MENU
klinika

"Do të dërgojmë 1 mijë trupa në veri"

Rritet tensioni në Kosovë, paralajmërimi i Serbisë

09.12.2022 - 12:25

Një patrullë e policisë së Kosovës u sulmua të enjten në veriun me shumicë serbe, me pasojë plagosjen e një efektivi, vetëm dy orë pas shtimit të pranisë policore në zonë, në përgjigje të incidenteve gjatë ditëve të fundit. Në një njoftim, policia bëri të ditur se një grup i armatosur ka qëlluar me armë nga një automjet i tipit Audi me targat KM, ndaj një patrulle policore në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit, rreth orës 23:00 të mbrëmjes.

Policia e Kosovës kishte njoftuar më herët rritje të pranisë në komunat veriore përgjatë ditëvë në vazhdim, për të siguruar rendin, pasi policët serbë dhanë dorëheqjen muajin e kaluar, në shenjë proteste lidhur me targat.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkovic, tha se policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, dhe se po konsideronin dërgimin e rreth 1 mijë pjesëtarëve të forcave te sigurisë.
“Duke konsideruar zhvillimet e fundit, Beogradi me siguri që do të konsiderojë rikthimin e rreth 1 mijë forcave tona të sigurisë në Kosovë, sipas rezolutës 1244. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e ka përsëritur disa herë se dhuna ndaj serbëve të Kosovës në vitin 2004, apo operacioni “Stuhia” që rezultoi me dëbimin e 250 mijë serbë nga Kroacia në 1996, nuk do të përsëriten më”, tha Petar Petkoviç.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare nuk e komentuan deklaratën e zyrtarit serb, ndërsa policia tha se në veriun e Mitrovicës po patrullojnë njësitë e rregullta të saj dhe jo njësitë e posaçme. Prania e saj është përqendruar në lagjet me popullsi të përzier në veriun e qytetit.
Incidentet e fundit në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potoku ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e hapjes së Komisioneve komunale përzgjedhjet për kryetarë të katër komunave, që janë caktuar për datën 18 dhjetor. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, akuzon Beogradin për mbështetjen e grupeve kriminale në veri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN