Dështimi i Bashkimit Evropian për të pasur një politikë efektive të migracionit dhe azilit po e dëmton rëndë integrimin evropian, dhe nga kjo po përfiton jo pak e djathtën ekstreme. Ekspertë dhe analistët thonë se mbrojtja e kufijve të jashtëm të unionit nuk mund të bëhet në kurriz të të drejtave dhe jetëve të emigrantëve.
Martin Ehl, kryeanalist në gazetën “Hospodá?ské Noviny”:
Kjo çështje nxjerr në pah pikat e vjetra të dobëta të integrimit evropian, duke e dëmtuar këtë proces. Dhe prek të gjitha nivelet e shoqërisë dhe politikës. Kjo do të thotë se migrimi është një temë e ndjeshme për thuajse të gjithë. Së pari, është një çështje sigurie, por secila nga qeveritë e BE-së dhe Britania e Madhe e shohin ndryshe. Perceptimi i kërcënimit mund të ndryshojë, por ka një emërues të përbashkët: është e nevojshme të forcohet mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së. Ky është një test vendimtar i politikës së përbashkët të sigurisë së unionit.
Së dyti, është një çështje kulturore brenda shoqërive në mbarë Evropën. Kur flitet për përvojat e vendeve anëtare me migracionin, ekzistojnë dallime domethënëse historike. Për shembull, vendet lindore nuk kanë ndonjë trashëgimi koloniale, si ajo që ndikon në qasjen perëndimore ndaj migrimit. Po ashtu ka një ndryshim midis perceptimit të refugjatëve ukrainas dhe atyre sirianë. Dhe kjo krijon shumë tensione në nivel lokal dhe rajonal.
Së treti, ky kompleksitet e bën gati të pamundur që politikanët të arrijnë tek një zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme për krahun jugor dhe lindor të BE-së, të cilët e perceptojnë krejtësisht ndryshe këtë problem. Çdo kompromis – motori tradicional i integrimit në BE – duket se është i vështirë për t’u arritur.
Endrju Gedes, drejtor i Qendrës së Politikave mbi Emigracionin:
Aktualisht, është e vështirë të identifikohet brenda veprimeve dhe aktiviteteve të ndryshme të BE-së, një linjë e qartë që të përputhet me një politikë të përbashkët evropiane të emigracionit. Përkundrazi, duket se ka një konglomerat paradoksesh dhe kontradiktash. Ka pasur një qasje të hapur dhe mikpritëse ndaj miliona njerëzve të zhvendosur që vijnë nga Ukraina.
Por në të njëjtën kohë, ekziston një politikë vdekjeprurëse e pengimit të migracionit nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Ndërsa pandemia e Covid-19 tregoi rëndësinë që ka puna e emigrantëve në aktivitetet nga të cilat varen evropianët, si kujdesi shëndetësor dhe prodhimi i ushqimit, BE-ja kufizohet nga traktatet e saj për pranimin masiv të emigrantëve. Derisa BE-ja të zhvillojë një politikë migracioni – në krahasim me politikën e ndalimit të migracionit – kjo çështje do të vazhdojë të jetë “Thembra e Akilit” e unionit.
Alena Kudzko, drejtore e Institutit të Politikave, GLOBSEC:
Vetë fakti që Vladimir Putin, Aleksandër Llukashenko dhe Rexhep Tajip Erdogan, respektivisht presidentë të Rusisë, Bjellorusisë dhe Turqisë, e kanë përdorur migrimin si një armë, është dëshmi e cënueshmërisë së Evropës në raport me këtë çështje. Ata e kuptojnë se migrimi i parregullt është një çështje shumë polarizuese në BE që mund të krijojë trazira dhe kaos për qeveritë.
Megjithatë, Evropa e ka befasuar veten dhe botën përmes reagimit të saj të vendosur në mirëpritjen e flukseve të mëdha të refugjatëve ukrainas. Ky sukses nuk do të përkthehet automatikisht në një menaxhim funksional të migracionit për një afat të gjatë, pasi BE-ja duhet ende që ta reformojë sistemin.
Dhe këtu përfshihet edhe problemi i kundërshtimit të ardhjes së emigrantëve nga rajone të tjera. Për shembull Çekia dhe Austria, kanë vendosur kontrolle të plota në kufijtë sllovak, ndërsa po përdoren gjithnjë e më shumë rrugët jugore të migrimit. Po ashtu, integrimi i ukrainasve do të përballet me pengesa të mëdha.
Pasi infrastruktura sociale dhe shëndetësore në rajon mbetet në një gjendje të keqe. Dhe gratë, fëmijët dhe të moshuarit, të cilët përbëjnë shumicën e refugjatëve, hasin shpesh vështirësi në gjetjen e mundësive të duhura të punës dhe shkollimit. Ndërkohë popullatat e BE-së kanë filluar të ngrenë pyetje.
Shumica e qytetarëve në vendet e Vishegradit do të preferonin uljen e përfitimeve financiare për refugjatët ukrainas. Edhe pse shumica janë të kënaqur me ukrainasit që marrin punët që nuk i dëshiron askush tjetër, një rënie ekonomike mund ta ndryshojë qasjen. Gjithsesi, reagimi elastik i Evropës tregon se BE-ja mburret me kapacitetin për ta menaxhuar më mirë migracionin. Ndaj tani duhet të krijojmë mekanizma që e lehtësojnë këtë.
Denis Mekshejn, ish-ministër për Evropën në Britaninë e Madhe:
Migrimi ka qenë sekreti i suksesit të Evropës. Lëvizja masive e evropiano-jugorëve për të punuar në veri të Alpeve Evropiane gjatë “30 viteve të lavdishme” e rindërtoi Evropën. Pas vitit 1945, Britania miratoi lirinë e lëvizjes për qytetarët irlandezë. Gjermania hapi kufijtë për punëtorët turq, Franca për punëtorët që vinin nga rajoni i Magrebit në Afrikën Veriore, Britania për punëtorët aziatikë, përfshirë prindërit e kryeministrit aktual britanik dhe ministrave të tjerë.
27 për qind e popullsisë së Zvicrës, vendi më i pasur i Evropës, ka lindur jashtë Zvicrës, dhe zviceranët e zgjuar votuan në një referendum të vitit 2020 pro lirisë së lëvizjes. Komuniteti Evropian i Çelikut dhe Qymyrit i vitit 1950, e shpalli të jashtëligjshëm diskriminimin në fushën e punësimit për shkak të kombësisë.
Kur Spanja, Greqia dhe Portugalia u bënë pjesë Komunitetit Evropiane në vitet 1980, emigracioni nga ato vende u ngadalësua. Dështimi i BE-së për t’i dhënë anëtarësimin vendeve të Ballkanit Perëndimor pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi në 1999, nënkupton se shqiptarët dhe të tjerët largohen për të gjetur punë dikujt tjetër.
Evropa duhet të jetë më e ashpër dhe më e shpejtë në rikthimin e emigrantëve të paligjshëm. Të varfrit globalë i drejtohen Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, pasi nuk shohin asnjë shpresë nga politikanët e tyre. Evropa po pëson tkurrje të popullsisë për shkak të rënies drastike të lindjeve. Ndaj emigracioni është mënyra e vetme që evropianët të mbeten të pasur. Në vitin 1958, Xhon F.Kenedi shkroi një libër “Amerika: Një komb i emigrantëve”. Cili lider i BE-së do të guxonte sot të shkruante një libër të tillë?