Katari ka mohuar akuzat se vendi i tij është përfshirë në skandalin e korrupsionit që po hetohet nga autoritetet belge, ku është e përfshirë eurodeputetja Eva Kaili, bashkëshorti i saj dhe ish-deputeti italian Antonio Panziero, si edhe një person tjetër.
Autoritetet belge kanë akuzuar katër persona të lidhur me Parlamentin Evropian se organizatori i Kupës së Botës, Katari u ka dhënë atyre para dhe dhurata për të ndikuar në vendimmarrje. Katari ka mohuar më parë çdo përfshirje në këtë rast.
Një deklaratë të dielën nga një diplomat nga misioni i Katarit në Bashkimin Evropian tha se këto akuza bënë që parlamenti të votonte të enjten për të pezulluar të gjithë punën mbi legjislacionin që përfshin Katarin dhe për të ndaluar përfaqësuesit e Katarit në ambientet e tij.
Pezullimi prek legjislacionin që lidhet me liberalizimin e vizave, një marrëveshje aviacioni BE-Katar dhe vizitat e planifikuara derisa akuzat të jenë konfirmuar ose hedhur poshtë.
“Vendimi për të vendosur një kufizim të tillë diskriminues…do të ndikojë negativisht në bashkëpunimin rajonal dhe global të sigurisë, si dhe diskutimet e vazhdueshme rreth varfërisë dhe sigurisë globale të energjisë”, tha diplomati.
Katari ishte thellësisht i zhgënjyer që qeveria belge “nuk bëri përpjekje për t’u angazhuar me qeverinë tonë për të vërtetuar faktet”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Drejtësisë në Begjikë tha të mërkurën se shërbimi i saj i inteligjencës ka punuar ngushtë me vendet e tjera evropiane për më shumë se një vit për të zbuluar skandalin e korrupsionit.