MENU
klinika

Gerti Shehu dyshohet se shërbente si agjent i Policisë Kriminale

Kush është i riu nga Tepelena që dhunoi Sali Berishën!

07.12.2022 - 11:08

Personi që sulmoi dhunshëm shefin e opozitës dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha, është person me precedentë penalë.

Ai njihet më së shumti, në lagjen ku banon, si një shpërndarës kronik droge, ndërkohë që më herët bëhet me dije se është edhe ndaluar për një plagosje. Policia, rreth 3 orë pas ngjarjes së rëndë, ka reaguar me anë të një njoftimi zyrtar, duke treguar se ai ishte shoqëruar në Spitalin e Traumës, ndërkohë që ishte person që vuante nga problemet e shëndetit mendor.

Por, ajo që u mësua më vonë, në lidhje me këtë person, shumë të dhëna të publikuara vetë nga Berisha, tregojnë se në fakt personi që goditi me grusht kreun e opozitës në një protestë paqësore ka rinovuar patentë këtë vit.

Po ashtu, sipas të dhënave që shoqëruan pasngjarjen, u bë me dije se i riu ka shërbyer edhe në radhët e Policisë së Shtetit, në Sektorin e Informacionit për Policinë Kriminale, por kryepolici i vendit e hodhi poshtë faktin që ky person të ketë qenë ndonjëherë në radhët e Policisë së Shtetit, ndërkohë që “Homeland Justice”, menjëherë pas deklaratës së Policisë lëshoi një deklaratë në “Telegram”, në të cilën njoftuan se së shpejti do të publikojnë disa databaza me të dhënat e Gert Shehut që merrte paga në Policinë e Shtetit.

E ndërkohë që informacionet dhe deklaratat e njëpasnjëshme pasonin njëra-tjetrën, një vërtetim shëndetësor i Shehut qarkullonte në media, duke u trumbetuar si epikrizë. Por, mjeku që pretendoi se e kishte lëshuar më herët këtë vërtetim, në një reagim për “Euronwes” bëri me dije se vërtetimin ia kishin kërkuar familjarët e Gert Shehut për shkak të një problemi që ai kishte me ligjin.

PO KUSH ËSHTË GERT SHEHU?
31 vjeç, ai është nga Tepelena dhe banonte në Tiranë. Jetonte vetëm me nënën e vet dhe sipas të dhënave kohëve të fundit, ai ishte punësuar si shpërndarës sendesh me motor. Shehu, sipas të dhënave konfidenciale, ishte një frekuentues i xhamisë së Tabakëve në afërsi të Rrugës së Elbasanit.

Madje, bëhet me dije se ai, edhe në momentin kur është kapur pasi e ka gjuajtur me grusht Berishën, ka dëshmuar se kishte kryer porosinë e një vëllai mysliman, ndonëse ende nuk është bërë me dije se çfarë vërtet e ka shtyrë të riun të dalë ditën e djeshme në protestën e opozitës, t’i shpëtojë mbulimit të truprojave personale të ish-Kryeministrit dhe më pas ta qëllojë atë.

Personat, të cilët kujdeseshin për sigurinë e Berishës, e morën Shehun dhe e futen në ambientet e selisë së PD-së dhe prej aty u lajmërua ambulanca dhe Policia për t’i dhënë ndihmën e parë, si dhe për të kryer veprimet ndaj tij. Por, me të mbërritur në Spitalin e Traumës, pas rreth 30 minutash është shpërndarë një vërtetim që mban emrin e një mjeku të njohur, i cili fakton sëmundjen dhe kurimin e tij.

VËRTETIMI, I NXJERRË DJE PËR TË SËMURIN MENDOR
Në krye të këtij vërtetimi thuhet: “Vërtetim mjekësor, për t’u përdorur kudo që t’i nevojitet. Zoti Gerti Shehu, banues në Tiranë është paraqitur në klinikën tonë për herë të parë me 10 janar 2018 i referuar nga mjeku i lagjes. Sipas familjarëve, pacienti kishte prej kohësh që manifestonte ankth, frikë dhe dyshime pa arsye, ishte konfuz në pretendime, çrregullim psikik i papërcaktuar”.

Dhe vijon vërtetimi me data dhe me masën e medikamenteve që i janë dhënë konkretisht pacientit të klinikës private “Venis”, nga e cila mësohet se është lëshuar edhe ky dokument që mban datën 16 gusht të këtij viti. Madje, sipas mjekut, pacienti i tij me çrregullime psikike nuk ka shkuar kohëve të fundit të mjekohet, ndërkohë që e ëma tha se ai kishte qenë edhe 10 ditë më parë.

Kontradiktat që u krijuan me të dhënat që nxori mjeku dhe nëna e autorit të sulmit kundër liderit të opozitës bëri që Policia e Tiranës dhe menjëherë pas saj ajo e Shtetit të dilnin dhe të përgënjeshtronin faktin që ai kishte qenë ndonjëherë në radhët e Policisë së Shtetit, madje vetë Policia tha se ai ishte me precedent në fushën e narkotikëve dhe të plagosjes.

Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për të mësuar shkaqet e atij akti të rëndë që tronditi mbarë opinion kombëtar e ndërkombëtar, ndërkohë që ditën e djeshme është tentuar të merret edhe dëshmia e tij nga Policia në spital, por u tha se ai kishte marrë dëmtime në kokë dhe dëshmia e tij nuk ishte e qëndrueshme.

Si iu rinovua patenta të “sëmurit mendor”
Sipas të dhënave, bëhet me dije se në muajin shkurt të këtij viti, agresori Gerti Shehu ka kryer rinovimin e lejes së drejtimit, dhe në rast se ai do të vuante nga këto çrregullime, rinovimi i patentës do të ishte i pamundur.

Leja e drejtimit të automjetit nuk i lëshohet një personi me probleme mendore. Komisioni para se të lëshojë patentën kërkon dhe certifikatën mjekësore. Ose kjo është të paktën praktika ligjore që ndiqet për shtetasit e tjerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Gerti Shehu është agjent i policisë kriminale”

Berisha pasi u godit me grusht: Gjithçka e përgatitur