MENU
klinika

Monodrama “Udha e qumështit”

Një mesazh për të mos harruar të shkuarën

08.12.2022 - 17:04

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të datës 8 dhjetor, Ditës Kombëtare të Rinisë, organizoi shfaqjen e monodramës “Udha e qumështit”, me regji të Armando Borës dhe interpretimin e aktores Egla Ceno.

Vepra është ndërtuar mbi një histori tipike, të vërtetë, të shoqërisë shqiptare nën diktaturë, kur një gjest i thjeshtë shkakton pasoja të rënda për jetën e qenies njerëzore. “Çfarë është në gjendje t’i bëjë njeriu-njeriut?!”, – në këtë dilemë na fut skenari nën mjeshtërinë e lojës së aktores, e cila performon 33 karaktere, duke përcjellë situata sa komike, groteske e dramatike njëherësh, për të arritur tek fundi tragjik i personazhit kryesor.

Drama nis në një radhë për të blerë qumësht, dhe përfundon me burgimin e një qytetareje që jep shenja pakënaqësie ndaj realitetit.

Për ata që s’kanë jetuar në kohën e regjimit komunist një radhë e tillë nuk mund të konceptohet, ajo niste të krijohej ende pa dalë drita dhe kush kishte ankesa përfundonte pas hekurave si armik i pushtetit.

Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, falenderoi regjisorin dhe aktoren për mesazhet e forta që përcollën nëpërmjet monodramës së ndërtuar mbi ngjarje të dhimbshme të së shkruarës dhe premtoi që, krahas punës së përditshme të Autoritetit për vënie dokumentacioni në dispozicion, do të vijojë bashkëpunimin me partnerë për zbardhje të së shkuarës.

“Në një shtet me fytyrë njerëzore, çdo njeri është më i mirë dhe të gjithë bashkë do të krijonin një shoqëri më njerëzore, kurse në dramë ne shohim një shtet totalitar që prodhon 33 figura të zvogëluara, 33 njerëz të zhveshur nga ndjenja njerëzore, anti-njerëzore që krijojnë një ind shoqëror të sëmurë, të pamundur për të ushqyer njëri-tjetrin me mirësi”, theksoi Sula

Sipas saj, 33 persekutorë-33 viktima që sillen sikur janë 33 shpëtimtarë që po shpëtojnë shoqërinë, por në fakt sigurojnë vetëm mbijetesën e shtetit-diktaturë.

Viktimat, tragjeditë familjare të qindra shqiptarëve në diktaturë janë motiv që platformat e kujtesës, strukturat akademike, studiuesit, shoqëria civile skenaristët, regjisorët, aktorët të promovojnë konferenca, studime, shfaqje, dokumentarë, që zbardhin të shkruarën dhe edukojnë brezat.

Sipas regjisorit të shfaqjes,Armando Bora, monodrama flet për jetën tonë në periudhën e komunizmit dhe u bën thirrje qytetarëve për të mos harruar të shkuarën sepse harresa është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë kulturës së një vendi.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit prej vitesh ka ndërmarrë nisma që synojnë zbardhjen e së shkuarës komuniste në Shqipëri dhe këtë e bën duke mbështetur institucionet akademike, studiuesit, shoqërinë civile, përfaqësuesit e medias, nëpërmjet promovimit të aktiviteteve shkencore, konferencave, tryezave, dokumentareve, ekspozitave apo dhe shfaqjeve si kjo e fundit, të cilat kanë në thelb trajtimin e së kaluarës komuniste dhe edukimin qytetar të shoqërisë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit