MENU
klinika

Analiza

Pse migracioni ka mbetur ‘plagë’ e BE-së?

05.12.2022 - 17:09

Këtë javë Komisioneri Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi po viziton vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky rajon ka qenë i rrethuar prej kohësh nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa vendet e tij janë ende të bllokuara në pika të ndryshme përgjatë rrugës drejt anëtarësimit në union.

Në funksion të një afrimi progresiv dhe të shpresuar, Varhely ishte fillimisht në Bosnje-Hercegovinë, ndërsa do të vazhdojë turin në Serbi. Në këtë moment Bosnje Hercegovina është nën një vëzhgim të veçantë. Gjashtë vjet e gjysmë pas aplikimit zyrtar për anëtarësim në BE, Komisioni Europian propozoi në tetor që kjo kërkesë të përkthehet në dhënien e statusit të vendit kandidat.

Tani topi po i kalon Këshillit Europian, organi në të cilin përfaqësohen 27 shtetet anëtare, dhe që duhet ta miratojë njëzëri kandidaturën. Duket se kjo mund të arrihet brenda këtij muaji, me kushtin që të respektohen tetë kushtet e vendosura për promovimin e demokracisë, një rrugë kjo jo pak e vështirë edhe për shkak të strukturës institucionale të këtij vendi.

Zgjerimi iluzion i BE-së në Ballkan, si justifikim për të

Kriteret përfshijnë 14 pika, dhe konkretisht kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në drejtësi, garancitë e lirisë së shprehjes dhe ndërhyrjet në sistemin e azilit për emigrantët. Për sa i përket pikës së fundit, Varhelyi ishte dëshmitar i nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit midis Bosnjes dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për kthimet vullnetare dhe të detyruara.

“Ballkani Perëndimor është sërish dëshmitar i shtimit të presionit ndaj migracionit të paligjshëm, duke shkaktuar disa sfida për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Ne duhet ta ndalim këtë dukuri, dhe duhet të veprojmë së bashku në mënyrë të koordinuar. Ne duhet të çmontojmë rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore, dhe të forcojmë mbrojtjen e kufirit. Duhet të jetë e qartë se BE-ja i mirëpret njerëzit vetëm përmes rrugëve të sigurta dhe ligjore. Dera nuk është e hapur për hyrje të paligjshme. Ata që nuk janë të kualifikuar për të qëndruar, duhet të riatdhesohen pa vonesë”- tha zyrtari i BE-së.

Në këtë kuadër, ai njoftoi një rritje prej 60 për qind të fondeve evropiane për Ballkanin të destinuara për objektivat e përshkruara më sipër, deri në një total prej 350 milionë eurosh për në vitin 2024. Gjatë 2 viteve, Bashkimi Europian e kishte financuar projekte me vlerë 170 milionë euro.

Këto fonde shkojnë kryesisht për luftën kundër trafikimit dhe krimit të organizuar; forcimin e mbrojtjes kufitare me mjete si dronë, kamera termike, sisteme të vide-mbikëqyrjes, monitorim të automjeteve dhe rrjeteve të komunikimit. Të gjitha projektet do të përsëriten edhe në vende të tjera të rajonit.

I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, që përfshin Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, është një nga qendrat më të rëndësishme migratore të të gjithë kontinentit. Aty kalojnë njerëz nga Pakistani, Afganistani, Irani, Iraku, Siria, por edhe nga Afrika, që ikin nga persekutimi racor, fetar, politik ose situatat e luftës dhe urisë.

Ata kalojnë në fillim përmes Turqisë, vend i financuar enkas nga Bashkimi Europian për të bllokuar kalimin e tyre, dhe nëse arrijnë të kalojnë, gjenden në Greqi. Për shkak të kushteve të tmerrshme në kampet greke të refugjatëve, ku këta të fundit presin me vite për shqyrtimin e kërkesës së tyre për azil, të shumtë janë ata që vendosin të largohen nga aty për t’u përballur me “ferrin” ballkanik.

Sepse e gjithë zona është në fakt një “vrimë e zezë” sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, ku emigrantët ilegalë jetojnë për shumë kohë në kampe formale me një gjendje të pasigurt higjieno-sanitare, të izoluar fizikisht dhe socialisht, apo në shtëpi të braktisura, në pyje, në të ftohtë, dhe të rrezikuar që të abuzohen nga popullsia vendase dhe nga autoritetet shtetërore.

Dhe këtu vijmë te problemi kryesor: shtetet, si në Ballkan, ashtu edhe në territorin europian fqinj (dhe jo-fqinj), nuk i duan këta njerëz. Dëbimet – në çdo rast të paligjshme – janë një normë dhe shpeshherë mbështeten nga vetë BE-ja, brenda dhe jashtë kufijve të saj.

Nëse mbledhim lëvizjet e njerëzve – të regjistruara nga OKB-ja – në 3 shtetet më të përfshira në kalimin drejt unonit, Serbi, Bosnje dhe në një masë më të vogël në Malin e Zi, ka gjithsej 107.000 kalime nga fillimi i këtij viti dhe deri në tetor. Agjencia europiane e kufirit, Frontex, që monitoron hyrjet e parregullta në territorin e BE-së, regjistroi mbi 128.000 ardhje nga Ballkani Perëndimor, një rritje prej 159 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por nëse krahasojmë të dhënat e OKB-së për numrin e njerëzve që kanë kaluar nëpër rajon, zbulojmë se këta janë vetëm 26 mijë. Krahasuar me rritjet e lëvizjeve në vende të ndryshme, kjo shifër është vetëm 14 për qind më e lartë se një vit më parë. Nga kjo mund të arrihet lehtësisht në përfundimin se përpjekjet për kalim dhe rrjedhimisht edhe dëbimet e paligjshme janë rritur ndjeshëm.

Zgjerimi iluzion i BE-së në Ballkan, si justifikim për të

Sa i përket Bosnje-Hercegovinës, entiteti i federatës me të njëjtin emër menaxhon fenomenin migrator në vend (tjetri është Republika Srpska, me shumicë serbe). Të gjitha kampet formale janë të vendosura këtu, përfshirë atë të Lipës, në kantonin Una Sana.

Kampi, i djegur në vitin 2020 pas tërheqjes së IOM-it, ka pasur gjithnjë një reputacion të keq për sa u përket kushteve të jetesës. I vendosur në pyll, disa km larg nga Bihac, qyteti më i afërt, është cilësuar shpesh si një kamp përqendrimi. Por shifrat e refugjatëve në Una Sana në këtë periudhë janë shumë të ulëta.

Një vullnetare nga shoqata Rahma në qytetin Velika Kladusha thotë: “Që nga mbyllja e kampit Mira në maj, ndoshta deri 2 muaj më parë, kemi pasur rreth 200-300. Por tani janë edhe më pak, sidomos 3 javët e fundit, kur të gjithë janë dërguar në kampin e Bihacit”.

Ndërkohë, rasti i Sarajevës është ndryshe. “Ata që jetojnë atje thonë se atje ka më shumë refugjatë se kurrë. Fushat janë plot dhe po vijnë ende të tjerë. Një vend tjetër ku situata ka ndryshuar është Tuzla, afër kufirit me Serbinë. Ata që mbërrijnë atje, qëndrojnë për një natë, ose për disa orë, dhe më pas lëvizin drejt kantonit Una Sana ose drejt Sarajevës”.

Kampet janë destinacioni i emigrantëve që futen aty nga autoritetet boshnjake pasi janë dëbuar nga Kroacia, në një cikël tentativash të rrezikshme dhe potencialisht të pafundme për të kaluar kufirin. Policia kroate është një nga më të ashprat në të gjithë rrugën ballkanike.

Vitin e kaluar, projekti holandez i gazetarisë bashkëpunuese “Lighthouse Report”, publikoi dëshmi me video të dhunës ndaj migrantëve, ku shiheshin njerëz me kapuç të zinj në kokë që mbanin shkopinj në duart dhe që rrihnin vazhdimisht refugjatët në kufi. Ata ishin pjesëtarë të njësisë së kontrollit të trazirave në policisë kroate, e financuar nga Fondi i Sigurisë së Brendshme të Bashkimit Europian.

Vetë Frontex pretendon në raportin e tij për kalimet ilegale, se i është përgjigjur presionit të jashtëzakonshëm migrator, duke vendosur më shumë se 500 agjentë në rajon. Në tetor Parlamenti Europian refuzoi të miratojë buxhetin e 2020-ës të agjencisë, për shkak të përfshirjes direkte dhe indirekte në shkeljet e të drejtave të njeriut në kufijtë europianë.

Duke marrë parasysh atë që po ndodh brenda dhe jashtë kufijve europianë – me mbështetjen e vetë Bashkimit Europian – nuk ka asnjë garanci për një përmirësim efektiv të kushteve të njerëzve që kalojnë tranzit në Ballkan.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kadare dhe intelektualët paralajmërojnë

“Evropa do të zhduket nën dallgët e populizmit”

Analiza/ "Nëse vazhdon të zbukurohet situata në Serbi…"

‘Strategjia me dy fytyra e BE-së në Ballkan. Arsye misterioze, apo hipokrizi europiane?