MENU
klinika

Samiti BE-Ballkani Perëndimor

Dodik: Të hënën vendosim bashkë me Vuçiç nëse do shkojmë në Tiranë

04.12.2022 - 22:30

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka thënë se bashkë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, të hënën do të vendosin nëse do marrin pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian në Tiranë.

“Ndoshta Bashkimi Evropian nuk do të bëj asnjë përpjekje për të siguruar praninë e presidentit Vuçiç, por e rëndësishme është që nesër gjatë ditës të marrim një qëndrim të përbashkët nëse do të shkojmë apo jo”, theksoi Dodik.
Ai shtoi se nëse presidenti Vuçiç nuk shkon në këtë takim, atëherë prania e Republikës Srpska në Tiranë do të jetë e diskutueshme.

Dodik potencoi se në vlerësimin e tij për marrëdhëniet e bashkësisë ndërkombëtare me Prishtinën, “Vuçiç ka shënuar shumë qartë të gjitha pikat e rëndësishme të marrëdhënies së padrejtë të vetë Bashkimit Evropian”.

“Kështu që nesër, pas bisedës së tij me njerëz të rëndësishëm, do të flasim sërish dhe do të harmonizojmë qëndrimin tonë”, theksoi Dodik.

Ai theksoi se Republika Srpska dhe Serbia kanë harmonizuar qëndrimet për shumë çështje dhe se është shumë e rëndësishme që të ndërmerren aktivitete dhe masa të përbashkëta.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference për mediat ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se nuk do të jetë i pranishëm në samitin e Bashkimit Evropian që do të mbahet në Tiranë.

Ai siguroi se Serbia do të jetë në samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka rrugë tjetër vetëm që të vijë aty.