MENU
klinika

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë

“Pastrimi i parave, largon investimet e huaja!”

13.12.2022 - 13:49

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, vlerësoi si një fenomen tepër të dëmshëm për ekonominë e një vendi procesin e paligjshëm të pastrimit të parave.

Gjatë një konference këtë të martë, Jaço nënvizoi se fenomeni i pastrimit të parave dëmton bizneset e ndershme në vend, frenon investitorët e huaj si dhe dëmton konsumatorin.

Sipas tij ky aktivitet i paligjshëm krijon imazhin e një tregu të pasigurt ku investitorët serioz dhe ata të huaj nuk duan të përfshihen.

Jaço mori shembullin e tregut imobiliar, ku sipas tij fenomeni i pastrimit të parave në ndërtim ka dëmtuar konsumatorin duke bërë që rritja e çmimit të apartamenteve të mos jetë e njëjtë me indeksin rritjes së pagave të qytetarëve.

“Është një terren i favorshëm për grupet kriminale që duan të pastrojnë paratë. Ka një tendencë nga publiku që pastrimin e parave e ka parë si një krim të butë. Por pasojat e këtij krimin dëmtojnë biznesin duke i nxjerrë disa prej tyre jashtë loje. Ndikon dhe te konsumatori në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Është jashtëzakonisht negative për investitorët e huaj. Nëse është një treg ku ndodh pastrimi i parave nuk është një treg i sigurt.

Kemi tkurrjen e investimeve të huaja dhe rritjen e investimeve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave. Pastrami i parave krijon imazhin e një tregu të pasigurt ku nuk duan të përfshihen investitorët serioz.

Unë do të doja që ta shikonit dhe nga aspekti i konsumatorit. Është e prekshme çfarë ndodh me sistemin imobiliar. Çmimet rriten me ritme tepër të larta nga rritja e indeksit të pagave dhe nuk do shumë që ta kuptosh që pas kësaj veprimtarie fshihet fenomeni i pastrimit të parave”, tha Yaço.