtë degë.

Në Lezha sfida brenda opozitës është mes Sandër Markut dhe Pashk Gjonit, në Krujë Sabah Sheta dhe Agron Loka, në Kurbin Genc Doçi – Behar Haxhiu. Ndërsa në dy bashkitë e tjera, në Dimal garojnë Gentian Meçi e Dritan Sula dhe në Dibër sfida është mes Naim Gazidedes – Ismail Ukës.

Me interes të lartë pritet se kush do të jenë emrat që Alibeaj do të nxjerrë në bashkitë e rëndësishme si Tirana, Durrësi, Elbasani e Shkodra. Në të katërta këto bashki, Berisha është përqendruar me të gjitha bateritë, duke kandiduar figura të rëndësishme të partisë.

Me vendimin e gjykatës ende në pritje, mbetet për tu parë se cilët nga kandidatët do të regjistrohet me logon e PD në KQZ.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN