MENU
klinika

Miikpritja 30-vjeçare

Mirënjohje për mbështetjen e emigrantëve të parë

01.12.2022 - 22:19

Komuniteti i sipërmarrësve shqiptarë në Bolonja të Italisë, me anë të shoqatës “Korabi”, dha një kontribut me vlerë të lartë materiale dhe simbolike, në shërbim të bashkëjetesës, por dhe si mirënjohje për mbështetjen e dhënë për emigrantët e parë që zbarkuan në brigjet italiane pas rënies së regjimit komunist.

110-vjetori i Pavarësisë së Shtetit shqiptar, është festuar në një mënyrë krejt të veçantë në Bolonja të Italisë, ku komuniteti shqiptar në këtë rajon, ai arbëresh, së bashku me autoritetet vendase, u bënë bashkë në një ceremoni festive, ku morën pjesë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar italian, përfaqësues të lartë të Vatikanit, drejtuesit më të lartë lokalë dhe qytetarë të shumtë. Në këtë ditë të shënuar, u inaugurua rruga që lidh aksin kryesor me “Villa Pallavicini”, qendër humanitare në pronësi të Fondacionit “Gesù Divino Operaio”, që drejtohet nga Don Massimo Vacchetti dhe Armando Stafa. Ky investim u krye nga komuniteti shqiptar në Bolonja, i përfaqësuar nga shoqata shqiptaro-arbëreshe “Korabi”. Investimi i rëndësishëm, si në vlerë materiale, por mbi të gjitha në vlerën simbolike të çmuar, vjen si shenjë mirënjohjeje e shqiptarëve që jetojnë në këtë kryeqendër të vendit fqinj, ndaj kontributit të hershëm dhe të vazhdueshëm që dha kisha katolike e Bolonjës për shqiptarët që zbarkuan në jugun e Italisë, pas rënies së murit të diktaturës. Tek Villa Pallavicini, gjejnë mbështetje mijëra persona në nevojë, mes tyre dhe shumë shqiptarë.
Rruga e rikonstruktuar falë investimit të shoqatës “Korabi”, ka të vizatuar në të, shqiponjën dykrenare, portretet e figurave emblemë të shqiptarëve si Skënderbeu dhe Nënë Tereza, apo edhe të Kardinalit shqiptar, Ernest Troshani, pamjen e anijes “Vlora”, si memorial i vuajtjes së shqiptarëve, por edhe i mikpritjes së fqinjëve në anën tjetër të Adriatikut.
Drejtuesi i shoqatës “Korabi”, Astrit Poti, në emër të komunitetit shqiptar të pas ’90-ës dhe atij arbëresh, foli për rëndësinë e marrëdhënieve italo-shqiptare dhe mikpritjen që u është bërë emigrantëve në këto tri dekada, ndërsa zyrtarët italianë vlerësuan integrimin e shqiptarëve në thuajse çdo nivel përfaqësimi.

Në ceremoni e organizuar nga drejtuesit e fondacionit Don Massimo Vacchetti dhe bashkatdhetarit Armando Stafa, mori pjesë zv.ministri italian i Infrastrukturës, Galeazzo Bignami, presidenti i rajonit të Emilia Romagna, Stefano Bonaccini, Arqipeshkvi i Bolonjës dhe presidenti i Konferences Ipeshkvore të Italisë kardinali Zuppi, përfaqësuesi i bashkisë së qytetit të Bolonjës, zyrtarë të tjerë lokalë dhe ushtarakë.

Kjo ceremoni, e para e organizuar jo vetëm në Bolonja, po edhe në Itali, pati jehonë të madhe në mediet italiane, që e pasqyruan këtë aktivitet që ushqen raportet shumë të mira mes dy popujve dhe dy shteteve.