MENU
klinika

Analiza

Çfarë i duhet Evropës pas një skandali që i tronditi themelet…

17.12.2022 - 13:24

James Madison, një nga etërit themelues të demokracisë amerikane, deklaroi dikur se qeniet njerëzore kanë nevojë për institucionet qeveritare sepse “ata nuk janë engjëj”. Në këto institucione përfshihen edhe policia dhe gjykatat. Dhe meqë qeniet njerëzore nuk janë engjëj, në të gjitha demokracitë ka episode periodike të korrupsionit.

Me korrupsion unë kuptoj kalimin e paligjshëm të kufijve ndërmjet sferës publike dhe sferës private. Megjithatë, ekzistojnë disa rrethana që mund ta bëjnë veçanërisht të rëndë këtë fenomen. Demokracia italiane që ishte në ngërç për shumë dekada gjatë Luftës së Ftohtë, favorizoi një zhvillim shumë të qëndrueshëm të akteve korruptive.

Por tani po na del se edhe Parlamenti Evropian, ka qenë i ekspozuar ndaj të njëjtit virus. Ndoshta këtu kanë ndihmuar disa karakteristika të këtij institucioni. Para së gjithash:A është vërtet Parlamenti Evropian, një organ “përfaqësues”? Sigurisht, formalisht është. Por a është edhe në thelbin e tij?

Që nga viti 1979, qytetarët evropianë kanë zgjedhur anëtarët e Asamblesë së Strasburgut, të ndarë sipas vendeve. Kaq mjafton që të thuhet se Parlamenti Evropian është një institucion “demokratik” (sipas parimeve të demokracisë përfaqësuese), i vetmi ku anëtarët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët.

Por problemi është se kur qytetarët “zgjedhin” përfaqësuesit e tyre (të supozuar), ata nuk e bëjnë këtë sepse përmes këtij votimi, synojnë të kushtëzojnë aktivitetet e Parlamentit Evropian. Por për 2 arsye të lidhura ngushtë midis tyre. Së pari, sepse duke qenë një shumicë dërrmuese, ata i shpërfillin kompetencat e këtij organi.

Së dyti, sepse mendojnë se vota e tyre nuk ka lidhje me fatin e një qeverie. Kur një qytetar voton për rizgjedhjen e parlamentit kombëtar, ai e bën këtë para së gjithash, për të ndikuar në formimin e qeverisë. Ai e di që ekziston një lidhje të ngushtë midis rezultateve të zgjedhjeve dhe llojit të qeverisë që do të formohet.

Po ashtu e di, se në varësi të atyre rezultateve do të krijohet një qeveri, e cila do të përputhet ose jo me interesat e tij. Edhe në një republikë presidenciale (ose gjysmë-presidenciale), kur votohet për rinovimin e parlamentit, votuesit nuk duan vetëm të shpërblejnë një kandidat apo një parti.

Ata synojnë edhe të mbështesin apo kundërshtojnë presidentin aktual. Në rastin e PE-së nuk ka asgjë nga këto. Përveç njerëzve të brendshëm që e dinë se si ndikon fuqia e grupimeve të ndryshme parlamentare evropiane – bashkë me qeveritë kombëtare – në përbërjen e Komisionit, qytetarët e zakonshëm nuk dinë asgjë për të.

Ndërsa duke qenë një organ ndërqeveritar, Këshilli Evropian është një histori më vete. Kjo shpjegon mungesën e stimujve për të mësuar mbi kompetencat e Parlamentit Evropian. Nga këtu buron edhe karakteri shumë i veçantë i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Ato kanë një karakteristikë të dyfishtë. E para është niveli i lartë i abstenimit (shumë qytetarë evropianë nuk kanë votuar gjithmonë sepse nuk e kuptojnë domethënien e asaj vote). E dyta është se edhe ata që votojnë, e bëjnë këtë për arsye që nuk kanë lidhje me zgjedhjet në fjalë. Por për të shprehur pëlqimin apo kundërshtimin ndaj qeverisë kombëtare.

Pra e përdorin votën evropiane për t’i dërguar një “mesazh” qeverisë dhe partive kombëtare. Zgjedhjet evropiane janë mbi të gjitha një sondazh i madh, në të cilin forcat politike të vendeve të ndryshme matin mbështetjen që gëzojnë. Kjo shpjegon edhe arsyen pse është e dobët lidhja midis votuesve dhe eurodeputetëve. Ose nuk ekziston fare.

Nga ana tjetër, nuk ekziston asnjë opinion publik i kualifikuar dhe i vëmendshëm ndaj asaj që bën Parlamenti Evropian. Në kontekstin evropian, pasi të jenë depozituar fletët e votimit, shumica e qytetarëve nuk e dinë asgjë se çfarë do të ndodhë në atë parlament. Duke pasur parasysh motivet e vërteta për votën, ata s’do të kenë ndonjë interes për ta zbuluar këtë.

Është e qartë se kjo varet nga tiparet e projektit evropian. Ortodoksia pro-evropiane arrin në përfundimin se është e nevojshme të krijohet një qeveri e vërtetë demokratike e BE. Por çfarë të bëjmë ndërsa presim të ndodhë diçka e tillë? Ka pasur gjithmonë dyshime (legjitime) mbi mundësinë e një demokracie evropiane.

Për shkak të distancës psikologjike dhe pengesave gjuhësore, që i ndajnë qytetarët nga institucionet e BE-së. Por edhe për traditat e ndryshme kulturore. Sociologu i madh, Ralf Dahrendorf (pro-evropian, dhe anëtar i Komisionit në vitet 1970), thoshte se demokracia mund të ekzistojë brenda shteteve kombëtare evropiane, por është e vështirë të transferohet në nivelin kontinental.

Ne mund të mos jemi dakord me skepticizmin e Dahrendorf, por s’mund të themi se ai shtroi një problem që nuk ekziston. Tani le të kthehemi te “Qatargate” dhe korrupsioni. Mungesa e një opinioni publik të kualifikuar, i aftë për të ushtruar kontroll mbi veprimtarinë e Parlamentit Evropian, si pasojë e tipareve të këtij institucioni, e bën shumë të vështirë të imagjinohet se mund të krijohet një organ mbikëqyrës që mund të sigurojë një transparencë të punës së tij dhe të sjelljes së të zgjedhurve.

Sigurisht, tani do të ketë spastrime në masë. Por ato nuk do ta problemin dot “strukturor” që shpjegon edhe paqartësitë e shumta. Meqë nuk kushton asgjë, mund të vini në punë imagjinatën tuaj.

Në pritje të demokracisë mitike evropiane, ndoshta gjërat do të përmirësoheshin paksa nëse qeveritë do të binin dakord mbi një reformë që i bën zgjedhjet për Parlamentit Evropian, jo një shumatore të zgjedhjeve në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por një proces reale në shkallë kontinentale.

Ku qytetarët votojnë për listat evropiane, për grupimet evropiane. Edhe në atë rast do të mbetej problemi i mungesës së një lidhjeje të ngushtë mes zgjedhjes së Parlamentit Evropian dhe qeverisë së unionit. Por ndoshta do të përfundonte epoka e zgjedhjeve-sondazhe.

Kjo do të kishte efekte të dobishme në marrëdhëniet midis qytetarëve dhe Parlamentit Evropian. Natyrisht, kjo nuk do të ndodhë, të paktën në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Por ngritja e kësaj çështje, mund të parandalojë së paku habinë e shumëkujt, kur zbulon paqartësitë dhe sjelljet e paligjshme të këtij institucioni. Do të ishte mirë të ishte kështu, por pavarësisht opinioneve aktuale, Parlamenti Evropian, nuk është ende një “institucion demokratik” i vërtetë.

Burimi: Corriere Della Serra