Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaroi nga Tirana se Shqipëria duhet të avancojë reformat për shtetin e së drejtës dhe të luftojë korrupsionin në mënyrë që të bëjë progres të mëtejshëm në procesin e integrimit të vendit në BE.
Gjatë konferencës të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, Michel bëri me dije gjithashtu se BE do të miratojë paketa ndihme shtesë për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor nga pasojat që ka sjellë agresioni rus në Ukrainë.
“Të gjithë kemi detyrat tona. Ka pritshmëri që reformat në shtetin e së drejtës, reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit të avancojë. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian duhet të forcojë tregun e përbashkët. Një prej këtyre është edhe marrëveshja për roaming. Në vitin 2027 parashikohet të hiqen plotësisht detyrimet e roaming.
Së fundmi progres konkrete janë zhvilluar për të përballur agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat në ekonomi dhe energji që ka sjellë kjo luftë”, tha Michel.
Gjithashtu ai shtoi se emigracioni është një temë sfiduese për të gjithë BE-në dhe theksoi se duhet të ndërmerren politika të përbashkëta për ta menaxhuar sa më mirë këtë situatë.
“Është shumë e rëndësishme të kemi një paketë financiare për të ndihmuar vendet e rajonit për tu përballur me këtë situatë.
Duhet të them disa fjalë për emigracionin. Është një temë sfiduese. Ne jemi përballur me rritjen e shifrave dhe ky bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor është i nevojshëm për të gjithë ne. Duhet të merren vendime shtesë dhe të bëjmë progres të mëtejshëm për të menaxhuar së bashku këtë situatë”, tha ai.