MENU
klinika

Analiza

SHBA dhe Kina po paguajnë të njëjtin çmim!

09.12.2022 - 08:30

Përgjigja e Kinës ndaj pandemisë Covid-19 duket  si një dështim i kushtueshëm: Msat e saj drakoniane e kanë bërë të vështirë për njerëzit e zakonshëm marrjen e ushqimit ose ilaçeve dhe po pengojnë rritjen ekonomike.

Politika “zero Covid” e Presidentit Xi Jinping nxiti protestat më të mëdha që nga viti 1989 dhe më në fund çoi, të mërkurën, në një lehtësim të rregullave të testimit dhe karantinës në atë që është një pranim i nënkuptuar i dështimit nga Pekini.

Është e lehtë për amerikanët të ndihen kryelartë- veçanërisht ata që kundërshtuan masat.

Ne i jemi kthyer jetës normale, pak a shumë.

Por kjo nuk është koha për triumfalizëm.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu dështuan në trajtimin e Covid. Ne thjesht dështuam në mënyra shumë të ndryshme.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të vdekjeve të konfirmuara nga pandemia: më shumë se 1.1 milion.

Për krahasim, nëse duhen besuar statistikat zyrtare, vetëm 5,235 kinezë kanë vdekur nga sëmundja. Ndërsa Kina pretendon se ka një nga nivelet më të ulëta të vdekjeve në botë, Shtetet e Bashkuara kanë një nga më të lartat.

Si ndodhi kjo fatkeqësi?

Ish-guvernatori Andrew M. Cuomo (D), për shembull, kërkoi nga shtëpitë e të moshuarve në Nju Jork të pranonin pacientë me Covid dhe më pas u përpoq të fshihte vdekjet.

Por problemi kryesor ishte dogma populiste, antiqeveritare, anti-shkencë e Presidentit Donald Trump dhe shumë zyrtarëve dhe votuesve të tjerë republikanë.

Ata ishin skeptikë për nevojën e izolimeve për të “rrafshuar kurbën” në ditët e para të pandemisë, përçmues të nevojës për të veshur maska dhe armiqësor ndaj vaksinave.

“Mohimi” i Covid-it dhe teoritë e konspiracionit anti-vaksina infektuan infosferën e krahut të djathtë.

Fondacioni i Familjes Kaiser raporton se, në shtator, 91 për qind e demokratëve u vaksinuan në krahasim me vetëm 66 për qind të republikanëve. Shkalla e vdekjeve për republikanët përfundimisht ishte 76 për qind më e lartë se për demokratët.

Nga 10 shtetet me shkallën më të lartë të vdekjeve, shtatë kanë guvernatorë republikanë. Megjithatë republikanët të cilët janë të inatosur, janë çuditërisht fatalistë për këtë fatkeqësi vdekjeprurëse. Guvernatori Ron DeSantis është një kandidat kryesor për nominimin presidencial të GOP, edhe pse shkalla e vdekjeve nga Covid në Florida është gati 60 për qind më e lartë se ajo e Kalifornisë.

Shtetet e Bashkuara kanë paguar një çmim tragjikisht të lartë për armiqësinë ndaj shkencës dhe qeverisë të shfaqur nga kaq shumë qytetarë të saj.

Këto probleme janë përkeqësuar nga decentralizimi në sistemin tonë politik.

Kina ka vuajtur nga problemet e kundërta – autoritarizmi i ashpër i qeverisë së saj dhe tendenca e qytetarëve për t’iu bindur verbërisht autoritetit.

Ndërsa amerikanët janë shumë mosbesues ndaj qeverisë së tyre, kinezët besojnë shumë – të paktën deri vonë. Kjo katastrofë mund ta lëkundë atë besim.

Tani që Xi më në fund po heq kufizimet, Kina përballet me rrezikun e një numri të madh vdekjesh nga Covid.

Qeveria e Kinës bëri të paktën tre gabime kritike. Së pari, ajo nuk reagoi menjëherë ndaj përhapjes fillestare të sëmundjes në Wuhan. Së dyti, ajo dështoi të përqendrojë përpjekjet e vaksinimit tek të moshuarit – popullata më e cenueshme.  Së treti, nuk përdori vaksinat shumë efektive të mRNA të zhvilluara nga firmat perëndimore si Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Regjimi nacionalist kinez ka miratuar vetëm vaksinat vendase që thuhet se janë më pak efektive – duke e vënë krenarinë kombëtare mbi shëndetin publik.

Si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara dështuan në testin e koronavirusit. Vendet që e arritën si duhet ishin ato që ndoqën shkencën duke u mbyllur dhe maskuar fillimisht, kur nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të ndaluar përhapjen dhe më pas duke vaksinuar gjerësisht.

Australia është një shembull: nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin të njëjtën shkallë vdekjeje si Australia, rreth 900,000 jetë do të ishin shpëtuar. Ah, ju mund të kundërshtoni: Australia është një ishull. E vërtetë, por Kanadaja nuk është. Është ngjitur me Shtetet e Bashkuara dhe megjithatë ka qenë shumë më e suksesshme në luftimin e Covid. Nëse shkalla e vdekjeve në SHBA do të ishte e njëjtë me atë të Kanadasë, 418,000 jetë do të ishin shpëtuar.

Nuk është për t’u habitur që Kanadaja dhe Australia gjithashtu bëjnë shumë më mirë se Shtetet e Bashkuara në rregullimin e armëve dhe ofrimin e aksesit në kujdesin shëndetësor.

Një mësim i rëndësishëm i pandemisë, pra, është se ideologjia ekstremiste – qoftë e së djathtës ekstreme apo e së majtës ekstreme – është një kërcënim për mirëqenien publike, sepse pengon një qasje racionale dhe empirike për trajtimin e problemeve të mëdha.

Nuk ka ekuivalencë morale midis Kinës dhe Amerikës, por të dyja po paguajnë një çmim për ekstremizmin ideologjik.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Informacionet nga shërbimet sekrete

A është Kina fajtore për koronavirusin?