MENU
klinika

Botërori 2022

Messi kalon Maradonën, Argjentina në çerekfinale

03.12.2022 - 23:02

Argjentina është skuadra e dytë çerekfinaliste e Botërorit, teksa do të përballet me Holandën në fazën tjetër. Leo Messi me shokë fituan 2-1 me Australinë, në një sfidë që u duk e lehtë në pamje të parë, por që në fund nuk ishte e tillë.

Argjentina pretendoi një penallti në minutat e para, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari i ndeshjes. U desh sërish Lionel Messi, që ashtu si me Meksikën zhbllokoi sfidën.

Në minutën e 35-të, pas një kombinimi me Otamendin, Leo nuk fal me të majtën e tij. Me këtë gol, Messi kalon Maradonën në golat e Botërorit, 9 të tillë, një më pak se Batistuta. Kaq mjaftoi në pjesën e parë.

E dyta nis në ekuilibër të plotë, me të dyja skuadrat që më shumë presin ndonjë gabim se sa sulmojnë. Dhe kështu ndodhi, në minutën e 57-të, portieri australian vonon në nisjen e topit, ia rrëmben Alvarez dhe shënon për 2-0.

Argjentina çlirohet dhe luan më qetë, duke krijuar mundësi të tjera shënimi. Por australianët arrijnë të gjejnë golin në minutën e 77-të. Guduin gjuan, topi devijohet nga Fernandez dhe përfundon në rrjetë.

Australia merr zemër dhe katër minuta më vonë mund të kishte barazuar me Behich. Në minutën e 89-të, pas një pasimi të artë të Messit, Lautaro i pati mundësitë të mbyllte ndeshjen, por gjuan keq.

Sërish Lautaro do të gabonte në minutën e dytë shtesë. Messi dhe Lautaro kanë mundësi të tjera, por nuk ka gol të tretë. Australia humb një rast të artë në sekondat e fundit. Mbyllet 2-1, me Argjentinën që avancon më tej.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN