Gert Shehut, 31-vjeçari që dhunoi me grusht Sali Berishën një ditë më parë në protestë i është komunikuar masa e arrestit në ambientet e spitalit.
Me pranga në duar dhe i shtrirë në spital, Shehu shfaqet në praninë e policëve duke firmosur deklaratën.
Gazetarja e Panorama, Nikoleta Kovaçi teksa i referohet policisë thotë se Shehu ka refuzuar të japë shpjegime, ndërkohë që është nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë janë shoqëruar për të dhënë shpjegime edhe dy truprojat e Sali Berishës.
Ditën e djeshme Gert Shehu, u shpëtoi nga duart truprojave dhe arriti që të godiste me grusht kreun e PD-së, Sali Berisha, teksa ky i fundit po marshonte në bulevard së bashku me Ilir Metën.
Ngjarja ndodhi në rrugën që lidh selinë e Partisë Demokratike me bulevardin Dëshmorët e Kombit. Menjëherë kanë ndërhyrë truprojat e Berishës dhe simpatizantët të Partisë Demokratike, të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e 31-vjeçarit.
Më pas kreu i opozitës Sali Berisha edhe pse me shenja në fytyrë, vazhdoi rrugën drejt protestës aty ku mbajti edhe fjalim.